Vijon fushata për kreun e ri të PD-së

0

Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, përkatësisht kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike po përpiqen që të bindin anëtarësinë se ata do të jenë në krye të një opozite të fortë përballë qeverisë së re të Edi Ramës.

Të dy kandidat gjatë takimeve që zhvilluan në disa qytete të vendit me anëtarë të Partisë Demokratike e cilësuan mazhorancën e re ose të kriminalizuar ose piramidale.

“Edi Rama është i njëjti prototip politik që ka prodhuar korrupsion, abuzivizëm, klientelë politike dhe kërcënimi që iu bë Njazi Kosovrastit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, nxori në sipërfaqe fenomenin e ri të PS-së, atë që ne  kemi paralajmëruar gjatë gjithë fushatës që brenda listës së Partisë Socialiste janë të paktën 30 njerëz me precedent të fortë kriminalë”, deklaroi Olldashi.

Sokol Olldashi gjatë takimit në Bulqizë tha se me marëveshjen e 1 prillit PS-LSI rithemeluan partinë mëmë.

Gjithashtu Olldashi theksoi se :“Me marrëveshjen e 1 prill PS dhe LSI rithemeluan partinë e tyre mëmë dhe nga ky moment është detyrë e Partisë Demokratike, që ta fokusojë këtë koalicion si e keqja e këtij vendi dhe ta luftojë këtë koalicion si e keqja e këtij vendi me të gjithë fuqinë e vet politike. Kjo është ajo që unë kam deklaruar, kjo është ajo që unë besoj.”

Nga ana tjetër Lulzim Basha deklaroi se, Edi Rama do të japë llogari për çdo abuzim që ka kryer.

“Demokratët e kanë kuptuar shumë mirë, tani kuptoje edhe ti shumë mirë, se për çdo person mbi të cilin do të godasë abuzivizmi yt, për të cilin je i famshëm në Tiranë, do të japësh llogari ligjore, financiare dhe politike para opinionit publik. Çdo orë e çdo minutë, demokratët do i kesh mbi kokë, për 300 mijë vende pune që ke premtuar, për heqjen e taksës së biznesit të vogël, për shëndetësinë falas për çdo qytetar dhe të gjithë premtimet e tua piramidale që e dinë që sot që s’ke ndërmend t’i mbash dhe ky do të jetë momenti, vëllezër e motra kur ne nuk do të jemi vetëm, Partia Demokratike në opozitë, por Partia Demokratike në qendër të një fronti të gjerë opozitar, në fakt në qendër të mazhorancës morale të shqiptarëve”, tha zoti Basha.

/Sonila Qazimi/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here