Qeveria e Kosovës kërkon largimin e EULEX-it

0

Qeveria e Kosovës po përpiqet që prej qershorit të vitit të ardhshëm t`ia heqë kompetencat ekzekutive EULEX-it. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për përfundimin e këtij misioni dhe deklaratat e kryeministrit Thaci, kanë shqetësuar zyrtarët europianë për këtë qasje.

Në lidhje më këtë fakt, ka pasur reagime nga deputete dhe analistë politikë,të cilët mendojnë se Kosova nuk është ende gati ta vazhdojë rrugën e saj pa EULEX-in.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, thotë se nuk jemi afër që të largohet EULEX-i nga Kosova.

“Sigurisht EULEX-i nuk do të jetë këtu i përhershëm por mendoj se ende nuk jemi aq afër kur do të duhej të largohej ky mision. Përderisa prokuroret dhe gjyqtaret tanë nuk ndjekin krimet e rënda të çfarëdo natyre me vetiniciativë dhe guxim do të thotë se EULEX-i na duhet”, thotë Mustafa.

Ai thotë se EULEX-i duhet të bëhet më efektiv dhe të përqendrohet ne krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Analisti politik, Skënder Zogaj ka thënë se pasi situata në Kosovë konsiderohet stabile EULEX-i do të fillojë  angazhimin edhe në dosjet e veçanta, që kanë të bëjnë me grupet apo individët e lartë.

“Angazhimi i EULEX-it dhe hapja e proceseve siç është rasti Bllaca dhe së fundit “Grupi i Drenicës” ka prekur dhe shqetësuar të gjitha futjet e qarqeve te inkriminuara te cilat, tash janë shqetësuar sepse po e shohin se asgjë nuk është harruar dhe se, të gjithë keqbërësit duhet të “lahen” dhe të “krihen” nga drejtësia, kështu që, ka ndryshuar raporti ndaj EULEX-it dhe domosdo që të tillët shpëtim e shohin tek dëbimi i EULEX-it”, thotë Zogaj.

Ai thotë se është për keqardhje kërkesa e dëbimit të ndërkombëtarëve nga Kosova, pasi EULEX-i është shtylla e shtetësisë së Kosovës.

“Është për keqardhje të thellë, kërkesa e dëbimit të ndërkombëtareve në mënyrën si, herë pas here shprehet nga personalitetet e larta të Kosovës, të cilat në çast e harrojnë interesin e vendit dhe te popullit dhe, nxjerrin deklarata absolutisht të dëmshme, duke shprehur mosmirënjohje për ato segmente ndërkombëtare që e kana meritën kryesore të çlirimit të vendit, krijimit te shtetit dhe te funksionalizimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, ndër të cilat nuk ka dyshim se EULEX-i është nga shtyllat e shtetësisë së Kosovës”, thotë ai.

Zogaj pohon se EULEX-it duhet të vazhdojë pa asnjë hezitim, pasi statusi i Kosovës ka avancuar por ende është shumë në rrezik.

“Prandaj, mendoj se, ftohja e marrëdhënieve me EULEX-in ndodh nga ana e të inkriminuarve të cilët kanë hetuar rrezikun e vetes dhe, domosdo që janë kundër misionit të ndërkombëtarëve në Kosovë. Nuk ka fije dyshimi se misioni i monitoruesve aktual ne Kosovë duhet të vazhdohet pa asnjë hezitim, sepse, ndonëse statusi i Kosovës ka avancuar shumë, ende është shumë e rrezikuar, sepse, situata vazhdon të jetë e brishtë dhe me potenciale të shkallës së lartë kërcënuese dhe me mundësi reale të shkatërrimit.

Ndërkombëtarët kanë bërë punë të madhe, por ende nuk e kanë krye plotësisht misionin e tyre, kështu që duhet të vazhdojnë të qëndrojnë edhe për një kohë, derisa të stabilizohen edhe disa procese te brendshme te Kosovës. Ne fakt ndërkombëtarët i duhen Kosovës deri në hyrjen e plote në BE”, thekson Zogaj.

Një zyrtar i lartë evropian ka thënë se shtetet anëtare që e mbështesin pavarësinë e Kosovës, janë kategorike që misioni i BE-së të vazhdojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm. “Qeveria po e ndërlidh dhe po përpiqet që procesin e ristrukturimit të EULEX-it ta përdorë për ta hequr qafësh misionin”.

Misioni i EULEX-it pritet që pas autorizimit që do të marrë në janar nga shtetet anëtare, të nisë ndryshimin e prezencës së vet.

/Elta Liksenaj/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here