Qeshni, por asnjëherë mos qani bashkë me të

Depresioni është një sëmundje që sa vjen e përhapet më shumë në ditët e sotme, dhe nëse nuk kontrollohet mirë mund të shkaktojë probleme shumë serioze. Specialistët mendojnë se të afërmit e të sëmurit mbartin përgjegjësi të mëdha në këtë pike. Ata sugjerojnë që personi të mos trajtohet si një i sëmurë në gjendje të

Depresioni është një sëmundje që sa vjen e përhapet më shumë në ditët e sotme, dhe nëse nuk kontrollohet mirë mund të shkaktojë probleme shumë serioze. Specialistët mendojnë se të afërmit e të sëmurit mbartin përgjegjësi të mëdha në këtë pike. Ata sugjerojnë që personi të mos trajtohet si një i sëmurë në gjendje të rëndë. Gjithashtu, nuk duhet harruar se edhe interesimi i tepërt apo shfaqjet e dhembshurisë mund të japin një efekt të kundërt me atë të priturin. Ndihma më e madhe që mund t’i jepni atij është ta bëni të ndihet mirë pranë jush dhe të kuptojë që do të qëndroni gjithnjë pranë tij. Por nëse ju qani bashkë me të, atëherë punët mund të përkeqësohen.

Personi në depresion është i mpirë, i mërzitur dhe pa shpresë për të ardhmen. Madje ka raste kur i sëmuri mund të shfaqë edhe reagime të forta si kriza qarjeje apo dhimbje fizike. Ashtu siç ndodh dhe në shumë sëmundje fizike, të afërmit e të sëmurit e kanë të vështirë ta pranojnë sëmundjen e tij. Ndryshimi negativ në gjendjen emocionale të  personit ndikon shumë në rrethin e tij familjar. Gjatë kësaj kohe të afërmit e të sëmurit mundohen të përshpejtojnë kohën e shërimit duke shtuar mbështetjen dhe pranuar realitetin.

Por të afërmit apo miqtë mund të hedhin hapa të gabuar nisur nga dëshira për ta shëruar sa më shpejt të sëmurin. Kjo situatë mund të ndikojë në zgjatjen e kohës së shërimit. Sjellja e papjekur dhe e nxituar e rrethit ndikon edhe tek i sëmuri, edhe në krijimin e ndjenjave negative tek të afërmit e tij. Madje këta persona mund të përjetojnë edhe vetë disa çaste depresive gjatë këtij procesi.

Çfarë duhet bërë? Ta lëmë të sëmurin vetëm dhe të presim shërimin e tij, apo të përpiqemi t’i qëndrojmë vazhdimisht pranë? Sipas specialistëve, mbështetja që i duhet dhënë të sëmurit duhet të jetë e matur dhe profesionale.

Ndonjëherë të afërmit, nisur nga qëllimi i tyre i mirë për ta shëruar të sëmurin, mund të nxisin një sjellje të padëshiruar tek ai. Ata mund të marrin përsipër punët e të sëmurit, ta lënë atë të pushojë gjatë gjithë ditës duke menduar se mund t’i bëjë mire ose të kërkojnë shpesh të falur. Por të gjitha këta janë të gabuara. Përkundrazi, nëse personi merret me punë fizike dhe mendore mund ta kalojë më shpejt depresionin. Nëse trajtohet si një i sëmurë, atëherë mund të mendojë se depresioni qenka një sëmundje më e rëndë nga ç’e kishte menduar. Ju mund të qeshni me të sëmurin, por asnjëherë të qani me të. Nga ana juaj kërkohet që të bëni një analize më konkrete, reale dhe logjike të ngjarjeve. Me anë të kësaj metode mund ta nxisni më shumë atë.

Nga ana tjetër, nëse sillemi me të sëmurin sikur nuk ka ndodhur asgjë, atëherë kjo do të ndikojë negativisht tek ai. Të përdorësh fjalë si “dil, shëtit, zbavitu” nuk e përmirëson gjendjen e personit në depresion. Ai ka nevojë të ndjejë se ju jeni pranë tij atëherë kur ai ka nevojë dhe se do ta ndihmoni – vetëm ky fakt e qetëson. Është shumë gabim të këmbëngulni që i sëmuri të dalë jashtë dhe të shëtisë. Mos e bezdisni shumë, por mundohuni t’i krijoni hapësirë të përshtatshme qetësie. Nëse e fajësoni të sëmurin me dembelizëm dhe egoizëm, ai do të demoralizohet edhe më shumë. Krahas kësaj, nëse personi i sëmurë merr ndihmë profesionale duhet të komunikohet vazhdimisht me mjekun përkatës.

Tek disa persona, periudha e depresionit mund të zgjasë me muaj. Kjo gjendje ndikon negativisht si tek i sëmuri ashtu edhe tek të afërmit e tij. Specialistët mendojnë se depresioni nuk është ngjitës, por përsëri ia vlen të thuhet se personat afër të sëmurit duhet të tregohen të kujdesshëm në disa pika. Veçanërisht në rastet e depresioneve të zgjatura, të afërmit mund të ndikohen nga ankesat e vazhdueshme, pagjumësia dhe pesimizmi i të sëmurit. Prandaj të afërmit mund të përkujdesen me radhë për të dhe të ndjekin aktivitetet e tyre të përditshme.

Provoni t’i bëni:

– Komunikoni vazhdimisht me mjekun nëse i sëmuri merr ndihmë profesionale.
– Bëjeni të ndjejë praninë dhe ndihmën tuaj gjithmonë.
– Përpiquni ta nxirrni jashtë duke mos u treguar shumë këmbëngulës, por duke bërë propozime të thjeshta.
– Mos qani me të sa herë që ai qan, por përpiquni ta inkurajoni sa më shumë.
– Përpiquni të krijoni ambient apo situata të cilat i pëlqejnë dhe me të cilat zbavitet.

Kurrë mos e bëni:

– Mos e trajtoni personin në depresion si një të sëmurë në gjendje të rëndë.
– Qëndroni larg shprehjeve nënvlerësuese dhe përçmuese në përshkrimin e shqetësimeve dhe gjendjes ku ndodhet.
– Tregoni interesin dhe dhembshurinë e duhur, por pa e tepruar.
– Mos e detyroni të dalë jashtë apo të flasë.
– Mos merrni përsipër të gjithë përgjegjësitë e të sëmurit.

/Start – Aisa Kokiçi/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar