Rama: Detyra do jetë imja, pushteti do jetë juaji

Rama: Detyra do jetë imja, pushteti do jetë juaji

Kryesocialisti Edi Rama flet për herë të parë si kryeministër i Shqipërisë, ku kërkon bashkëpunimin e të gjithë njerëzve të këtij vendi në sfidat dhe përpjekjet për të rimëkëmbur ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë. “Ne do të udhëheqim. Por as unë, as ne të zgjedhurit për të drejtuar së bashku, s’mund ta sjellim të vetëm Rilindjen

Kryesocialisti Edi Rama flet për herë të parë si kryeministër i Shqipërisë, ku kërkon bashkëpunimin e të gjithë njerëzve të këtij vendi në sfidat dhe përpjekjet për të rimëkëmbur ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë.

“Ne do të udhëheqim. Por as unë, as ne të zgjedhurit për të drejtuar së bashku, s’mund ta sjellim të vetëm Rilindjen që premtuam. Prandaj dua që ju, njerëzit e këtij vendi, të bëheni pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes. T’i ndajmë së bashku aspiratat, sfidat dhe përpjekjet për një ekonomi të rimëkëmbur përmes lirisë së konkurrencës e taksimit të ndershëm. Një shoqëri të ripërtërirë me arsim, shëndetësi e shërbime sipas nevojës jo sipas xhepit. Një demokraci të rivendosur në themelin e bashkëjetesës mes nesh si shqiptarë, pavarësisht përkatësive partiake e krahinore”, – nisi fjalimin z. Rama.

Duke vazhduar më tej Edi Rama tha: -“Të nisim bashkërisht punën për t’i treguar njëri-tjetrit po edhe botës jashtë nesh se kemi talentin, vlerat, vendosmërinë, për t’u ngjitur në lartësinë e amanetit të të parëve të këtij vendi dhe të borxhit që u kemi të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Pa harruar asnjëherë se duhet të jetë liria jo mungesa e saj, rruga për ta qeverisur këtë vend; Merita jo mungesa e saj, baza për ta vlerësuar çdo njeri e sipërmarrje në këtë vend; Respekti për normat ligjore dhe etike e jo mungesa e tyre, rruga për të marrë vendimet për këtë vend. Të vazhdojmë së bashku, si një vend dhe si një komb, përpjekjen drejt vendit që na takon në Familjen e Bashkuar të Europës sot kur, si asnjëherë, shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës jo vetëm e meritojnë por edhe e kanë në duart e tyre, realizimin e ëndrrës së bashkimit të plotë në atë familje”.

Gjithashtu kreu i Partisë Socialsite ndalet edhe tek z. Berisha ku e falenderon atë për çdo të mirë që ai i dha vendin dhe i uron mbarësi në jetën e tij private. “Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh ende më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Por, sonte unë dua ta falenderoj atë për çdo gjë të mirë që historia mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se timin sot, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”, – përfundon z. Rama.

/Osman Stafa/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar