Shqipëri-Norvegji, ndeshja e lavdisë

Shqipëri-Norvegji, ndeshja e lavdisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit rikthehet sonte në “Qemal Stafa” ku do të përballet me norvegjezët e drejtuar nga Egil Olsen. Kjo ndeshje cilësohet si më e rëndësishmja për eliminatoret e botërorit “Brazil 2014”. Nëse e fiton këtë takim, Shqipëria i afrohet edhe më shumë kualifikimit, ndërsa nga ana tjetër norvegjezët nëse humbin duhet t’i fitojnë

Kombëtarja shqiptare e futbollit rikthehet sonte në “Qemal Stafa” ku do të përballet me norvegjezët e drejtuar nga Egil Olsen. Kjo ndeshje cilësohet si më e rëndësishmja për eliminatoret e botërorit “Brazil 2014”.

Nëse e fiton këtë takim, Shqipëria i afrohet edhe më shumë kualifikimit, ndërsa nga ana tjetër norvegjezët nëse humbin duhet t’i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura për të arritur kualifikimin ose zonën “play-off”, një mision i vështirë për ta. Ndeshjen e parë të luajtur në Oslo ekipi ynë triumfoi me një gol të shkodranit Hamdi Salihi.

Duke ditur rëndësinë e kësaj ndeshjeje për përfaqësuesen tonë, trajneri italian Xhani de Biazi, nuk kërkon të rrezikojë dhe ka menduar të mos bëjë lojë sulmuese, por ta godasë kundërshtarin me anë të kundërsulmeve, duke ndërtuar kështu një skuadër të fortë në mesfushë.

Ditën e djeshme tekniku kuqezi në seancën stërvitore ka vënë në zbatim disa skema të cilat i ka realizuar edhe në seancat stërvitore të mëparshme si dhe ka rënë në sy fakti që luante me një sulmues. Ai ka kërkuar një skuadër të shpejtë dhe të vëmendshme.

Si zakonisht, një ditë para ndeshjes trajneri i kombëtares De Biazi ka dalë në konferencë për shtyp nga rezidenca e kombëtares në Durrës dhe ka folur për ndeshjen. Duke parë interesimin e jashtëzakonshëm, De Biazi apelon për qetësi dhe përqendrim nga lojtarët6.

”Shqipëria ka bërë progres në lojën e saj, çka e tregon dhe pozicioni ynë në grup dhe renditja në FIFA. Shqipëria renditet e 38-ta në botë. Ne po ndjekim një ëndërr të bukur dhe të gjithë duam ta realizojmë atë, ajo që do të kërkoja nga të gjithë është që t’i mbështesim këta djem, sepse po bëjnë maksimumin. E di që tifozët do ta mbushin plot stadiumin dhe kjo është një armë plus për ne, por megjithatë ju kërkoj të gjithëve të jeni të duruar gjatë lojës sepse nuk do të jetë e lehtë. Natyrisht ndeshja kundër Norvegjisë është shumë e rëndësishme por jo decizive në rrugën drejt Brazilit”, ka thënë tekniku italian i përfaqësueses shqiptare.

Ai nuk ka vendosur ende se cilët do të jenë njëmbëdhjetë “shqiponjat” që do të hidhen në fushë kundër vikingëve. Cana, Lila, Curri, Meha dhe Roshi nuk do të luajnë për shkak dëmtimesh dhe kartonësh. Djemtë tanë të pyetur për ndeshjen që i pret para janë shprehur optimistë dhe mezi presin të dalin në fushë.

Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka, gjatë takimit të zhvilluar me futbollistët i ka premtuar atyre një premio për fitoren. Gjithashtu gjatë takimit me lojtarët e përfaqësueses e mori fjalën Ervin Bulku, i cili pritet të jetë kapiteni i ekipit në ndeshjen me Norvegjinë, si dhe ka premtuar se ne fushë do të japin qind për qind nga vetja e tyre.

“Qemal Stafa” pritet të tjetërsohet sonte dhe pritet të jetë një koreografi madhështore, pasi edhe Federata Shqiptare e Futbollit si asnjë herë më parë ka programuar një dekorim madhështor. Sipas informacioneve, janë përgatitur më shumë se dhjetë mijë flamuj të vegjël kuqezi dhe dy flamuj gjigantë me përmasa 100×40 metra që do të zënë hapësirën më të madhe të tribunës qendrore dhe asaj përballë.

Ndeshja luhet në orën 20:45 dhe në territorin e Shqipërisë do të transmetohet nga TVSH, si dhe nga paketa “Super Sport”.

/Klajdi Lleshi/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar