Rusi, të rinjtë mes mundjes dhe terrorizmit

Rusi, të rinjtë mes mundjes dhe terrorizmit

Shkollat shumë të frekuentuara të mundjes në qytetin Khasavyurt në Dagestan kanë një traditë të pasur me kampionë olimpikë. Por qendra e botës së mundjes në Rusi gjithashtu gjendet në zonën ku veprojnë kryengritës islamikë të Kaukazit të Veriut të interesuar për të tërhequr rekrutë të rinj e atletë. Në shtator, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do

Shkollat shumë të frekuentuara të mundjes në qytetin Khasavyurt në Dagestan kanë një traditë të pasur me kampionë olimpikë. Por qendra e botës së mundjes në Rusi gjithashtu gjendet në zonën ku veprojnë kryengritës islamikë të Kaukazit të Veriut të interesuar për të tërhequr rekrutë të rinj e atletë. Në shtator, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të votojë për të ardhmen e mundjes si një sport olimpik. Austin Malloy i Zërit të Amerikës vizitoi disa nga shkollat më të mira të mundjes në qytet, për të parë se si kjo votë do të ndikojë në jetën e mijëra të rinjve që ëndrrojnë famë olimpike.

Nuk ka asnjë vend për zbavitje në shkollën përgatitore olimpike Irbaikhanov në kryeqytetin e mundjes së Rusisë, Khasavyurt, në republikën e Dagestanit. Këta djem të rinj janë të vendosur të rriten duke u bërë kampionë olimpikë. Por ëndrrat e tyre olimpike, po përballen me shanse gjithnjë e më të vogla për t’u realizuar. Në shtator, në Argjentinë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të votojë për të vendosur nëse mundja do të vazhdojë të jetë në listën e sporteve olimpike në vitin 2020.

Por kjo nuk është beteja e vetme që i pret këta ëndërrimtarë olimpikë. Kur këta djem të vegjël të rriten ata do të përballen edhe me një tjetër lloj problemi. Në këtë rajon të trazuar, militantë islamikë rekrutojnë vazhdimisht atletë në gjendje të mirë fizike për t’u bashkuar me kryengritjen në Kaukazin e Veriut.

Regjimi i rreptë i trajnimit, i mbështetur kryesisht nga fonde të Kremlinit, ka prodhuar një traditë të pasur kampionësh olimpikë. Mundësit nga Khasavyurti, një qytet me rreth 133 mijë banorë, kanë fituar tetë medalje të arta në katër Lojërat e fundit Olimpike. Por në një tjetër shkollë mundjeje aty pranë, Zaur Bataev, kampion evropian dhe ish nxënës i shkollës Irbaikhanov, shqetësohet rreth ndikimit të mundshëm financiar dhe pasojave të ashpra që mund të ketë nëse ky sport hiqet nga Lojërat Olimpike.

“Nëse mundja hiqet nga Lojërat Olimpike, kjo do të ndalte shumë financime dhe në disa vende do të kishim mbyllje të shkollave. Nëse ne mbyllim të gjitha palestrat e mundjes dhe të rinjve u thuhet se sporti i tyre nuk do të jetë më pjesë e Olimpikeve, kjo do të rriste banditizmin, do të shtohej krimi, do të shtoheshin të gjitha gjërat negative të kësaj natyre.”

Por Ruslan Gereev, drejtor i Qendrës së Kërkimeve Islamike për Kaukazin Verior, thotë se numri i atletëve që ekstremistët islamikë përpiqen të tërheqin prej palestrave në Khasavyurt është në rënie.

“Çdo atlet që bashkohet me rebelët e armatosur është një humbje për shtetin. Por nëse krahasojmë situatën në Khasavyurt tani me atë të një viti apo dy viteve më parë, duhet thënë se atëherë kishte shumë sulme terroriste dhe luftëtarë rebelë.”

Por qëndrueshmëria afatgjatë në këtë rajon të Rusisë mund të jetë e vështirë për t’u parashikuar. Për momentin, shkollat e mundjes në Khasavyurt vazhdojnë të zënë një pjesë të madhe të kohës për mijëra të rinj energjikë dhe me ëndrra për famë olimpike. Por e ardhmja e mundjes në Khasavyurt dhe Kaukazin Verior të Rusisë mund të varet nga e ardhmja e mundjes si një sport olimpik.
/Borana Belegu/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar