Refuzimi i një prokurori për të firmosur vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Stamboll për lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm të televizionit “Samanyolu”, Hidajet Karaxha dhe 75 policëve, është bërë shkak i një krize të madhe në gjyqësorin turk. Sipas “CNN Turk”, vendimi i prokurorit për mosnjohje të vendimit të Gjykatës është bërë
Refuzimi i një prokurori për të firmosur vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Stamboll për lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm të televizionit “Samanyolu”, Hidajet Karaxha dhe 75 policëve, është bërë shkak i një krize të madhe në gjyqësorin turk.
Sipas “CNN Turk”, vendimi i prokurorit për mosnjohje të vendimit të Gjykatës është bërë me arsyetimin se “vendimi i gjykatës është nul për moskompetencë të gjykatës dhe mosrespektim të dispozitave procedurale”. Ky është një precedent i panjohur deri më tani në gjyqësor, pasi prokurori ka të drejtën e apelit të vendimit, por në asnjë mënyrë të mosnjohjes dhe moszbatimit të vendimit të gjykatës.
Vendimi i gjykatës urdhëronte lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm të televizionit “STV”, Hidajet Karaxha, i cili u arrestua 14 dhjetorin e kaluar pasi akuzohet për shkak të një seriali që transmetohej në televizionin e tij, si dhe për lirimin e 75 policëve të arrestuar në kohë të ndryshme, të gjithë të përfshirë në aksionin antikorrupsion të policisë turke më 17 dhe 25 dhjetor 2013, ku u arrestuan disa biznesmenë dhe fëmijë të ministrave të partisë së presidentit Erdoan.
Në vendimin e gjykatës shkruhet se “Arrestimet nuk përputhen me kushtet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese e Turqisë dhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vihet re që gjatë gjithë këtij procesi, nga momenti i arrestimit e deri më tani nuk ka pasur ndryshim të arsyeve për një vendim të tillë”.
Ndërkohë, reagimet kanë qenë të shumta nga grupime të ndryshme brenda vendit. Përfaqësues të opozitës, të gjyqësorit dhe opinionistëve e kanë cilësuar mosrespektimin e vendimit të gjykatës si një marrje peng të gjyqësorit turk nga partia në pushtet. Reagime për këtë çështje ka pasur edhe nga Bashkimi Evropian.
Kryetari i liberalëve evropianë, Graham Uatson, është shprehur “i tronditur” nga skandali i prokurorisë turke duke e cilësuar si gjendje kur “drejtësia bie në situatë komike”, ndërsa bashkëkryetarja e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Rebeka Harms, ka deklaruar se “kjo ngjarje është njëra ndër gjërat më të këqija që mund të ndodhin në një shtet demokratik.
Duket qartë se ky është një hap për të kërcënuar dhe kanosur gazetarët”. Sipas ligjeve turke, vendimet e gjykatave që kanë të bëjnë me lirimin e personave të arrestuar, duhet të firmosen edhe nga prokurori dhe më pas të dërgohen në burgun përkatës për lirim të të akuzuarve, gjë e cila është refuzuar të bëhet nga prokurori.
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *