Vendim i ri për prokurimet, kusht shlyerja e faturave

Kompanitë që nuk kanë shlyer faturat e energjisë elektrike nuk do të hyjnë në tenderët publikë. Gjithashtu, ato firma që aplikojnë për leje minerare duhet të paguajnë më parë energjinë elektrike. Sipas ndryshimeve të miratuara dje nga qeveria, për procedurat e prokurimit, do të përfshihet si kriter edhe pagimi i detyrimeve të energjisë elektrike nga

Kompanitë që nuk kanë shlyer faturat e energjisë elektrike nuk do të hyjnë në tenderët publikë. Gjithashtu, ato firma që aplikojnë për leje minerare duhet të paguajnë më parë energjinë elektrike. Sipas ndryshimeve të miratuara dje nga qeveria, për procedurat e prokurimit, do të përfshihet si kriter edhe pagimi i detyrimeve të energjisë elektrike nga ana e operatorëve ekonomikë, në Dokumentat e Tenderit nga Autoritetet Kontraktore për kontratat e punëve, mallrave dhe shërbimeve. Kështu, me propozim të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë u ndryshua vendimi për rregullat e prokurimit publik.

Ndërkohë do të kërkohet një dëshmi që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të maturuara të energjisë elektrike të kontratave të energjisë që ka operatori ekonomik, që është i regjistruar në Shqipëri. Mosshlyerja e detyrimeve të energjisë elektrike, sipas shtesës së vendimit, përbën shkak për skualifikimin e operatorit ekonomik, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë.

“Furnizuesi i energjisë elektrike është i detyruar që të lëshojë këtë dëshmi jo më vonë se 5 ditë nga depozitimi i kërkesës nga operatori ekonomik”, theksohet në vendimin e qeverisë. Në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme e borxheve të energjisë elektrike u përkasin pikërisht subjekteve juridikë privatë, përfshirja e këtij parashikimi në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për rregullat e prokurimit publik”, sipas argumentimit të specialistëve të Ministrisë së Energjisë, përfaqëson një mekanizëm shumë të efektshëm për të realizuar arkëtimin e një pjese të konsiderueshme të detyrimeve të mbartura. Shtrëngimi për të kryer pagesën e energjisë elektrike nëpërmjet këtij mekanizmi, është një detyrim shumë i vogël në raport me interesin që kanë këto subjekte, për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit. Ndërkaq, ndryshon edhe vendimi i qeverisë për miratimin e procedurave dhe të dokumentacionit për marrjen e lejeve minerare në zonat e hapura. Në listën e dokumentacionit që subjektet paraqesin në QKL për aplikimin për marrjen e një zone të hapur minerare ndërmjet të tjerave të përfshijë edhe pagesën e plotë të energjisë elektrike.

“Në çdo rast, kërkuesi, është i detyruar që përveç një ose disa vërtetimeve që provojnë kapacitetin financiar, , të paraqesë detyrimisht edhe një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të energjisë elektrike për kontratën e energjisë që ka kërkuesi, i regjistruar në Shqipëri. Mosplotësimi i këtij kushti përbën shkak për refuzimin e aplikimit”, shtohet në kriteret marrjes së lejes minerare.

/Enerida Malo/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar