Zhvillohet Konferenca e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim në KUB

Zhvillohet Konferenca e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim në KUB

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër organizoi  Konferencën e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim (ICCMS) me temë: “Komunikimi dhe zhvillimet e medias në epokën e dezinformimit dhe sfidave globale”. ICCMS, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Prishtinës dhe Institutin Shqiptar të Medias, bëri bashkë 50 pjesëmarrës përfaqësues

Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar Bedër organizoi  Konferencën e Tretë Ndërkombëtare mbi studimet në Media dhe Komunikim (ICCMS) me temë: “Komunikimi dhe zhvillimet e medias në epokën e dezinformimit dhe sfidave globale”. ICCMS, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Universitetin e Prishtinës dhe Institutin Shqiptar të Medias, bëri bashkë 50 pjesëmarrës përfaqësues nga 20 universitetet, nga 40 shtete të ndryshme.

Fjalën e parë përshëndetëse e mbajti Dr. Erlis Çela, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në KU Bedër dhe njëkohësisht Kryetari i Konferencës ICCSM 2022. Dr. Çela shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë pjesëmarrësit në konferencë duke theksuar edhe njëherë qëllimin kryesor të saj; të bërit bashkë të akademikëve, studiuesve, gazetarëve, ekspertëve të komunikimit, informacionit dhe medias për të ndarë përvojat e tyre dhe rezultatet e kërkimit rreth çështjeve që lidhen me dezinformimin dhe ndikimin e sfidave globale.

Më tej rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Gjergj Sinani përshëndeti të pranishmit dhe i uroi suksese tē gjithë studiuesve dhe kumtuesve në punimet e ICCMS 2022. “Njerëzit kanë vetëm dy mënyra për të shprehur mendimet e tyre: të folurin dhe të drejtat. Sa më naivë të jenë, aq më e mundur është që t’u kontrollohen mendimet”- u shpreh ai.

Zv.rektori i Universiteti të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Bernard Dosti gjithashtu shprehu nderimin e pjesëmarrjes në këtë konferencë me rëndēsi ndërkombëtare.

Të ftuar si folës kryesorë të kësaj konference ishin Prof. Thomas A. BAUER, Profesor Emeritus në Departamentin e Komunikimit në Universitetin e Vjenës, Austri dhe Prof. Lindita Camaj, Profesoreshë e Asociuar dhe Drejtoreshë e Studimeve Pasuniversitare në Shkollën e Komunikimit “Jack J. Valenti”, Universiteti i Houston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Profesor Bauer foli mbi konceptin e socializimit si diçka që ka kuptimin e të qenit të bashkuar. Kriza të tilla si ndryshimi klimaterik, demokracia, lufta, pandemia, edhe pse në pamjë të parë mund të duken sikur nuk kanë asgjë të përbashkët, në fakt të gjitha lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet vëzhgimit. “Komunikimi është “shembja” e realitetit. Ne nuk i përshkruajmë gjërat ashtu siç ato janë në të vërtetë; ne i përshkruajmë ato, ashtu siç ne i vëzhgojmë dhe perceptojmë”- tha prof. Bauer.
Prof. Camaj foli mbi logjikën e audiencës si një kurë e “Krizës së Besueshmërisë” në Gazetari. Fjalimi i profesoreshë Camajt u shoqërua me komente dhe pyetje nga audienca. “E gjithë çështja nuk është thjesht të raportojmë dhe pasqyrojmë lajme tek audienca; duhet gjithashtu t’u gjejmë zgjidhje atyre”- theksoi ajo.

Konferenca vijoi me sesionet paralele on-site dhe online të ndara në disa seksione, ku pjesëmarrësit prezantuan punimet e tyre, duke angazhuar plotësisht audiencën dhe studentët në pyetje-përgjigje dhe komente. Temat e punimeve lidheshin me koncepte të tilla si: propaganda, dezinformimi, media dhe ligji, komunikimi strategjik, narrativa e medias, komunikimi online dhe edukimi mediatik etj.

Në mbyllje të konferencës, studiuesit dhe akademikët e pranishëm dhanë përshtypjet e tyre mbi tematikat e trajtuara në konferencë, duke vlerësuar punën kërkimore të gjithësecilit.

Student
AUTHOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar