Zhvilloi punimet Konferenca e 7-të Ndërkombëtare e Shkencave Humane dhe Drejtësisë (7th-ICHL)

0

Fakulteti i Shkencave Humane dhe Drejtësisë në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi sot Konferencën e 7-të Ndërkombëtare me temë: “Perspectives on COVID-19: Challenges, Solutions and Opportunities”. Konferenca u zhvillua online për shkak të kufizimeve si pasojë e pandemisë. Moderatorja e konferencës, PhD. Ana Uka, përgjegjëse e Departamentit të Edukimit dhe Gjuhës Angleze, çeli punimet e konferencës duke përshëndetur pjesëmarrësit e saj nga vendi dhe bota.

Në fjalën e tij të mirë se ardhjes, Kryesuesi i konferencës Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, falënderoi pjesëmarrësit e Sesionit Plenar për kontributin e shquar që ata po jepnin në interes të gjetjes së rrugëve, të cilat do ta shpien më përpara punën e arsimtarëve pa kufij tashmë që thellësisht ky mision hodhi dhe hapin e fundit drejt globalizimit të edukimit. “Edhe kur sulmi pandemik mori jetë njerëzish, shoqëria njerëzore diti të qëndronte në llogoren e betejës humane, duke shpresuar fuqishëm se do ta fitonte betejën”, theksoi Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.

Profesor Ferdinand Gjana, Rektor i Kolegjit Universitar Bedër, shprehu kënaqësinë që konferenca do të hedhë hapin e duhur në mbështetje të vizionit që ka planifikuar institucioni, që ai drejton prej themelimit të tij. Tema e gjetur, theksoi ai, ftoi dhe nxiti, mbështeti dhe garantoi se arsimi do të dilte nga kjo gjendje, sepse po mbështetej fuqimisht nga gjetjet shkencore origjinale, nga bashkëpunimi i frytshëm global.

Me interes të veçantë u ndoq fjala përshëndetëse e profesor Mohamed Albailit, ish-Rektor i Universitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe President i Organizatës Ndërkombëtare “Educators Without Borders”, me qendër në Gjenevë. Ai sqaroi në kumtin e tij joshës se organizata që ai drejtonte, ishte akredituar me vlerësime të larta nga institucione ndërkombëtare, prandaj ai ftonte që bashkëpunimit të organizatës me KUB t’i shtoheshin dhe institucione të tjera të vendit dhe rajonit. Globalizimi, sipas tij, kërkonte të bëhej kujdes për moshumbjen e integritetit akademik, të cilin e shihte si gur themeli në ndërtesën që ngrihej për interes të së ardhmes.

Fjala e profesor Albailit emocionoi rektorin e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë, Profesor Bruno Giardina, i cili jo vetëm miratoi vizionin anti-COVID-19 të kolegut nga Emiratet e Bashkuara Arabe, shkoi më larg, kur propozoi që përvoja globale e fituar në luftën kundër pandemisë botërore, të hiqte kufijtë jo vetëm në edukim, por edhe në marrëdhëniet kulturore dhe komunikimin social global.

Konferencën e përshëndetën dy zëvendësrektorët e universiteteve të Durrësit dhe Elbasanit, respektivisht Prof. Asoc. Dr. Sokol Pacukaj dhe Prof. Asoc. Dr. Elvira Fetahu, të cilët përfaqësonin institucionet e tyre dhe personalisht rektorët gjegjës.

Pas një pushimi të shkurtër, konferenca vijoi punimet e ndara në 5 seksione, gjithsecili prej tyre i organizuar në dy sesione shkencore. Gjithsej morën pjesë me kumtesa 47 kërkues shkencorë dhe 67 pjesëmarrës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here