Sot seanca e parë e Kuvendit të ri

Sot seanca e parë e Kuvendit të ri

Seanca e parë e Kuvendit nis sot pasdite dhe do të drejtohet nga Namik Dokla. 140 deputetët e rinj, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, do të nisin punën vetëm pas verifikimit të mandateve. Seanca është përcaktuar të mbahet ditën e sotme, në orën 18:00, sipas dekretit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Mbledhje

Seanca e parë e Kuvendit nis sot pasdite dhe do të drejtohet nga Namik Dokla. 140 deputetët e rinj, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, do të nisin punën vetëm pas verifikimit të mandateve. Seanca është përcaktuar të mbahet ditën e sotme, në orën 18:00, sipas dekretit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Mbledhje e parë e deputetëve pritet të jetë më shumë ceremoniale, pasi nuk do të ketë as betim dhe as ndonjë vendim të rëndësishëm.Bazuar në rregulloren e Kuvendit, fillimisht do të ekzekutohet himni kombëtar e më pas do të bëhet hapja e seancës. Këtë seancë të parë e drejton deputeti më i vjetër, e këtë herë koincidon me kryeministrin në largim, Sali Berisha. Por, pasi ai ka refuzuar ta drejtojë këtë seancë, ajo i takon ish-nënkryetarit Namik Dokle, i cili ka tashmë 22 vjet jetë parlamentare dhe përvojë në drejtim. Namik Dokle do të caktojë më pas tre deputetë me moshën më të re që të kryejnë detyrën e sekretarisë së Kuvendit.

Në këtë seancë të parë do të ngrihet edhe Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili, sipas rregullores përbëhet nga 9 deputetë , dhe  ka dy ditë kohë për të kontrolluar përputhshmërinë me ligjin të mandateve të 140 deputetëve. Pasi do të hartohet  një raport nga ana e këtij komisioni, pritet që një ditë më pas, të kryhet betimi i deputetëve. Menjëherë pas kësaj, po në bazë të rregullores, pritet që rreth 15 deputetë t’i drejtohen Kuvendit me kërkesën për të zgjedhur kryetarin e tij, që do të jetë Ilir Meta. Procesi vazhdon më tej , me votim të fshehtë, për të  zgjedhur kryetarit e ri të Kuvendit, Dokle do t’i lirojë atij vendin dhe më pas do të jetë ky kryetar që, pasi të mbajë fjalën e rastit, të njoftojë edhe datën dhe orën e mbledhjes së Kuvendit, kur kryeministri do të bëjë publik programin e qeverisë së re.

Në seancën e pasdites së sotme janë ftuar pjesëtarë të trupit diplomatik. Ndërkohë, administrata e Kuvendit ka përgatitur për çdo deputet nga një dosje të veçantë, ku përfshihen Kushtetuta, rregullorja e Parlamentit, si dhe statusi i deputetit. Risi në këtë egjistraturë janë kompjuterët e vendosur në sallën e seancave për çdo deputet. Ata do të kenë mundësi  t’i studiojnë projektligjet përmes kompjuterave.

Përpara seancës së pasdites së sotme pritet që kryeministri Sali Berisha të dorëzojë dorë-heqjen e kabinetit qeveritar tek Presidenti i Republikës. dhe  grupi parlamentar demokrat do të mblidhet në orën 11.00, në selinë e re, për të zgjedhur kreun e grupit, i cili do të jetë provizor derisa të bëhen zgjedhjet e reja në PD. Të dyja partitë kryesore, PS e PD, do të duhet të përcaktojnë edhe emrat e nënkryetarëve të Kuvendit, por edhe emrat e kryesuesve të komisioneve parlamentare më pas. Me fillimin e punës së qeverisë, të tjera lëvizje priten në Kuvend.

Të gjithë ministrat e kabinetit “Rama” do të lënë hap pas hapi mandatet e deputetëve për t’ua lënë vendin të tjerëve në listat respektive. Do të jetë KQZ-ja më pas që do t’i delegojë Kuvendit zëvendësimin e tyre me emrat e rinj të deputetëve. Kjo është një procedurë që pritet të zgjasë në kohë. Ndërkohë në prag të çeljes së punimeve të Kuvendit, kryeministri i zgjedhur, Edi Rama do të zhvillojë një takim në selinë rozë në ora 09:00 me ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Seqiu.

/Jonida Halili/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar