"Shqipëria u propozua për armët se është e dobët"

DW: Çfarë kushtesh duhet të plotësojë një vend për asgjësimin e armëve kimike? Jan van Aken: Nevojitet ekspertizë në fushën kimike dhe teknike. Nëse kemi lloje të ndryshme armësh kimike duhet të dish se si mund të shkatërrohen ato. Pikërisht këtu fillon për mua problemi. Argumentohet se Shqipëria ka përvojë pasi ka pasur edhe vetë armë kimike, të cilat i ka asgjësuar. Por në këtë mes harrohet se këto armë kimike në Shqipëri ishin kryesisht gaz mustard dhe nuk ka pasur fare gaz nervor si sarina. Veç kësaj në Shqipëri kishte vetëm 16 tonë, ndërkohë që në rastin e Sirisë flasim tani për mbi 1000 tonë sarinë, gaz helmues. Pra një sasi mjaft e madhe dhe një lëndë me të cilën Shqipëria nuk ka aspak përvojë. Edhe vetëm kjo është për mua një argument kundër përzgjedhjes së Shqipërisë si destinacion për shkatërrimin e këtyre lëndëve. Si qëndron puna me transportin e këtyre lëndëve? A paraqet edhe ai rrezik apo vetëm procesi i asgjësimit? Transporti është gjithnjë i rrezikshëm. Të gjitha llojet e kimikateve që transportohen përmes Evropës paraqesin një lloj rreziku, ekziston gjithnjë rreziku i një avarie, p.sh. që një tren të dalë nga shinat, apo incidente të tjera. Megjithatë probabiliteti që kjo të ndodhë është shumë i vogël. Unë mendoj se është shumë e logjikshme që këto armë të dalin nga Siria, më e mira me anije dhe në këtë rast një vend i cili mund të arrihet lehtë me anije do të ishte destinacioni më i përshtatshëm. Shkatërrimi i këtyre lëndëve kimike do ishte mirë të bëhej direkt në një zonë portuale në mënyrë që të shmangej transporti tokësor. Pra nëse një anije e tillë mbërrin në Turqi, Greqi, Shqipëri, apo Gjermani, infrastruktura për asgjësimin e tyre duhet të ngrihej direkt në port dhe kështu ka “relativisht” më pak rrezik nga transporti. Po vetë procesi i asgjësimit të armëve kimike sa i rrezikshëm është? Nëse ai kryhet me ekspertizën e duhur, është thuajse i parrezikshëm, pasi këto kimikate nuk derdhen thjesht në ujëra por kur kryhet siç duhet, gazi mustardë p.sh. digjet në temperaturë shumë të lartë. Nëse disponohen filtrat e nevojshëm, për mjedisin nuk ka vërtet asgjë rrezik. Por procesi duhet bërë vërtet siç duhet dhe një strukturë asgjësimi për 1000 tonë gaz nervor si sarina, është një kalibër krejt tjetër dhe një proces tjetër kimik nga ai për asgjësimin e gazit mustardë. Për këtë arsye nevojitet infrastruktura e duhur e asgjësimit. Amerikanët kanë deklaruar se disponojnë pajisje të tilla mobile dhe mund t`i vënë në dispozicion në vendin që do të merret me asgjësimin. Pra në një rast të tillë, me këto pajisje, nuk ka ndonjë rrezik të madh për mjedisin. Por nëse amerikanët mund t`i vendosin kudo këto pajisje të lëvizshme atëherë përse pikërisht në Shqipëri? Për mua kjo mban pak erë “imperializmi”. Pra përse të mos i vendoste p.sh. në Greqi, e cila ka po aq shumë ose po aq pak ekspertizë sa Shqipëria. Nëse vjen ekspertiza dhe pajisjet e nevojshme nga jashtë, sa kohë do të duhej për asgjësimin e kësaj sasie lëndësh kimike? Këtë nuk mund ta them me saktësi pasi nuk e njoh kapacitetin e pajisjeve amerikane, pra sasinë që mund të përpunohet në njësinë e kohës. Mund të duhet një kohë që shkon nga një deri në tre vjet, ndoshta dhe më shpejt. Por gjithçka varet nga kapaciteti i pajisjeve dhe sasia që do të sillej për asgjësim. Cilat do të ishin pasojat për njerëzit dhe mjedisin kur flasim për depozitimin e mbetjeve pas asgjësimit? Është fare e qartë se depozitimi, transporti dhe përpunimi i kimikateve helmuese shoqërohet gjithnjë nga rreziqe. Kjo vlen njësoj si për çdo vend, për Gjermaninë ashtu si për Shqipërinë. Mund të ndodhë gjithnjë një avari, një rrjedhje, defekt teknik etj. Kjo do të thotë që rreziku nuk është zero. Mendoj se në rastin e asgjësimit të armëve siriane do të ishin të përfshirë në proces shumë ekspertë të huaj, dhe pra që rreziku nuk do të mbetej plotësisht tek shqiptarët apo turqit apo grekët. Do të ishin të pranishëm ekspertë ndërkombëtarë që do të siguronin që procesi të kryhej sipas standardeve më të mira. E megjithatë nuk mund të përjashtohet asnjëherë mundësia e një defekti, pra rreziku nuk është zero. A është kjo arsyeja përse vende të tjera si Belgjika, apo Norvegjia nuk kanë pranuar të merren me asgjësimin e armëve kimike të Sirisë? Unë nuk e di se cili është argumentimi i këtyre vendeve. Por mund të them se Gjermania është një vend që ka obligim për të marrë pjesë në asgjesimin e këtyre armëve. Gjermania i ka livruar Sirisë lëndë kimike të cilat mund të përdoren edhe për prodhimin e sarinës. Pra vende të tilla kanë më shumë përgjegjësi. Unë mendoj se kemi të bëjmë me një proces politik ku kërkohet hallka më e dobët e një zinxhiri dhe Shqipëria si një vend i vogël, në borxh, vihet nën trysni për ta kryer këtë punë. Politikisht, teknikisht dhe nga aspekti shkencor nuk ka asnjë arsye për të zgjedhur Shqipërinë. Mua më duket një proces shumë, shumë i gabuar politik për t`iu drejtuar hallkës më të dobët të zinxhirit. Kur hedh vështrimin në hartën e globit konstatoj se Turqia apo Qipro janë shumë më afër Sirisë. Përse të mos e bëjë Turqia p.sh. këtë punë? Vetëm sepse Turqia është më e fortë politikisht brenda NATO-s, i drejtohen Shqipërisë. Ky është problemi: vendet e mëdha thonë `Jo`, ne japim para për asgjësimin, por nuk i pranojmë helmet në tokën tonë. Po nëse siç thoni Ju, procesi i asgjësimit është i parrezikshëm nëse bëhet sipas standardeve, përse asnjë vend nuk pranon. Për më tepër kur thuhet se vendi që do ta kryente do të merrte edhe ndihmë financiare, dhe kjo nuk do ishte keq për Shqipërinë por as p.sh. për Greqinë. Pikërisht ky është aspekti i shëmtuar në këtë çështje: t`iu thuash vendeve që janë në nevojë, ja ku kemi ca para, pranoni edhe mbetjet helmuese. E përsëris, nëse gjithçka bëhet në mënyrë profesionale rreziku është shumë i vogël. Por gabime ndodhin gjithnjë, dhe këtë rrezik të fundëm vendet e pasura nuk e pranojnë. (…) Unë personalisht nuk mund ta kuptoj këtë. Mendoj se qeveria gjermane duhej të thoshte: ne kemi një pjesë përgjegjësie, kemi kapacitetet teknike atëherë përse të mos e bëjmë ne? P.sh. pajisja e asgjësimit mund të ishte në një nga portet gjermane si Bremerhaven apo Wilhelmshaven (…). Në të vërtetë asnjë vend nuk ka përvojë të mirëfilltë për asgjesimin e 1000 tonëve sarinë, me përjashtim të SHBA dhe Rusisë. SHBA është shumë larg, Rusia mund ta bënte vërtet me ekspertizën që ka. Por nëse amerikanët vërtet disponojnë, siç thonë, pasije mobile që mund të ngrihen kudo, atëherë çdo vend në botë mund të ishte një destinacion i mundshëm, nuk nevojitet që vendi të ketë vetë përvojë në asgjësimin e lëndëve kimike. Për mendimin tim ka dy mundësi: ose një vend shumë pranë Sirisë, ku rruga e transportit të ishte shumë e shkurtër dhe në këtë rast dy vendet më të përshtatshme do të ishin Turqia dhe Qipro. Ose duhet të jetë një vend, i cili ka një lloj bashkëpërgjegjësie, si Gjermania. Këto janë për mua dy kriteret për të vendosur se ku mund të kryhet asgjësimi. (…) Jan van Aken, me profesion biolog, është deputet i partisë “E Majta” në Bundestag dhe ka qenë inspektor i OKB-së në mision kundër armëve biologjike.]]>

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar