PS fiton 5 bashki, “Shtëpia e Lirisë” merr Shkodrën, PD asnjë fitore

PS fiton 5 bashki, “Shtëpia e Lirisë” merr Shkodrën, PD asnjë fitore

Partia Socialiste ka fituar 5 nga 6 bashkitë që zhvilluan zgjedhje më 6 Mars. PS ka triumfuar në Durrës, Dibër, Lushnje, Vorë dhe Rrogozhinë. Në Shkodër ka fituar kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia, përballë kandidates së PS-së, Majlinda Angoni dhe atij të PD-së, Xhemal Bushati. Pas përfundimit të numërimit të fletëve të

Partia Socialiste ka fituar 5 nga 6 bashkitë që zhvilluan zgjedhje më 6 Mars. PS ka triumfuar në Durrës, Dibër, Lushnje, Vorë dhe Rrogozhinë.

Në Shkodër ka fituar kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia, përballë kandidates së PS-së, Majlinda Angoni dhe atij të PD-së, Xhemal Bushati. Pas përfundimit të numërimit të fletëve të fundit të votimit, Spahia ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij, aleatët e koalicionit si dhe komisionerët.

Ai bëri edhe një ftesë për të gjithë demokratët e tjerë që nuk e votuan, duke thënë se dera për ta do të jetë gjithmonë e hapur.

“Falenderim nga zemra për të gjithë demokratët, për të gjithë qytetarët. Dua të falenderoj edhe aleatët tanë për luajalitetin me të cilët bëmë këtë rrugëtim së bashku. Falenderimi shkon për gjithë ju gazetarë të cilët e transmetuat me shumë përkushtim këtë garë elektorale, por edhe për atë trupë të jashtëzakonshme komisionerësh.

 Nga nesër unë do të jem kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Shkodrës. Një thirrje kam edhe për ata që nuk zgjodhën të më votonin mua, dera jonë, dera e shumicës do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e vërtetë, shkodranët dhe jo vetëm. Le ta festojmë këtë ditë si dita e votës së lirë. Shkodra është fituese, të djathtët e vërtetë, demokratët e vërtetë janë fitues në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Bardh Spahia.

Gjithashtu edhe ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas numërimit të votave. Berisha tha se Lulzim Basha nuk pranon asnjë humbje, ndërsa theksoi se këto zgjedhje treguan që demokratët duhet të bashkohen.

 “U arrit në kushtet më të vështira më të jashtëzakonshme në 30 vite pasi PD u përball në këto zgjedhje jo vetëm me kreun e meduzës, por edhe me patericën e tij me shtojcën e tij Lulzim Bravën, i cili sot është demokrati i vetëm në Shqipëri që ndjehet se nuk humbet dhe nuk ka humbur. I ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit duke shpallur çdo humbje në mos fitore, të paktën jo humbje. Këto zgjedhje janë kushtrimi më i fuqishëm për çdo demokrat që të bashkohemi. Populli opozitar votoi masivisht opozitën e vërtetë të bashkohemi që të gjithë rreth Partisë Demokratike të rithemeluar dhe të vazhdojmë që fitoren e Shkodrës ta shtrijmë në mbarë Shqipërinë. Në ditët në vijim do njiheni me të gjithë hapat tanë”, u shpreh ish-Kryeministri Sali Berisha.

Ndryshe nga kundërshtarët e saj, Partia Demokratike nuk ka fituar në asnjë nga 6 bashkitë ku u mbajtë zgjedhje. Lidhur me këto rezultate, ka folur dhe Grida Duma, e cila u shpreh se ky rezultat është dëshpërues.

“Në mbledhjen që do ta zhvillojmë, secili nga deputetët besoj do të thotë mendimin e vet, padyshim, është dëshpërues rezultati. Në një mënyrë apo një tjetër krejtësisht i papritur. Duhet të merren përgjegjësi, jo vetëm përgjegjësi, por edhe vendime politike. Se cilat janë alternativat dhe cilat kërkesa unë do t’i bëj drejtpërdrejtë, grupit apo lidershpit të PD, ju do të njiheni pasi të bëjmë mbledhjen”, u shpreh Duma.

Më tej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se rezultatet zyrtare pritet të dalin sot në mbrëmje.

KQZ raportoi se rreth 30% e qytetarëve kanë marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore dhe se gjatë procesit pati probleme të vogla teknike me identifikimin e zgjedhësve.

Në 3 qendra votimi në Shkodër, përkatësisht në Shosh dhe Pult qytetarët nuk mundën të votonin për shkak të pamundësisë së mbërritjes se materialeve zgjedhore nga moti i keq.

 

Entela Capo

Student
AUTHOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar