Rikthimi i Partizanit të lavdishëm

Në Shqipëri nuk luhet futboll! Shpeshherë jemi mësuar ta dëgjojmë këtë frazë nga gazetat e huaja, por edhe nga ato shqiptare. Të gjithë e pranojmë qoftë si sportdashës apo edhe ata që nuk janë të pasionuar pas futbollit, se një vend i vogël si Shqipëria nuk e ka mundësinë për të pasur një futboll konkurrues

Në Shqipëri nuk luhet futboll! Shpeshherë jemi mësuar ta dëgjojmë këtë frazë nga gazetat e huaja, por edhe nga ato shqiptare. Të gjithë e pranojmë qoftë si sportdashës apo edhe ata që nuk janë të pasionuar pas futbollit, se një vend i vogël si Shqipëria nuk e ka mundësinë për të pasur një futboll konkurrues në arenën ndërkombëtare. Kjo e vërtetë e hidhur vjen si rezultat i një politike që ndiqet ndaj futbollit, një infrastrukturë e dobët, një vend i vogël si Shqipëria  nuk ka potencialin e duhur ekonomik për të investuar në futboll, krahasuar me vendet e tjera evropiane.

“Zërave të hidhur” mund tu përgjigjemi se shqiptarët e dashurojnë futbollin e tyre. Ajo çka e bën futbollin cilësor në radhë të parë është  tifozeria dhe mbështetja që njerëzit i japin futbollit, dhe në vendin tonë tifozëria e zjarrtë nuk ka munguar.

Ky fakt vërtetohet më së miri nga mbështetja e pakursyer që ka siguruar një ndër ekipet më me histori në futbollin shqiptar, Partizani. Klubi “i kuq” mendohet se ka mbështetjen më të madhe të tifozëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat shqiptare, sidomos në  Maqedoni dhe Kosovë.

Ekipi i Partizanit është krijuar më 4 shkurt të vitit 1946, një ndër skuadrat më me shumë histori në futbollin shqiptar. Deri tani, skuadra që u themelua nga Ministria e Mbrojtjes numëron 15 tituj kampionë, 15 kupa Shqipërie, një superkupë dhe një kampionat Ballkanik.

Partizani hidhëroi zemrat e miliona sportdashësve Shqiptarë në sezonin 2007-2008, ku ra në Kategorinë e Parë për shkak të problemeve financiare. Tragjedia e “Demave të kuq” u pasua edhe me probleme të tjera. Tashme ekipi kryeqytetas u rikthye sërish në Superligë dhe renditet në vendin e 4-t. Padyshim që ky rikthim i këtij klubi më një histori shumë të pasur përveç se ka gëzuar gjithë zemrat e futbolldashësve, gjithashtu ka krijuar dhe shumë pikëpyetje për vazhdimin e historisë të “Demave të kuq”.

Në një intervistë ekskluzive për “Objektiv.al” me drejtorin sportiv të klubit, z. Eduard Prodani, na ka bërë me dije rreth objektivave dhe politikave që do të ndjekë klubi. Sipas z. Prodani,  objektivi i Partizanit është të rikthehet si klub jo si skuadër, sepse e rëndësishme është të kesh një klub të mirëorganizuar, sepse klubi ta siguron një skuadër të mirë apo një paraqitje të mirë sportive, ndërsa një skuadër e mirë nuk ta siguron dot një klub të mirë.

“Renditja në zonën e kupave të Europës ishte një tjetër synim i joni, por një skuadër me një histori si Partizani nuk mund të reshtë së synuari titullin kampion, edhe pse është në një situatë të tillë që vjen nga një kategori inferiore. Partizani është rikthyer në Superligë me një dëshirë të madhe për t’iu rikthyer triumfeve apo trofeve edhe për të kënaqur zemrat e mijërave tifozësh që asnjëherë si kanë lënë vetëm ‘Demat e Shqipërisë’ edhe në momentet më të këqija”, shprehet z. Prodani.

Ai shton se Partizani pikë së pari  synon formimin e një klubi në modelet më të avancuara sot bashkëkohore, në përputhje me kushtet e një vendi ku futbolli nuk është shumë modern le të themi si Shqipëria.

Një tjetër pikë e cila ka tërhequr vëmëndjen e gjithë sportdashësve shqiptarë ishte dhe humbja e Partizanit në derbi kundër Tiranës, ku “demat” u mposhtën me rezultatin 1-0. Zëra të shumtë pohonin se ndeshja ishte e shitur nga klubi, por drejtori sportiv i klubit shprehet se një humbje e tillë përballë Tiranës është normale.

“Humbja përballë Tiranës sigurisht që ishte një disfatë  me te vërtete me pasoja negative në ecurinë e skuadrës në Superligë, por ishte një humbje si gjithë të tjerat. U krijuan disa insinuate nga tifozët e Partizanit, ku sipas tyre, ishin hapur fjalë se Partizani do të toleronte ndeshjen  ndaj Tiranës dhe që kishte rënë dakord me FSHF-në, në mënyrë që Tirana të mos binte nga Superliga. Natyrisht që kjo nuk është e vërtetë dhe tifozët nuk kanë argumenta për këtë. Ne u përpoqëm  ta argumentonim këtë, por me kalimin e kohës besoj se tifozët do ta kuptojnë të vërtetën Tifozeri do te thotë pasion dhe Partizani  është një klub zemre, është një klub që ka tifozë dhe nga Shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës”, shton z. Prodani.

Ndërkohë, vetë tifozët nuk janë aspak dakord me deklaratën e zotit Prodani, pasi anëtarët e grupit të tifozave janë informuar nga brenda klubit për ndeshjen e cila do të ishte në favor të Tiranës.

Në një intervistë ekskluzive marrë dy “kapove” të grupit të tifozërisë së ekipit të Partizanit nga “Objektiv.al”, Algert Qyra dhe Erald Vata, të cilët janë dhe krijuesit e grupit të tifozave të Partizanit të njohur me emrin “Guerrils”, thonë se derbi me Tiranën ishte i paracaktuar.

“Pavarësisht informimit nga brenda klubit, ne prisnim vetëm përfundimin e ndeshjes për të provuar të vërtetën, dhe gjithçka doli e tillë. U pa një ekip i lodhur i lodhur, një Mazrekaj i lodhur, i cili qëndronte gjatë gjithë kohës në mbrojtje. Një ekip i humbur, i cili ra direkt në sy. Pavarësisht kërkesave tona dhe thirrjeve, klubi na u përgjigj në një mënyrë të ashpër dukë na thënë që në jemi tifozë interesi. Për t’iu përgjigjur drejtuesve të klubit shumë mirë mund t’ju tregoj për gjendjen e ekipit kur ishte në Kategorine e Parë. Ishim vetëm 50 tifozë që bënim qindra kilometra rrugë në çdo qytet apo qyteze ku luante Partizani. Ne ishim mbrapa, ne sakrifikonim familjen, punën, shkollën, vetëm për të mbështetur ekipin tonë të zemrës. Paguanim dhe para nga xhepi ynë dhe për lojtarët, të cilët duhen falënderuar sepse luajtën një sezon pa u paguar. Të gjitha këto nuk tregojnë asnjë interes, por një dashuri të çmendur për Partizanin tonë”, shprehen ata.

Grupi ”Guerrils” është formuar në vitin 2008 nga bashkimi i dy tifogrupeve, “Ultras Komandos” dhe “Brigade e Kuqe”, për t’u formuar grupi “Guerrils” që nënkupton luftëtarin. Qyra dhe Vata theksojuni se të tillë ishin edhe në finalen e Kategorisë së Parë kundër Tërbunit, ku në stadiumin “Selman Stermasi” ishin rreth 4000 tifozë, gjë e cila nuk ndodhte as në Kategorinë Superiore. Numri i të antarsuarve në këtë tifogrup arrin mbi 800, ndërsa 250 tifozë  janë gjithmonë prezent në transferta, ndërsa së bashku numri i tifozave që ndjekin çdo javë Partizanin arrin deri në 4500.

/Laogert Qosja & Klajdi Lleshi/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar