Thirrja e një nëne për drejtësi

Thirrja e një nëne për drejtësi

Simfonia e 21 Janarit 2011 ishin krismat, e sot një muzikë funebre; ishte skena e gjakut në fytyrat e njerëzve të vrarë, e sot karafilat e kuq në duart e fëmijëve të tyre. Aty ku para dy vitesh bulevardi ishte skenë vrasjesh, sot është kthyer në një pelegrinazh në kërkim të drejtësisë. Fotot e viktimave

Simfonia e 21 Janarit 2011 ishin krismat, e sot një muzikë funebre; ishte skena e gjakut në fytyrat e njerëzve të vrarë, e sot karafilat e kuq në duart e fëmijëve të tyre. Aty ku para dy vitesh bulevardi ishte skenë vrasjesh, sot është kthyer në një pelegrinazh në kërkim të drejtësisë. Fotot e viktimave mbahen ndër duar nga familjarët e tyre, të parët në radhë që udhëheqin kortezhin. Karafila të kuq dhe duartrokitje nga qytetarët shoqërojnë çdo hap të marshimit. Me hapa të ngadaltë i drejtohen vendit të ngjarjes për të përkujtuar ata, të rënët.

thirrja2

Kreu i opozitës, Edi Rama, sikurse dy vjet më parë, është sot mes turmës. Përkrah tij,  Ana, vajza e Ziver Veizit, e rritur disi tashmë, me sytë e mëdhenj ekspresivë, plot botë por të vrarë e të përlotur. Ajo u afrua. Nga dora i ra në tokë një karafili i kuq, në të njëjtën tokë ku kishte rënë babi i saj Ziver Veizi. Ulur në gjunjë, preku trotuarin e përgjakur me 21 janar 2011.

thirrja3

Turma, me hapat e ngadaltë e hijerëndë, ndalet. Karafilat e parë vendosen në portretin e Aleks Nikës nga i ati dhe bashkëshortja që po rrit dy fëmijë jetim, ende të vegjël për të kuptuar të vërtetën e babit të tyre. E pas tyre motrat e Aleksit, që  vërshojnë për të puthur foton e vëllait të tyre. Ai qëndron pak me to, para se të fluturojë si zgalem i plagosur trup e shpirt, në qiellin e lirë.

Të ardhur nga Fieri, bashkëshortja e Faik Myrtajt së bashku me djalin, Renaton, janë të kapluar nga dhimbja e rikujtimit të humbjes së Faikut. Ata përulen përpara portretit ku shpërthejnë dhimbja dhe lotët. Është dhimbje e dyfishtë, pasi pak kohë nga vrasja e babait, djali i vogël, Bardhoshi, u vetëvra nga dhimbja e humbjes së të atit.

Ndërkohë, turma ndjek dikë. Damari i zi, rebel, që pulson mbi ballë me ngut, tregon që ajo është revoltuar thellë në shpirtin e saj prej nëne dhe nuk po gjen karar as me veten as me të tjerët. Është nëna e Hekuran Dedës. “Hapeni pak rrugën; biro, kan’ ardh krejt me t’nderu”. Lotët në sy i janë tharë, tashmë janë kthyer në një forcë për të kërkuar drejtësi.
thirrja4

Në shtëpinë e Hekuran Dedës

Ecim një rruge të baltosur që na shoqëron deri tek shtëpia e Dedëve. Nuk jemi të vetmit që po shkojmë aty, gjithçka duket se  i ngjan ende një pelegrinazhi. Dyert janë të hapura për këdo. Është dyvjetori, ndaj, familja Deda ka hapur dyert për miqtë, gazetarët e politikanët, e për këdo tjetër. Para 3 javësh ndërroi jetë edhe babai i Hekuranit, pa mundur për së gjalli të shihte me sy drejtësinë.

E para që na del përpara është nëna Dudë. Me fisnikëri na fton brenda. Sapo zëmë vend në divan, sytë tanë shkojnë menjëherë mbi mur, ku është varur portreti i madh i Hekuranit. Biseda rrjedh shumë natyrshëm, janë mësuar tashmë me gazetarët. Ndërkohë, në dhomë hyn vëllai i Hekuranit, Zabiti. Ai nis të sjellë në kujtesë ditën kur i vëllai iu bashkua asaj proteste, pa e ditur se nuk do të kthehej më. “Shkuam se kishim shumë të drejta me protestu, se s’kishna rrugë, s’kishna punë. Nuk gjenim drejtësi kërkund e ne ajo na detyroi me shku në protestë”. Po pas dy vitesh, a është vënë drejtësi? “Nuk është vënë asnjë drejtësi, vetëm është bërë rrëmujë në këtë punë. Vetëm duan me stimulu, duan me anashkalu. Duan me e zvarrit çështjen, nuk duan me e zbardh çështjen”, thotë Zabiti.

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar