Shkurtime në administratën vendore, del vendimi

Brenda një muaji nga konstituimi i bashkive të reja, 61 kryebashkiakët duhet të miratojnë strukturën e re të punonjësve. Qeveria ka marrë dje vendimin që përcakton hapat që duhet të ndiqen pas zgjedhjeve të 21 Qershorit, me shkrirjen e njesive të tjera, duke vendosur në këtë mënyrë edhe fatin e punonjësve që mbeten pa punë

Brenda një muaji nga konstituimi i bashkive të reja, 61 kryebashkiakët duhet të miratojnë strukturën e re të punonjësve. Qeveria ka marrë dje vendimin që përcakton hapat që duhet të ndiqen pas zgjedhjeve të 21 Qershorit, me shkrirjen e njesive të tjera, duke vendosur në këtë mënyrë edhe fatin e punonjësve që mbeten pa punë si pasojë e reformës së re territorial që solli krijimin e bashkive. Procesi mbyllet për 5 muaj dhe 4 mijë punonjës të pushetit vendor janë në rrezik.

Vendimi për “Miratimin e procedurave për trasnferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, aktiveve të trupëzuara dhe të patrupëzuara, të arkivae dhe çdo dokumentacioni tjetër zyrtar në njesitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrative-territorial, shkruan Shqip, parashikon etapat që ndiqen për punonjësit e administratës vendore që janë me kontratë të ëprkohshme apo që gëzojnë statusin e nëpunësit civil.

VENDIMI PËR MIRATIMIN E PROCEDURAVE PËR TRANSFERIMIN E TË DREJTAVE DHE DETYRIMEVE, PERSONELIT, AKTIVEVE TË TRUPËZUARA DHE TË PATRUPËZUARA, TË ARKIVAVE DHE ÇDO DOKUMENTACIONI TJETËR ZYRTAR NË NJËSITË E QEVERISJES VENDORE, TË PREKURA NGA RIORGANIZIMI ADMINISTRATIVO-TERRITORIAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 70, të ligjit nr.30/2015, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Miratimin e procedurave për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, personelit, aktiveve të trupëzuara dhe të patrupëzuara, të arkivave dhe çdo dokumentacioni tjetër zyrtar në njësitë e qeverisjes vendore, të prekura nga riorganizimi administrativo-territorial.

KREU I
PËRKUFIZIME

Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:

1. “Bashki”, bashkitë e konstituuara pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, me juridiksion territorial sipas ndarjes administrativo-territoriale të përcaktuar me ligjin nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
2. “Njësi që shkrihet” (NJSH), njësi e qeverisjes vendore, komunë ose bashki, që me ligjin nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, është shkrirë.
3. “Grup i punës”, grupi i punës që ngrihet, sipas këtij vendimi, pranë çdo bashkie për të siguruar zbatimin e transferimit të të drejtave dhe detyrimeve.
4. “Pasqyrë financiare individuale”, pasqyrat financiare të njësive vendore ekzistuese përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2015, që përgatiten në formatin e përcaktuar me udhëzimet nr.14, datë 28.12.2006, nr.26, datë 27.12.2007, dhe nr.29, datë 24.12.2013, të ministrit të Financave.
5. “Pasqyra financiare të konsoliduara”, pasqyrat financiare të njësive të shkrira dhe ato të bashkisë, të paraqitura në një të vetme, sipas të njëjtit format me ato të pasqyrave financiare individuale.

KREU II
GRUPI I PUNËS PËR ZBATIMIN E PROCEDURAVE TË TRANSFERIMIT

1. Kryetari i bashkisë është personi përgjegjës për zbatimin e procedurave dhe detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi, ky vendim si dhe aktet nënligjore që do të dalin në zbatim të tij.
2. Për zbatimin e procedurave të transferimit ngrihet grupi i punës në çdo bashki. Grupi i punës ngrihet me urdhër të kryetarit të bashkisë, drejtohet nga nënkryetari i saj dhe ka në përbërje, të paktën, një përgjegjës finance, një jurist, një specialist të arkivës dhe një specialist të burimeve njerëzore.
3. Drejtuesi i grupit të punës raporton, në mënyrë periodike, te kryetari i bashkisë, për zbatimin e detyrave dhe problematikën në lidhje me transferimin.
4. Drejtuesi i grupit të punës bashkërendon punën dhe bashkëpunon me Agjencinë e Zbatimit të Reformës Territoriale. Kryetari i bashkisë informon me shkrim, në fund të çdo muaji, për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe problematikën e hasur gjatë procesit të transferimit, ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore.
5. Kryetari i NJSH-së, në zbatim të legjislacionit në fuqi, të këtij vendimi si dhe akteve nënligjore që do të dalin në zbatim të tij, detyrohet të bashkërendojë punën dhe të bashkëpunojë me kryetarin e bashkisë, grupin e punës dhe Agjencinë e Zbatimit të Reformës Territoriale për dorëzimin e detyrës dhe inventarëve përkatës.
6. Mospërmbushja e detyrimit për bashkëpunim dhe informim, në zbatim të këtij vendimi, përbën shkelje administrative.

KREU III
TRANSFERIMI I TË DREJTAVE DHE DETYRIMEVE

1. Bashkia është trashëgimtari ligjor i njësive të qeverisjes vendore që janë shkrirë në të. Bashkia, me konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive, merr përsipër të gjitha të drejtat dhe detyrimet ekonomike, financiare, sociale apo të tjera, të karakterit civil dhe administrativ, të njësive të qeverisjes vendore që janë shkrirë, përfshirë edhe të gjitha detyrimet që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë.
2. Me qëllim njehsimin e afateve të kontratave të shërbimit të të njëjtit lloj, bashkia, me përfundimin e kontratave të lidhura nga NJSH-të, në procedurat e reja të prokurimit nuk mund të tejkalojë afatet e kontratës ekzistuese më të gjatë. Në përfundim të afatit të kontratës ekzistuese më të gjatë, bashkia duhet të fillojë procedurat e prokurimit dhe të lidhjes së një kontrate të re, brenda juridiksionit territorial të saj.

KREU IV
TRANSFERIMI I PERSONELIT

Marrëdhëniet e punës ekzistuese, ndërmjet NJSH-ve dhe punonjësve të tyre, do të transferohen në bashki, në momentin e konstituimit të organeve të saj. Nga momenti i konstituimit deri në miratimin e strukturës administrative përfundimtare, bashkia është në proces ristrukturimi dhe operon me strukturë tranzitore, e cila miratohet nga kryetari i saj, brenda 1 muaji nga marrja e mandatit.

a) Për punonjësit me kontratë, që nuk janë nëpunës civilë, marrëdhënia e punës transferohet automatikisht. Nëse gjatë procesit të ristrukturimit punonjësve u shkurtohet vendi i punës apo, për shkak të kualifikimeve dhe kushteve të punës, nuk mund të përshtaten në strukturën provizore apo strukturën e re të bashkisë, atëherë atyre u ndërpritet marrëdhënia e punës, duke respektuar afatet dhe procedurat e njoftimit, sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës të Shqipërisë”, të ndryshuar.
b) Për punonjësit që mbulojnë pozicione të shërbimit civil, për të cilët është lëshuar, nga njësia e menaxhimit të burimeve njerëzore (njmbnj), akti i deklarimit të statusit të punësimit, sipas ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, kryhen procedurat e transferimit, të parashikuara në dispozitat e tij.
c) Për punonjësit që mbulojnë pozicione të shërbimit civil, por njmbnj-ja nuk është shprehur në lidhje me statusin e tyre të punësimit, sipas ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, njmbnj-ja e bashkisë merr funksionet e organit përgjegjës dhe shprehet në lidhje me statusin e tyre të punësimit.
ç) Brenda pesë muajve nga data e konstituimit të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive, bashkia duhet të ketë kryer procedurat, sipas pikës 1. Për të mundësuar transferimin dhe pozicionimin në kohë të personelit, sipas pikës 1, dosjet e personelit të NJSH-së duhet të depozitohen pranë bashkisë jo më vonë se një muaj nga momenti i konstituimit të organeve të saj. Ngarkohen personat përgjegjës për çështjet e personelit në NJSH-së për plotësimin e këtij detyrimi brenda afatit të përcaktuar.

KREU V
TRANSFERIMI I ARKIVAVE DHE DOKUMENTACIONIT

1. Bashkia është trashëgimtarja e ligjshme e NJSH-ve dhe është përgjegjësja e ardhshme për arkivat e këtyre njësive, për të vendosur për administrimin e mëtejshëm të dokumenteve. Përpara se të vendosë për transferimin e dokumentacionit të njësive të shkrira, bashkia duhet të sigurojë ambiente të përshtatshme. Arkivat e NJSH-ve nuk mund të bashkohen dhe përzihen me atë të bashkisë, pasi duhet të rrinë, qartësisht, të identifikueshme, si elemente arkivore të ndara.

2. NJSH-të, përpara datës së dorëzimit të dokumentacionit pranë bashkisë, duhet të kenë përfunduar përpunimin për dokumentacionin e viteve të mëparshme, përfshirë atë të vitit 2014. Përpunimi apo klasifikimi sipas fondeve duhet të kryhet në përputhje me normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë, të miratuara me vendimin nr.1, datë 16.1.2004, të Këshillit të Lartë të Arkivave, në mbështetje të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”. Në kryerjen e këtij procesi NJSH-të do të mbikëqyren nga arkivi shtetëror vendor përkatës.

3. Dokumentet arkivore, të sistemuara dhe inventarizuara sipas pikës 2, me mbarimin e afatit të shërbimit operativ pranë NJSH-së, do të dorëzohen për ruajtje dhe administrim pranë arkivave shtetërore vendore, sipas juridiksionit territorial përkatës. Në rast rreziku të dukshëm, dëmtimi a zhdukjeje fizike, arkivat shtetërore vendore mund të tërheqin për ruajtje dhe administrim edhe dokumente arkivore për të cilat nuk ka përfunduar afati ligjor i shërbimit operativ pranë NJSH-së. Dokumentet në ruajtje të përkohshme, për të cilat nuk ka përfunduar afati i ruajtjes, duhet të vazhdojnë të ruhen pranë NJSH-së deri në transferimin pranë bashkisë, pasi të jenë krijuar hapësirat e nevojshme. Për këtë, arkivat e NJSH-ve mund të vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas konstituimit të bashkisë, por, gjithsesi, për jo më shumë se 6 muaj nga ky moment.

4. Të gjitha dokumentet që janë prodhuar përpara datës 1 janar 2015, por që përmbajnë procedura që janë në vazhdim, si dhe ato të vitit 2015, dorëzohen me procesverbal, sipas regjistrit të korrespondencës, në bashki, për të siguruar vazhdimësinë e ndjekjes së veprimeve dhe procedurave të filluara pranë NJSH-së. Marrja, me procesverbal, bëhet jo më vonë se 2 muaj nga momenti i konstituimit të organeve të bashkisë, nëse kjo nuk sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në veprimtarinë dhe funksionet e kësaj të fundit.

5. Dorëzimi i dokumentacionit dhe arkivës bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat. Dorëzimi formal bëhet nëpërmjet një formati tip, që vendoset në dispozicion nga Arkivi i Shtetit.

6. Me transferimin pranë bashkisë, një kopje e arkivës ruhet edhe pranë NJSH-së, në përputhje me aktet ligjore në fuqi, në format shkresor ose të digjitalizuar.

KREU VI
TRANSFERIMI I PASURIVE DHE REGJISTRIMI I PASURIVE TË PALUAJTSHME

1. Bashkia është subjekti juridik që trashëgon të drejtat e pronësisë, të luajtshme dhe të paluajtshme, të NJSH-ve. Nga momenti i konstituimit të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive, ajo ushtron të drejtën e pronësisë, si dhe të drejta të tjera, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

2. Njsh-të duhet të plotësojnë dhe depozitojnë pranë bashkisë inventarin e të gjitha pronave të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi. Për pronat e paluajtshme, inventari duhet të përmbajë edhe informacionin për fazën e regjistrimit në të cilën ndodhen.

3. Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike, brenda datës 31.12.2015, duhet të dërgojë informacion të plotë, pranë çdo bashkie, në lidhje me pronat që janë transferuar ndër vite te NJSH-të.
4. Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme duhet të reflektojë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, sipas ligjit nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Në përfundim të regjistrimit të pronave, në emër të bashkisë, ZRPP-ja dërgon dokumentacionin e përditësuar pranë çdo bashkie, por jo më vonë se 1 vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

KREU VII
KONSOLIDIMI FINANCIAR

1. NJSH-të, brenda 2 muajve nga konstituimi i organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të bashkisë, duhet të dorëzojnë pasqyrat financiare që përfshijnë tërësinë e aktivitetit të tyre deri në datën e fundit të funksionimit.

2. Bashkia integron pasqyrat financiare të NJSH-ve me pasqyrat e veta dhe, në përfundim të vitit ushtrimor, përgatit bilancin e konsoliduar, duke përfunduar, kështu, bashkimin financiar të bashkisë.

3. Konsolidimi financiar bëhet sipas një metodologjie të unifikuar, me udhëzim të ministrit të Financave dhe ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.

KREU VIII
ÇËSHTJE TË TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT

1. Bashkia duhet të sigurojë infrastrukturën bazë të teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit elektronik për të garantuar shpërndarjen efiçente dhe të sigurtë të informacionit.

2. Për të garantuar ruajtjen e dokumenteve elektronike si edhe të bazës së të dhënave në formë digjitale, gjatë periudhës së transferimit, bashkia duhet të sigurojë infrastrukturën bazë për ruajtjen dhe rikuperimin e të dhënave në rast humbjeje.

3. Për të siguruar integritetin e informacionit dhe tërësinë e të dhënave apo dokumenteve që do të transferohen, bashkia duhet të zbatojë procedura për garantimin e sigurisë së informacionit gjatë procesit të transferimit.

KREU IX
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

1. Detajimi i procedurave të plotësimit të dokumentacionit, të kërkuara nga ky vendim, bëhet me udhëzim të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.

2. Ngarkohen bashkitë, NJSH-të, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Zbatimit të Reformës Territoriale, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike, Departamenti i Administratës Publike, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar