Rama: Reforma e pensioneve, prek moshën nën 40-vjeç

Kryeminstri Edi Rama i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut deklaroi se qeveria është duke përgatitur disa reforma, për penisonet, heqjen e tavanit dhe liberalizmin e kontributeve, të propozuar parprakisht nga Fondit Monetar Ndërkombëtar. Gjithashtu ai pranoi se ka marrë një letër nga Presidenti i SHBA-së Barak Obama, mënjëherë pas refuzimit të qeverisë shqiptare

Kryeminstri Edi Rama i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut deklaroi se qeveria është duke përgatitur disa reforma, për penisonet, heqjen e tavanit dhe liberalizmin e kontributeve, të propozuar parprakisht nga Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Gjithashtu ai pranoi se ka marrë një letër nga Presidenti i SHBA-së Barak Obama, mënjëherë pas refuzimit të qeverisë shqiptare për armët kimike.

Rama theksoi se “Ta kenë shumë të qartë se reforma e pensioneve do të afektojë ato që janë sot 40 vjeç e poshtë. Në të dyja opsionet, reforma do të shtrihet në kohë dhe është për të shpëtuar vendin e gjeneratës tjetër.”

A keni dështuar ju, dhe a keni krijuar një problem mes Shqipërisë dhe SHBA-së pas rastit të armëve kimike?

Jo, që t’i biem shkurt.

Pse nuk vutë në dijeni institucionet më të rëndësishme të këtij vendi, Presidentin, kryetarin e Kuvendit?

E kam vënë në dijeni kryetarin e Parlamentit që në momentin e parë dhe kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me të.

Si shpjegohet që kryetari i Kuvendit doli kundër atëherë?

Kryetari i Parlamentit nuk ka dalë kundër në asnjë moment, por ka shprehur ekzaktësisht qëndrimin që unë bisedoja me palën tjetër e çfarë kam shprehur gjatë gjithë bisedimeve.

Kryetari i Parlamentit ka thënë që nuk i dinte të gjitha detajet që lidheshin me këtë operacion…

Kryetari i Parlamentit ishte i informuar dhe sigurisht kur flasim për të gjitha detajet, detajet teknike ishin pjesë e grupit teknik dhe nuk ishin detaje që i dija dhe unë të gjitha.

Ishte një refuzim që erdhi nga protesta e qytetarëve, apo ishte një dështim nga rakordimi me SHBA-në?

Unë e kam thënë që s’ka pasur asnjë ekuivok në atë që kam thënë unë. Unë kam thënë pse e kam bërë dhe e kam bërë për atë që kam thënë. Vetmia e Shqipërisë në këtë operacion e bënte të pamundur për Shqipërinë që ta mbante këtë barrë dhe kjo ishte pika që unë dhe ne ishim në sintoni me protestuesit, në pikat e tjera nuk kemi qenë në sintoni me protestuesit. Nëse kjo pika do ishte kapërcyer, vendimi do ishte ndryshe.

Pavarësisht protestave?

Sepse do të kishim të tjera argumente për të shpjeguar dhe njerëzit do të kishin dy pamje dhe do kishin kuptuar që nuk bëhej fjalë për sulm të Assadit mbi Shqipërinë, por për pjesëmarrjen e Shqipërisë në një aksion humanitar fantastik.

A është e vërtetë që në sirtarët gjendet e papublikuar një letër e Obamës?

Unë nuk publikoj letra dhe foto për të bërë propagandë. Unë kam marrë një letër nga Presidenti i SHBA-së dhe nuk e kam parë të arsyeshme ta publikoj në ato momente kur letra do të lexohej si një përpjekje për t’i thënë publikut një mesazh, që nuk ishte një mesazh që publiku dëshironte.

Ku konstaton letra?

Letra është një letër shumë normale, nuk ka asnjë opinion, por unë nuk doja që në atë tollovi antiamerikanizmi që u shfaq me forcën brutale të një opozite tërësisht të çakërdisur të përfshihej dhe letra e presidentit të SHBA-së.

A ka lënë hije Jo-ja në marrëdhëniet me SHBA-në?

Nuk ka lënë asnjë hije dhe unë nuk dua ta zgjas më tutje këtë sepse këto janë të gjitha spekulime. Marrëdhëniet me SHBA-në janë marrëdhënie të shkëlqyera, janë marrëdhënie reciprociteti. Marrëdhëniet janë të atilla që edhe ky rast tregon se kanë një natyrë preferenciale të dyanshme.

Shtypi nënvizoi faktin që gjatë vizitës së Jonatan Moore, takimi juaj ishte mjaft i shkurtër dhe ju nuk dolët me një njoftim shtypi…

…Unë nuk mendoj që ne duhet të bëjmë njoftime shtypi për çdo takim.

Jeni kryetar partie pa mandat…

Faleminderit për freskimin e kujtesës. Më lejoni t’ua zgjeroj kulturën politike që ju nuk keni arsye që ta keni të gjerë. Në partitë politike që bazohen në parimin “një anëtar-një votë”, ku kryeministri është në të njëjtën kohë dhe kryetar partie ose kryetari i partisë bëhet kryeministër, kur fitohen zgjedhjet nuk ka zgjedhje sipas parimit “një anëtar, një votë”, por ka konfirmim të mandatit të kryetarit të partisë si kryeministër i vendit.

Automatikisht?

Ka konfirmim nëpërmjet një metode që shkon përmes kongresit apo forumeve të tjera sipas rastit. Të gjitha partitë që kanë këtë formulë nuk kanë zgjedhje sipas parimit “një anëtar- një votë”.

Mospërfshirja e Blushit dhe e Majkos në qeveri?

PS e ka qeverinë e vet dhe 100 ditët kanë treguar se kemi qeverinë e duhur…

Si janë raportet me Blushin?

Nuk ka ndonjë gjë specifike…Raportet e mia janë më se normale dhe jemi miq dhe kaq.

Qeverisja me Metën?

Është koalicion që ka dy parti dhe një forcë, dhe sigurisht që unë nuk ndjej asnjëlloj problemi ku thuhet se ky është koalicion bashkëkryetarësh…

A ka marrëveshje për Metën për president në 2017?

Nuk funksionon kështu marrëdhënia.

A është diskutuar çështja?

Nuk është diskutuar

A do të ftohet PDIU dhe, a ka tratativa për përfshirjen e saj në qeverisje?

Ne jemi të hapur që të bashkohen me ne në Kuvend dhe të votojnë për reformat tona jo vetëm partitë e vogla, por edhe PD-ja.

Në qeverisje dhe jo thjesht në Kuvend?

Kjo varet nga vullneti i forcave të tjera, i deputetëve…por ne jemi të hapur.

Krenaria juaj personale për 100 ditët?

Rikthimi i erës së shtetit

Cili është dështimi më i madh i juaji në këto 100 ditë?

Nuk ka asnjë dështim.

Thatë që keni ulur taksën për 97 % të atyre që paguan. Sipas llogarisë, 56 % paguhen më pak se 300 mijë lekë, pra nuk tatohen si më parë…

Këtë e kam dëgjuar nga opozita në komisionin e Ekonomisë. 30-mijëshi me tatim 0 ishte propozimi ynë në fund të vitit të kaluar, u mor dhe u adoptua nga qeveria e kaluar. Padrejtësia në atë kopjim ishte se ndërkohë që ai që kishte 300 mijë, paguante zero, ai që merrte 301 mijë, paguante direkt 10 %.

Ata 56 % që paguhen 300 mijë lekë, do paguajnë 2.7 % më shumë për inflacionin, do paguajnë më shumë çmime. Kjo paketë i ka varfëruar shqiptarët?

Këta që kanë rrogën 300 mijë lekë nuk shfrytëzojnë rrugën me automjetet e tyre. Në çmimet që thoni ju, në rritjen e çmimit të naftës ka element abuziv dhe ne po merremi me të. Është rritje që nuk përkon me rritjen e parashikuar që ishte me impakt thuajse 0. Sa i përket cigareve, rritja e vetëdijshme për të dekurajuar konsumin e cigares. Unë nuk mund ta pranoj që sot të dëgjohet një opozitë se kjo është luftë me dashamirësit e duhanit, kjo është luftë në shkallë botërore.

Kur bëtë paketën fiskale keni menduar se investitorët kanë bërë plane afatgjata dhe rritja e taksave mund të cenojë biznesin e tyre?

Jemi menduar shumë, por thamë që do e bëjmë këtë që ata të rrinë dhe të tjerë të vijnë pas tyre. 15 % është ulje dhe jo rritje se kanë paguar 10 % për shtetin, por shumë më tepër jo për shtetin. Ne kemi nxjerrë një mesatare të pranuar dhe nga ata vetë edhe pse jo para kamerave. Tatim-fitimi ka qenë 10 % dhe harxhi i pushtetit ka qenë mesatarisht 12 % mbi. Ata me vullnetin tonë kanë përfituar ulje prej 7 %.

Me këtë logjikë, një mesazh thotë këta do rritin taksat, por do tatojnë dhe veten për paratë që marrin nën dorë?

Kemi nisur një betejë kundër korrupsionit e ryshfetit që u siguroj që do sjellë rezultate të dukshme e të prekshme. Nuk ka blu e të kuq, por hajdutë që duhen çuar para ligjit.

T’i ndëshkojë drejtësia. Keni postuar ish ministri i Mbrojtjes të ndëshkohet për korrupsion. Keni bërë gabim?

Të ndëshkohet për korrupsion nuk është urdhër se nuk kam urdhëruar gjykatat e prokurorinë, por qeveria mes ministres së Mbrojtjes ngre një padi, çfarë kërkon seminar apo ndëshkim? Kjo është kërkesa jonë. A ndëshkohet a jo ky është vendim i gjykatës. Është deklarata në media që është postuar, por nuk e quaj gabim dhe nuk i kam tërhequr veshin stafit tim.

Në disa raste keni shkelur ligjit për emërimet, drejtori i Policisë, arrestimi i përmbaruesve?

Kam dhënë shpjegime për policinë, në përputhje me ligjin emërimi dhe sjellja e policisë, kam marrë informacionet.

Rrëzimi i një pallati në Vlorë, a ishte hakmarrje politike kjo për konkurrentin tuaj dhe a është arrogancë?

Nuk kam dhënë deklarata për këtë objekt. Deri në fund nuk e kam besuar që në këtë ngrehinë kishte dorë kryetari i opozitës.

Vjehrri ishte pronar…

Vjehrri nuk është figurë politike. Rasti është flagrant dhe ne presim që prokuroria të zbardhë të gjithë zinxhirin e grabitjes që i është bërë qytetit të Vlorës dhe publikun duke i marrë detin për të ndërtuar pallat. Një zinxhir që fillon e mbaron në të gjitha hallkat. Presim të ndëshkohen përgjegjësit.

Si mund t’i ndalojë shteti të hyjnë në shtëpinë e tyre? Është arrogancë?

Nuk është arrogancë. Kemi nisur procedurë shpronësimi vetëm për ata që në mirëbesim kanë blerë apartamente aty.

Një pallat me leje të shtetit shqiptar të konfirmuar nga kryebashkiaku i Vlorës?

Për këtë arsye kemi nxjerrë paratë dhe kush provon vërtetësinë e dokumenteve, do marrë paratë.

Në këtë Shqipëri me 59 ndërtime pa leje duhet të prishej e vetmja godinë që ishte me leje?

E vetmja për të cilën flitet, por nuk është e vetmja që flitet. Tani do vazhdojë edhe një valë e re prishjesh për godina që kanë dokumentacion, edhe pse skandaloz, dhe ato do kalojnë në procedurë shpronësimi. Sepse ne duam që gjirin e Vlorës ta bëjmë portë hyrëse jo për Shqipërinë por për Mesdheun. Kjo fazë e projektit të prishjeve do shtrihet deri në Ksamil. Në ditët në vijim do zbresim më poshtë në Dhërmi e me radhë. Ne do të shembim çdo ndërtim që do gjejmë përpara në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të këtij vendi. Do e shembim brenda ligjeve të këtij vendi.

A ju rrezikon që me këtë standard që gjysma e lejeve që keni dhënë ju në Tiranë do prishen?

Këto janë spekulime. Di të them se aty ku e parashikon ligji do zbatohen ligjet e shtetit.

Unë jam ndjerë shumë keq që kryeministri i Shqipërisë bën homazhe nën foton e Enver Hoxhës…

Përsëri kemi një problem të madh.

Unë dhe ju kemi menduar njëlloj në ’91?

Mendojmë ndryshe por jo se kam ndryshuar unë mendim. Enverizmi është në anën andej. Merremi me Enverin e gjallë jo Enverin e vdekur. Nuk është e denjë që ju ta trajtoni këtë çështje sikur fotoja e Enver Hoxhës është vendosur si dekor nga ne. Homazhet pas 23 qershorit janë të lira. Partinë Komuniste e kemi legale, jo ilegale. Nëse dikush, që unë nuk kam asnjë pikëpamje të njëjtë me të, vjen atje dhe ngre një foto pas kurrizit tim çfarë do të thotë kjo. Protokolli i shtetit nuk mban foto të diktatorit. Hyrja në varrezat e dëshmorëve është e lirë. Nuk vemi gardhe me gardën që të rrahë pleq.

Kryeministri nuk duhet të postojë në FB portrete të diktatorit…

Nuk poston foto të diktatorit, por foto të asaj dite. Atë divorc unë e kam bërë i pari.

Qarkullon si ide se mund të ngrihet një bust i Hoxhës?

Ngritja e busteve si kërpudhat kanë marrë fund. Në tërësi si fenomen. 70-vjetorin e Çlirimi do e festojmë siç i takon, por do jetë i pangjashëm me ato që keni parë deri më sot. Kemi dhe ngjarje të tjera të rëndësishme dhe 100-vjetorin që Evropa e ka konsideruar si ndryshimi, Lufta e Parë Botërore. Kemi dhe 100-vjetorin e njohur nga perëndimi. Bustet nuk kanë vend, aq më tepër i Enver Hoxhës.

Intervista e zbardhur nga emisioni “Opinoin” i Blendi Fevziut në TV Klan

/Sonila Qazimi/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar