Shitjet ambulante, mes varfërisë dhe profesionit

0

Për t’i mbijetuar kushteve të vështira ekonomike shqiptarët kërkojnë mënyra të ndryshme për të mbijetuar. Shitjet ambulante janë një fenomen mjaft i përhapur në vendin tonë. Në të gjitha qytetet e Shqipërisë ekziston por ky shqetësim është bërë më i madh pasi është përhapur shumë në të gjithë rrugët më kryesore të kryeqytetit.

Mjafton që të kalosh rrugën “Don Bosko”, përgjatë Unazës apo rrugës drejt Medresesë dhe do të vërehet sa shqetësues është ky problem. Mënyrat e shitjes janë nga më të ndryshmet duke filluar nga shitësit e thjeshtë që tregtojnë çokollatat që ngrihen dhe shkrihen disa herë në ditë mes djellit dhe të ftohtin, paketat e cigareve e duke shkuar kështu deri tek tregtarët e rrobave.

Tregtarët ushqimorë janë një shqetësim akoma më i madh duke anashkaluar këtu zenien e trotuareve dhe prishjen e rendit por duke vënë në qendër shëndetin tonë. Kushdo që e quan veten tregtar mund të marrë një tezgë ose të vendosë arkat me fruta, perime, peshq, ullinj apo bylmetra të sajuar në mënyra të ndryshme dhe ti shesi ata në mes të diellit, acarit, shiut dhe pluhurit përkrah makinave dhe këmbësorëve.

“Mbledh gjatë javës gjizë, djath, gjalp, qumësht dhe çdo gjë që kam për të shitur dhe vij për t’i shitur këtu. Këto janë më të mira se ato që blihen në dyqan”, thotë një nga tregtaret.

Ata përdorin mënyra nga më të ndryshmet për t’ia servirur klientëve. “E kam bërë me dorën time”, ose “edhe pse i mbaj më lirë kam shitur pak”, shprehet një tjëtër.

Tregtarët qëllimisht i ekspozojnë produktet e tyre  në rrugët më të frekuentuara me qëllim që t’i reklamojnë ato sa më mirë dhe ne pavarësisht dijenisë se sa rreziqe na kanosen nga ato përsëri shkojmë tek ta. Numri i tyre po shtohet dukshëm, duke na bërë të mendojmë se varfëria i ka çuar deri në atë pikë duke thyer kështu edhe krenarinë.

/Irida Vata/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here