Ajo e hënë nuk ishte një ditë ndryshe nga të tjerat as prej të ftohtit, sepse ai është i natyrshëm për stinën në të cilën jemi, as prej ndonjë feste kombëtare. Por njerëzit prapëseprapë, e patën të vështirë të mbërrinin në punë dhe shkollë në orar, për arsye se shoqëritë e transportit publik në kryeqytet
Ajo e hënë nuk ishte një ditë ndryshe nga të tjerat as prej të ftohtit, sepse ai është i natyrshëm për stinën në të cilën jemi, as prej ndonjë feste kombëtare. Por njerëzit prapëseprapë, e patën të vështirë të mbërrinin në punë dhe shkollë në orar, për arsye se shoqëritë e transportit publik në kryeqytet protestuan me kërkesën për rritje të çmimit të biletave.
Kështu Ina, studente stomatologjie në vit te tretë, nuk ishte e vetmja që i humbi dy orët e para të mësimit për këtë shkak. Ajo thotë se, u nis nga shtëpia e saj në kombinat në orën shtatë, por mundi të arrinte në leksion vetëm pas orës nëntë. Ndërkohë që dhjetëra gjimnazistë të tjerë u detyruan të përshkojnë në këmbë distanca edhe prej 14 stacionesh për të shkuar në mësim. E njëjta gjë ndodhi edhe me nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Eni, 13 vjeç, eci të hënën nga Dogana deri te Treshi (tre stacione larg Casa Italias) për të shkuar në shkollën e saj.
Një situatë e tillë do të jetë e përditshme nëse bileta e urbanit shkon në 70 lekë, apo edhe pak më pak se kaq. Dyfishimi i vlerës aktuale prej 30 lekësh, apo edhe tejkalimi i dyfishit, siç edhe është kërkuar prej shoqërive të transportit brendaqytetas, do t’i rëndonte xhepat e qytetarëve më shumë seç mendojnë qeveritarët. Prandaj edhe kjo rritje që vjen si pasojë e rritjes së akcizës dhe çmimit të naftës, është në qendër të diskutimeve të këtyre ditëve.
Kush ka udhëtuar qoftë edhe vetëm një herë me urban e di se, pavarësisht numrit të madh të udhëtarëve në ta, nuk dallohen shumë persona mbipeshë apo obezë. Ateherë, kryeministri ynë që mendon se obezët janë të tillë ngaqë përdorin transportin publik, ndoshta nuk ka udhëtuar shumë në këtë mënyrë.
Me sa duket, pavarësisht dëshirës së mirë për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve, politikanët tanë kanë harruar një ‘detaj të vogël’. Transportin publik e përdor më së shumti ajo pjesë e shoqërisë që nuk ka një alternativë tjetër: të moshuar, punëtorë të thjeshtë e shkollarë. Në një kryeqytet si ky i yni, ku shkollat publike nuk ofrojnë transport të posaçëm, ku nxënësit e periferive detyrohen t’i drejtohen qendrës për një shkollim më cilësor dhe ku shërbimet spitalore ndodhen të përqëndruara vetëm në zona të caktuara, përdorimi i urbanëve është një domosdoshmëri.
Nuk duhet harruar që më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare në punë, paguhet ‘de juro’ deri në 30 000 lekë, kurse ‘de facto’ deri në 20 000 lekë. Dhe për një familje me të ardhura të tilla, përballimi i tre-katër aboneve madje, krahas nevojave të tjera, është i pamundur.
Një rritje e tillë e çmimit të biletës do t’i drejtojë fëmijët drejt rrugëve të pasigurta, dimrit të ftohta dhe verës të nxehta; kurse të moshuarit do t’i kufizojë brenda shtëpive të tyre, pasi këto janë grupmoshat që më shumë e përdorin transportin publik dhe më pak kanë mundësi për të ecur.
/Romina Qama/
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *