Rënia e inflacionit mund të ndikojë negativisht tek bizneset

0

Rënia e inflacionit në muajin dhjetor ka ardhur e ndikuar edhe nga niveli i inflacionit në Eurozonë, pasi Shqipëria importon rreth 50% të mallrave nga këto vende.

Ekspertët e ekonomisë thonë se paketa fiskale, në të cilën parashikohet rritja e akcizës për disa mallra do të ndikojë në mbajtjen në nivelet e përcaktuara të inflacionit gjatë vitit 2015. Sipas ekspertëve të ekonomisë, inflacioni nuk do të jetë problem në 2015, sepse në paketën fiskale u rritën akcizat e disa mallrave, të cilat ose do të frenojnë rënien e çmimit të karburantit, ose do rrisin çmimet e disa mallrave që qytetarët konsumojnë. Kjo sipas tyre, do të sjellë efekte rritjeje në çmimet e shportës, duke mbajtur inflacionin në nivelet 2-4 % të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

INSTAT raportoi sot se Indeksi i Çmimeve të Konsumit në dhjetor në Shqipëri ishte 0.7%, niveli më i ulët i vitit dhe më poshtë se objektivi i Bankës së Shqipërisë prej 2-4%. Një vit më parë, referuar statistikave të INSTAT-it ky ndryshim ishte 1,9 %.
Rënia e inflacionit tregon një rritje të dobët ekonomike si dhe konsum të ulët.

Por ekspertët thonë se rënia e inflacionit ka ardhur e ndikuar edhe nga niveli i inflacionit në Eurozonë, pasi Shqipëria importon rreth 50% të mallrave. Rënia e çmimeve, ose deflacioni konsiderohet po aq i rrezikshëm për ekonominë sa edhe inflacioni i lartë. Rënia e çmimeve, për shkak të rënies së konsumit krijon një efekt zinxhir negativ në të gjitha zhvillimet ekonomike. Çmimet më të ulta janë të ardhura më të ulta për bizneset, të cilat më vonë përkthehen në investime më të ulta. Nëse kjo rënie çmimesh vijon për një kohë të gjatë ndikon në rritjen e papunësisë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here