Nga: Ilda XHAFA “Në botën e fëmijëve, femrat nuk preken”. Atëherë ajo thotë: “Ejani të zhvendosemi të gjithë për në botën e fëmijëve. Ejani të shkojmë atje ku një vajzë 22-vjeçare nuk vritet nëse nuk përgjigjet në telefon. Të vrapojmë nga këtu ku femrat që guxojnë të refuzojnë e hanë plumbin në ballë. Të zhdukemi
Nga: Ilda XHAFA
“Në botën e fëmijëve, femrat nuk preken”. Atëherë ajo thotë: “Ejani të zhvendosemi të gjithë për në botën e fëmijëve. Ejani të shkojmë atje ku një vajzë 22-vjeçare nuk vritet nëse nuk përgjigjet në telefon. Të vrapojmë nga këtu ku femrat që guxojnë të refuzojnë e hanë plumbin në ballë. Të zhdukemi nga bota e ngacmimeve seksuale brenda vetë mureve të spitalit. Ejani të rendim drejt botës së fëmijëve – aty femrave nuk mund t’i gjuash as me lule.
Vetëm se është pak larg,,, është në Itali”.
Një faqe italiane në Facebook që quhet Fanpage.it pati idenë për të realizuar një video që të përcillte një mesazh të madh. Në fakt mesazhi për të cilin po flas nuk është i panjohur; atë se ku e kam dëgjuar njëherë.
E pra bëhet fjalë për atë thënien ku seç përmendet fjala “femër”. Mos i prekni femrat thonë. Femra pra, ajo “gjëja” që duan të na gënjejnë duke thënë se është e brishtë, delikate dhe se mbaj mend se çfarë tjetër.
Po unë e kam parë këtë “gjënë” dhe është shumë e ngjashme me “ne” njerëzit burrërorë. Vetëm se ka diçka ndryshe. Tek femra kam parë një dritë të madhe. Pastaj edhe kam ndjerë një ngrohtësi që guxon të depërtojë thellë, më duket sikur ka objektiv një vend aty rreth kraharorit. As në mes, as majtas. Diku aty seç ndjej se rreh diçka – herë fort e herë ngadalë. Se kam kuptuar kurrë seç është.
Po gjithsesi pak rëndësi ka kjo. Po flisja për këtë “gjënë”, femra më dukej se quhej. Edhe e lash tek pika më e rëndësishme. E urrej! Po po, e urrej! Pikërisht për këtë dritën që ka dhe që më vret sytë. Pikërisht për këtë ngrohtësinë që emëton edhe e vërsul drejt meje me forcë. Kur njeriu mësohet me të ftohtët, edhe ngrohtësia i duket sikur e djeg. Prandaj e urrej.
Në vendin tim, në Shqipëri këtë lloj “gjëje” e sheh kudo. Gjithandej. Po “ne” njerëzit burrërorë jemi mësuar tashmë. Jemi mësuar se kemi të drejtë të bëjmë ç’të duam me të. Ia lejojmë vetes çdo fjalë, çdo shikim, çdo veprim. Mund të vendosim dorën mbi të ku të duam, kur të duam, si të duam, sa herë të duam, për ç’do lloj arsye që të duam.
Femrat nga ana e tyre duhet të pranojnë prej nesh çfarë i serviret. Epo nuk kanë si bëjnë ndryshe, se nëse guxojnë ne mund t’i zhdukim fare nga kjo botë thjesht me një plumb ballit.
Ka disa njerëz që janë më zemërmirë (dhe sa për mua kot e kanë) të cilët nuk ia japin plumbin menjëherë. Këto sillen aq mirë me femrën, saqë kur ato bëjnë diçka që nuk duhet, zemërmirët thjesht i rrahin ose i nxijnë. Po në fund pastaj u soset edhe atyre durimi dhe detyrohen të marrin kallashnikovin e t’i japin fund njëherë e mirë.
Një ditë pash në facebook një video të çuditshme. Videon e kishin bërë në Itali. Kam dëgjuar se andej njerëzimin burrëror mund ta pushtojë ky lloji që quhet femër. Vetë e kanë fajin; kur i kërkuan autonomi femrat ato ia dhanë.
I besova me të vërtetë fjalët që kisha dëgjuar për Italinë me të parë videon. Në video disa fëmijë filluan t’i flisnin “gjërave”. Femrave domethënë. Jo vetëm kaq por seç bënë një veprim që më çuditi shumë. Ata ngritën dorën drejt tyre, por jo me forcë. Thjesht ia kaluan ngadalë dhe pa i vrarë. Se kuptova çfarë ishte ajo dorë, por më ngjalli neveri.
Kur erdhi pjesa më emocionuese e videos, pjesa e dorës që vret, që nxin, që sakaton aty u lemerisa. Asnjëri prej tyre nuk e lëvizi dorën.
“Sepse unë jam burrë, unë nuk i gjuaj femrave”, tha njëri prej tyre.
“Sepse në botën e fëmijëve femrat nuk preken”, u hodh tjetri.
Këto ç’ka thanë, këto marrëzira s’janë dëgjuar ndonjëherë nga ne shqiptarët. Në Itali njerëzit burrërorë duket që nuk e dinë çdo të thotë burrë. Ndërsa sa për këtë botën e fëmijëve që thanë, për mua rëndësi ka që “ne” në Shqipëri i kemi edukuar mirë fëmijët tanë që t’i zhdëpin, t’i sakatojnë madje edhe t’i vrasin femrat nëse ato ngrenë krye.
Ajo që më drodhi ishte se vura re që kur flisnin për “gjënë”, domethënë për femrën, flisnin sikur ato të ishin njerëz sikurse “ne”.
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *