Sadiku në gjusht kuqezi

0

Pak javë më parë, Loret Sadiku pat deklaruar se nuk do t’i thoshte jo një ftese nga Suedia, duke qenë se këta të fundit kanë pasur vazhdimisht kontakte me lojtarin dhe familjen e tij, mirëpo gjërat kanë ndryshuar.

Qendërmbrojtësi 22-vjeçar i pat dhënë fjalën dy muaj më parë menaxherit të përfaqësueses, Alban Bushi, se do të luante për Shqipërinë. Bushi kishte udhëtuar enkas në Suedi dhe e kishte parë nga afër futbollistin. Mes tyre ishte arritur një marrëveshje verbale dhe pritej vetëm miratimi i FSHF-së dhe i De Biazit. U bënë gati edhe dokumentet për të nisur procedurat për pasaportë shqiptare.

Sapo Federata Suedeze e Futbollit u vë në dijeni të kontakteve mes lojtarit dhe federatës shqiptare, nisi “presionin” kundrejt Sadikut. Në disa raste duke e joshur me të mira dhe duke i premtuar se do të luante me Kombëtaren A të Suedisë. Në disa raste të tjera, duke ushtruar presion për pasaportën suedeze.

Kujtojmë që Sadiku ka zhvilluar tri ndeshje me përfaqësuesen U-21 të Suedisë dhe gëzon një reputacion të mirë në kampionatin e këtij vendi. Federata vendëse ndërkohë nuk dëshironte të privohej nga një lojtar me të ardhme dhe ka bërë çmos që gjatë kësaj kohe Sadiku të ndërpresë marrëdhëniet me Shqipërinë.

Burime pranë FSHF-së pohuan se lojtari gjithsesi nuk ka hequr dorë, pasi me shumë gjasë do të grumbullohet për miqësoren me Armeninë më 14 gusht. Sadiku mund të konsiderohet një alternativë e vlefshme në repartin e mbrojtjes.

Momentalisht aty luajnë titullarë të padiskutueshëm si Cana me Mavrajn dhe të gatshëm kanë qenë Osmani, Teli, Curri dhe Ilir Berisha, por Sadiku do të ishte gjithashtu një mundësi zgjedhjeje shumë cilësore për De Biazin. Ky i fundit u tregua diplomat kur u pyet nëse Sadiku mund të luante me Suedinë pas presionit që po i ushtronin, por trajneri italian deklaroi se lojtarit i duhej lënë kohë.

Ndërkohë, lojtari është edhe ndër më të kërkuarit në merkato. Para disa ditësh, skuadra turke e Rizesporit pat bërë një ofertë, e cila u refuzua nga Helsingborgu. Por pardje, drejtuesit e klubit turk e kanë rritur ndjeshëm ofertën si karshi klubit suedez dhe ndaj lojtarit, çka mund të çojë në një kalim të Sadikut në kampionatin turk.  Shkruan Panorama Sport.

/Ariglon Pali/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here