Shqipëria në sytë e turistëve të huaj

Shqipëria në sytë e turistëve të huaj

Shqipëria, një vend në zemër të Ballkanit, aty ku Zoti ka “lëshuar dorën” duke i falur Shqipërisë një bukuri të rrallë, një klimë perfekte dhe plot resurse të tjera. I njohur si “Perla e ballkanit”, Shqipëria njihet gjithashtu edhe për shumë veçori të tjera, për mikëpritjen, për gatimet dhe për vendet e mrekullueshme turistike. Shqipëria

Shqipëria, një vend në zemër të Ballkanit, aty ku Zoti ka “lëshuar dorën” duke i falur Shqipërisë një bukuri të rrallë, një klimë perfekte dhe plot resurse të tjera. I njohur si “Perla e ballkanit”, Shqipëria njihet gjithashtu edhe për shumë veçori të tjera, për mikëpritjen, për gatimet dhe për vendet e mrekullueshme turistike. Shqipëria është një nga vendet më miqësorë që do të vizitoni ndonjëherë, respekti për miqtë është një vlerë e trashëguar brez pas brezi qofshin ata të afërt ose jo.

Sophia, është një zonjë e ardhur nga Greqia me një grup miqsh. Ajo u shpreh se verën e kaluar kishte vizituar jugun e vendit pasi kishte miq shqiptar të cilët e kishin ftuar të kalonin pushimet bashkë. Tani ajo kishte ardhur në shqipëri për të festuar dasmën e një prej mikeshave të saj shqiptare. Pyetjes se si ndihet ajo këtu, Sophia iu përgjigj:

 “Ndihem shumë mirë, të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe jam vërtet e lumtur për këtë. Shqiptarët duken të egër por zemrën e kanë të butë”, tha ajo.

Gjithashtu edhe Stian, një djal norvegjez, i martuar me një vajzë shqiptare nga Shkodra. Stiani u shpreh se të afërmit e bashkëshortes së tij e duan dhe e kanë pritur shumë mirë. “Bashkëshortja më kishte thënë se vëllezërit e saj do më bënin një test para fejesës sonë, nëse do isha i duhuri për të, në fillim kisha shumë frikë sepse nuk kisha dëgjuar fjalë shumë të mira për djemtë shqiptar në lidhje me marrëdhënien me motrat e tyre, dhe mendoja se çfarë mund të më bënin, ndërkohë që bashkëshortja qeshte dhe më ngacmonte”, u shpreh Stian.

Ashtu siç përshkruante Stian Shkodrën, si një qytet të veçantë dhe me plotë histori ka dhe plot qytete të tjerë historikë dhe antik. Nga ana tjetër janë qytetet e mëdha si dhe kryeqyteti, Tirana e madhe dhe moderne, një nga qytetet më të zhvilluar të Shqipërisë, aty ku nata bëhet ditë e rrugët gumëzhijnë deri në orët e para të mëngjesit.

Bukuritë e Shqipërisë fiilojnë që nga jugu e deri lart në veri te saj. Riviera Shqiptare, një prej perlave të Shqipërisë, ka disa nga zonat më të bukura të bregdetit në Evropë, karakterizohet nga plazhe shkëmbore, të rrethuara nga kodra piktoreske dhe male të mbuluara me bimësi të harlisur dhe të egër, tipike për Mesdheun.

Plazhet më të mira të Rivierës janë Drymadhes, me ujë të pastër, të kaltër dhe plotë gurakecë të bardhë. Nata dhe dita nuk bëjn ndryshim, gjatë gjithë kohës je e shoqëruar nga muzika live dhe shumë Beach Bar-e. Më tëj edhe Ksamili, i cili gjithashtu ka ujë të pastër blu dhe është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Plazhi i Palasës, i rrethuar nga shkëmbinj shkëmborë dhe kodra të gjelbëruara, është gjithashtu një vend i mrekullueshëm për t’u çlodhur. Me 300 ditë diell dhe temperatura të ngrohta edhe në janar, Riviera shqiptare mund të shijohet pothuajse gjatë gjithë vitit, edhe përtej plazheve të saj, megjithëse ato janë atraksioni kryesor.

“Plazhet shqiptare janë të mrekullueshme, unë kam qënë në Ksamil dhe nuk kanë asnjë ndryshim nga ato të vendeve të tjera të rajonit dhe mund të them se janë edhe më të bukura”, u shpreh për ne Sophia. Sophia kishte vizituar edhe Beratin, shoqja e saj vinte nga ai qytet, nga qyteti i një mbi një dritareve. Një qytet i vjetër e me plot histori, gjithashtu i mbrojtur nga UNESCO.

“Berati është një vend i mrekullueshëm, unë kam studiuar pikturë dhe pamjet që të ofron Berati janë vërtet mbreslënës”, tha Sophia.

Përsa i përket traditave, gatimeve tradicionale të shqipërisë, Iveta, një vajzë nga Franca na tha se i kishte shumë qejf kërnackat e Korçës, lakrorin e shumë ushqime të tjera. Iveta ka ardhur në shqipëri për vizitë tek një mike e saj. Ajo para disa vitesh kishte qenë me pushime në jug dhe atje kishte njohur një familje korçare dhe kishte ruajtur kontaktet me vajzën e tyre Ana. Për këtë vit, kjo ishte hera e dytë që ajo vinte në Shqipëri, pasi kishte ardhur edhe gjatë dimrit për të vizituar “Parisin e vogël” të Shqipërisë, Korçën.

“Në dimër kam qënë në Korçë dhe kam vizituar Dardhën, është vend i përkryer për të bërë ski, jam kënaqur shumë këtu”, tha Iveta. “Ana më kishte thënë që Korçën e quanin “Parisi i Vogël” dhe jam habitur në fillim, tani vërtet më duket si i tillë”.

Ndryshe nga vendet e Shqipërisë së mesme dhe asaj jugore, lart në veri të vendit nisin majat e Shqipërisë, Alpet Shqiptare, vargmalet e Sharrit dhe Pindit, të cilët shtrihen përgjatë gjatësisë së gjithë vendit. Vendi është i pasur me liqene dhe lumenj, pyje dhe qytete të lashta që do t’ju lënë pa frymë. Në veri ndodhen Parqet Kombëtare të Thethit, Valbonës dhe Qarku i Kelmendit. “Bjeshkët e Nemuna”, të cilat janë vërtet spektakolare.

Në  këto zona mund të bësh kamping, ngjitje në mal, si dhe sporte të tjera. Vendet e kampingut janë në të gjitha zonat e vendit.  Në këto pika turistët mund të qëndrojnë me furgonët e tyre kamper ose të marrin me qira një tendë. Shqipëria karakterizohet nga lugina të shumta që janë shtëpia e lumenjve dhe përrenjve të mrekullueshëm, duke i bërë ato perfekte për sportet ujore, duke përfshirë rafting ose kajak.

Antonio një zotëri që vinte nga Italia për të disatën herë në Shqipëri, kishte vizituar Vlorën dhe pak Tiranën. “Tani kam ardhur për arsye shëndetësore, por verën e kaluar isha në Vlorë me familjen dhe kemi kaluar një eksperiencë të bukur, pasi unë dhe djali im provuam hedhjen me parashutë për herë të parë, vendasit ishin mikëpritës, çmimet ishin të përballueshme për ne dhe kaluam mirë”, tha ai.

Kushtet topografike dhe natyra e Shqipërisë ofrojnë shumë mundësi për të praktikuar hedhjen me parashutë dhe sporte të ngjashme. Vendi më popullor dhe më i mirë për këtë lloj sporti janë shpatet e Llogorasë, në jug të Shqipërisë.

Në Shqipëri, numri i turistëve është rritur nga viti në vit, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, në janar 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është rritur me 4,8 % karahasuar me një vit më parë. Këta turistë vijnë kryesisht nga vendet e rajonit, si Greqia, Mali i Zi, Italia,  por edhe nga vendet Evropiane si Gjermania, Spanja, Franca si dhe nga Anglia dhe SHBA-ja. Për të hyrë në Shqipëri mundësitë janë të shumta, mund të përdorni rrugët ajrore, detare dhe ato tokësore.

I pyetëm turistët e lartëpërmendur se çfarë ata nuk pëlqenin në Shqipëri, dhe përgjigjet e tyre ishin të ndryshme. Antonio na tha se për të shkruar ne Vlorë verën e kaluar kishte kaluar në Baypass-in e ri të Vlorës, i cili në atë kohë u hap përkohësisht dhe shqetësim për të kishte qenë se shumë të rinj i jepnin makinës jashtë normave të lejuara dhe askush nuk ishte aty për të parandaluar një aksident të mundshëm.

“Rruga e re që po ndërtohej ishte mjaft e mirë, edhe pse e papërfunduar sinjalistika ishte funksionale por nuk respektohej dhe nuk kishte policë ose radarë”, tha ai. “Shpresoj që këtë vit situata të jetë ndryshe”.

Stian na tha se në Shkodër nuk kishte diçka që nuk i pëlqente dhe nuk kishte pasur ndonjë shqetësim. Por tani që kishte ardhur në Tiranë, ishte hasur me një djalë i cili kishte tentuar të vidhte çantën bashkëshortes së tij, por fatmirësisht nuk kishin mundur.

“Nuk e kuptuam si ndodhi, djali po vinte drejt nesh qetësisht dhe për një moment i tërhoqi çantën, për fat të mirë çanta ishte lidhur pas karrocës së bebes sonë dhe nuk e mori dot”, tha ai. “Jam hasur edhe në vende të tjera më situata të tilla, ndaj nuk mendoj se nuk është vetëm problem i shqipëtarëve”.

Përsa i përket investimeve të bëra në fushën e turizmit, ato janë përqëndruar kryesisht në infrastrukturë, e cila ndryshoi krejtësisht qendrat e qyteteve nga veriu në jug, nga qytetet e mëdha deri tek ato të vogla, gjithashtu infrastruktura e energjisë elektrike, trajtimi i ujërave të ndotura, apo investimet e konsiderueshme me ujin e pijshëm të zonave tona turistike.

Një investim i bërë vitet e fundit në infrastrukturë është dhe Rruga e Arbrit, e cila lidh të gjitha qytetet me veriun, ku për më pak se dy orë mund të jesh në Dibër dhe të shijosh ujërat termale, luginat më të bukura të vendit e shumë bukuri të tjera.

Falë investimeve, që janë realizuar në Valbonë, falë traditës dhe historisë që ka lugina, është shënuar një hap i rëndësishëm në turizmin malor në Shqipëri. Valbona është një fshat turistik në veri të vendit, i cili vitet e fundit pas krijimit të bujtinave, hoteleve të vogla, është kthyer në një pikë mjaft tërheqësë dhe ka rritur interesin e shtetasve te huaj për të.

Qeveria shqiptare ka përcaktuar për Ministrinë e Turizmit dhe mjedisit për vitin 2022 një buxhet të konsiderueshëm për ekonominë shqipëtare. Gjithashtu edhe Fondi i Zhvillimit Shqiptar, me një fond relativisht të lartë, cili përpos detyrave të tjera ka programin “100 Fshatrat”, një program i cili ka realizuar dhe ka në planet e tij investimet dhe zhvillimin në zonat e paprekura rurale.

Shqipëria përpos vendeve që janë mjaft të njohura dhe preferohen shumë, ka edhe pika të pa eksploruara shumë, siç janë kanionet e Osumit, banjat termale të Përmetit, liqene si Bovilla, Komani, liqeni i Shkodrës, etj.

Gjatë një udhëtmi një tjetër shqetësim i një turisti është siguria. Sa të sigurtë do të jenë ata në udhëtimin e tyre, qëndrimi në hotelin e një vendi të panjohur apo shëtitjet natën vonë. Sophia na foli për eksperincën e saj të pushimeve në jug. Ajo u shpreh se hoteli ku po qëndronte ishte i vogël dhe kishte rojë dhe në dhomat e tyre nuk futej asnjë përveç tyre dhe sanitares një herë në ditë.

“Ne dilnim natën buzë detit, ishim një grup në fakt, por nuk patëm asnjë shqëtësim nga njerëz të tjerë, edhe në pary-t që shkonim kishte siguri dhe nuk kemi pasur problem”, përfundoi Sophia.

Nga veriu në jug Shqipëria ofron qytete të ndryshme, me plotë tradita, histori të bukura e dashuri të madhe për këdo. Mos harroni, “Perla e ballkanit” po pret të kryeni udhëtimin tuaj të radhës, ejani dhe kaloni një eksperiencë ndryshe dhe të bukur në Shqipëri!

Entela Çapo

Student
AUTHOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar