Qeveria shqiptare ka marrë vendim për t’i ofruar zyra pune falas ish-presidentëve të shtetit shqiptar. Një godinë disakatëshe në qendër të Tiranës do t’i bëjë bashkë ish-presidentët e Shqipërisë, shkruan sot gazeta “Shqip”. Vendimi i qeverisë është marrë në fund dhjetorit të vitit 2014, por se ai u bë publik në Fletoren zyrtare të 21
Qeveria shqiptare ka marrë vendim për t’i ofruar zyra pune falas ish-presidentëve të shtetit shqiptar. Një godinë disakatëshe në qendër të Tiranës do t’i bëjë bashkë ish-presidentët e Shqipërisë, shkruan sot gazeta “Shqip”.
Vendimi i qeverisë është marrë në fund dhjetorit të vitit 2014, por se ai u bë publik në Fletoren zyrtare të 21 janarit të këtij viti. Propozimi për dhënien falas të ambienteve për ish-presidentët e vendit është bërë nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka paraqitur për miratim në mbledhjen e qeverisë.
Katër apartamentet që ndodhen në bulevardin Zog i Parë do të jepen për ish-presidentët. “Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik te Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, të pronës së paluajtshme shtetërore, apartamentet nr. 15, nr. 16, nr. 17 dhe nr. 18, të godinës nr. 57, në bulevardin “Zogu i Parë”, Tiranë, sipas planimetrive që i bashkëlidhen këtij vendimi, të cilat aktualisht përdoren si mjedise pune nga Komisioni i Shërbimit Civil, për t’iu dhënë në përdorim, pa pagesë, si mjedise pune, ish-presidentëve të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në pikën 1 të VKMsë nr.957.
Këto katër ambiente do t’i hiqen Komisionit të Shërbimit Civil dhe do të kalojnë për Trupin e Shërbimit Diplomatik në Tiranë. “Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr. 450, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në këtë vendim, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Nga kjo VKM, pritet të përfitojnë ish-presidentët Bamir Topi, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani. Ndërsa ende nuk është e qartë nëse kjo ndihmë që shteti i bën për drejtuesit kryesorë të shtetit që ka pasur prek Sali Berishën, si ish-president. Burime zyrtare nga Kryeministria bëjnë të ditur për gazetën “Shqip” se “vendimi i nxjerrë nga qeveria përfshin të gjithë ish-presidentët e gjallë”, çka nënkupton se ai prek dhe Berishën.
Meidani më parë e ka pasur një zyrë të tillë pas përfundimit të mandatit si president. Prej vitesh ka pasur një debat në lidhje me mënyrën e trajtimit të presidentëve pas mbarimit të mandatit të tyre. Mungesa e një ligji “Për organizimin e funksionimin e Presidencës” shihet si një pengesë për t’u ofruar ish-krerëve të shtetit facilitete dhe pas mbarimit të mandatit. Më parë godina pesëkatëshe e ndodhur pranë Ministrisë së Drejtësisë kanë qenë në varësi të Ministrisë së Punës së Jashtme.
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *