Prishtinë, nisin festimet për 6-vjetorin e Pavarësisë

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap mbrëmë ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, organizuar në bashkëpunim me Fototekën Kombëtare “Marubi” në Shkodër. Kjo ekspozitë, që sjell në Prishtinë rreth 250 fotografi, ka shënuar edhe fillimin e zbatimit të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Kosovë – Shqipëri dhe të festimeve zyrtare për 6 vjetorin

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap mbrëmë ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, organizuar në bashkëpunim me Fototekën Kombëtare “Marubi” në Shkodër.

Kjo ekspozitë, që sjell në Prishtinë rreth 250 fotografi, ka shënuar edhe fillimin e zbatimit të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Kosovë – Shqipëri dhe të festimeve zyrtare për 6 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Një ditë para hapjes së ekspozitës në Prishtinë, ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, nënshkruan në Tiranë Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e Kulturës, me të cilin edhe u themelua Kalendari i Përbashkët Kulturor.

Mes shumë pjesëmarrësve në hapje të ekspozitës, ministrja e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro – Furxhi, tha se Kosova e Shqipëria po shënojnë hapa të rinj në bashkëpunimin kulturor. “Ekspozita që ne përurojmë sot së bashku, është për disa arsye një ngjarje e veçantë. Dje ne ishim në Tiranë nga Shqipëria dhe nga Kosova jo thjesht dy politikanë, siç kemi bërë këto muaj mes kabineteve tona, por njerëz të artit dhe të kulturës, njerëz të institucioneve të artit e të kulturës të Kosovës dhe Shqipërisë. Sot jemi në Prishtinë për të hapur ngjarjen e parë të këtij kalendari, në pak orë në pak kilometra, por me shumë zemra”, u shpreh Kumbaro-Furxhi.

Ministrja shqiptare e Kulturës tha se Fototeka “Marubi”, do të kthehet në një muze, i cili do të jetë një institucion shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Ministri i kosovar i Kulturës, Memli Krasniqi, tha se ekspozita “Marubi” është një nga ngjarjet më të veçanta kulturore në Kosovë, aq më tepër që ajo shënon edhe fillimin e Kalendarit të Përbashkët Kulturor. “Marubi është një rrëfim shumëdimensional për kombin shqiptar, pasi paraqet vlerat artistike e po ashtu edhe mënyrën e të jetuarit nëpër breza. Gjithë koleksioni prej qindra mijëra fotografive është një trashëgimi në vete për ne”, theksoi ai.

Ekspozita “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” është kuruar nga Luçjan Bedeni dhe Zef Paci dhe hapur në kuadër të programit zyrtar të festimeve të 6 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në kryeqytetin e Kosovës ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 14 mars. Në organizim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë dhe qytetet e tjera kosovare, si dhe në të gjitha ambasadat e Kosovës në botë, do të organizohen aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë. Manifestimet zhvillohen nga 14 deri në 17 shkurt 2014.

Sot, në Muzeun e Kosovës do të çelet ekspozita “Shkatërrimi i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë 1998-1999” . Në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës në botë organizohen pritje për trupin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse, ndërsa në Prishtinë mbahet koncerti i tenorit Agim Hushi.

/Objektiv.al./

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar