Shqipëri-Francë, histori përballjesh

0

Sfida e Elbasan Arenës do të jetë e pesta mes Shqipërisë dhe Francës, me bilancin që flet dukshëm në favor të 1 herë kampionëve të botës që kanë fituar katër nga pesë përballjet e mëparshme, por golin e Mërgim Mavrajt në sfidën e “Route de Lorient” vështirë se do ta harrojnë.

Shqipëria më 14 nëntor zhvilloi padyshim një prej takimeve më të mira të saj në gjithë historinë e kombëtares dhe barazimi 1-1 i marrë në shtëpinë e gjelave ishte konfirmimi i një skuadre gjithmonë në rritje. Gjithsesi interesant është fakti se francezët për ne janë projektuar si kundërshtarë në eliminatoret e një Europiani edhe pse këtë herë në grupin I Franca ngjendet si një skuadër, pikët ndaj së cilës nuk kanë vlerë për renditjen përfundimtare. Ndeshja e parë mes dy kombëtareve u luajt më 17 Nëntor 1990 në Qemal Stafa, me kuqezinjtë që humbën me rezultatin 1-0 pas një goli të Bolis, ndërkohë që me një kombëtare pothuajse të shpërbërë në Mars të vitit 1991 kuqezinjtë luanin në Parc de Prince ku mundeshin me rezultatin e thellë 5-0. Soze dhe Papin realizonin nga dy herë për ekipin që drejtohej nga Michel Platini ndërsa goli i pestë ishte në fakt një autogol i Zmijanit.

20 vjet më pas dy përfaqësueset përballeshin sërish në eliminatore këtë herë për Euro 2012. Në “Qemal Stafa” fitonin francezët 1-2 me gola të Benzemas dhe M’vila ndërsa Erjon Bogdani shënonte për Shqipërinë. Ndeshja e kthimit në “Stade de France” ishte sërish një humbje e thellë me rezultatin 3-0 pas finalizimeve të Malouda, Remy dhe Reveiller. Në total golavarazhi anon nga francezët 12-2, por barazimi i fundit në Rennes dhe rritja e kombëtares shqiptare në gjithë këtë periudhë mund të jetë ajo e duhura për të synuar një tjetër rezultat pozitiv ndaj francezëve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here