Presidenti Nishani dekoron Medresenë e Tiranës

Me rastin e 90-vjetorit të themelimit të Medresesë së Tiranës, Kreu i Shtetit shqiptar z. Bujar Nishani vlerësoi sot paradite në një ceremoni solemne Medresenë e Tiranës me Titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacion: “Si një  shkollë e arsimit fetar në Shqipëri, e cila duke u bërë pjesë e arsimit tonë, përgatiti për disa dhjetëvjeçarë në një

Me rastin e 90-vjetorit të themelimit të Medresesë së Tiranës, Kreu i Shtetit shqiptar z. Bujar Nishani vlerësoi sot paradite në një ceremoni solemne Medresenë e Tiranës me Titullin “Për merita të veçanta civile” me motivacion: “Si një  shkollë e arsimit fetar në Shqipëri, e cila duke u bërë pjesë e arsimit tonë, përgatiti për disa dhjetëvjeçarë në një nivel të lartë një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar”.

Të pranishëm, në këtë ceremoni ishin Kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj, drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe të medreseve të vendit tonë, Kryetari i Nderit i KMSH-së, H. Selim Muça, rektori i Universitetit Bedër, Dr. Ferdinand Gjana, mësues dhe ish-nxënës të Medresesë, sot myftinj në disa rrethe, si dhe ish-drejtorë të Medresesë së Tiranës.

Në këtë ceremoni Presidenti Nishani vlerësoi lart Medresenë e Tiranës dhe sistemin arsimor të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke theksuar se, “Dekorata e lartë që unë në cilësinë e Presidentit të Republikës po i akordoj kësaj shkolle është ndoshta një nderim i vonuar shtetëror dhe institucional ndaj kësaj vatre të arsimit shqiptar të shekullit XX. Ishte pikërisht kjo shkollë e  mesme, e fesë  islame e ngritur në Tiranë, e cila duke u bërë pjesë e arsimit tonë kombëtar përgatiti për katër dhjetëvjeçarë të plotë në periudhën 1924-1964 në një nivel të lartë ndërkombëtarë një plejadë teologësh myslimanë, të cilët luajtën një rol parësor në ripërtëritjen e moralit tonë kombëtar.”

“Sot, Medreseja e Tiranës dhe të gjitha simotrat e saj në Shqipëri po kontribuojnë që me anë të një mirëdukimi dhe arsimimi, ku gërshetohen shkencat ekzakte me vlerat e besimit, e sidomos me normat dhe parimet e Islamit, të kemi një shoqëri më të shëndetshme moralisht dhe shpirtërisht, nga të cilat do të rrezatojë paqja, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa pa dallim race, gjinie dhe feje”, tha ndër të tjera Presidenti Nishani.

Pas fjalës së tij Presidenti Nishani i dorëzoi Titullin drejtorit të Medresesë së Tiranës z. Omer Çallësh, i cili në fjalën e tij përshëndetëse ndër të tjera u shpreh: “Më lejoni që në emër të Medresesë së Tiranës, t’Ju falënderoj përzemërsisht dhe t’Ju shpreh mirënjohjen e thellë për këtë vlerësim dhe nder  të madh që Ju i bëni sot dijes, arsimit dhe sakrificës së atyre dijetarëve e arsimtarëve të shquar të Medresesë së Tiranës dhe të medresesë shqiptare. Ky vlerësim i shkëlqesisë suaj si President i Republikës mbart një simbolikë të veçantë për Medresenë dhe për frymën kombëtare dhe edukative që Medreseja vazhdon të trashëgojë ashtu si ditën e saj të parë. Ne jemi të vetëdijshëm se përparimi i shoqërisë është i lidhur ngushtë me edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.”

Ai shtoi më tej se kjo dekoratë përveçse është një nder i madh për medresenë, është edhe një tregues i shkëlqyer i përkujdesjes që shteti shqiptar i jep arsimit dhe edukimit të brezave. Sipas tij ky nder është një motiv dhe një përgjegjësi e re për Medresenë, për Komunitetin Mysliman dhe për gjithë arsimtarët, për të mos reshtur së punuari çdo ditë e më shumë në shërbim të përparimit të nivelit arsimor.

Ndërkohë edhe kryetari i KMSH-së z. Skender Bruçaj falënderoi Presidentin për akordimin e këtij titulli të lartë Medresesë së Tiranës, duke thënë se, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i kushton një rëndësi të veçantë arsimit dhe edukimit të brezave të rinj me anë të një sistemi të mirëfilltë shkollash, duke ndjekur me përkushtim mësimet e fesë sonë në gjurmët e prijësve tanë të shquar që na lanë amanet këto shkolla siç është edhe Medreseja e Tiranës.

Më pas kreu i KMSH-së i ka dhuruar Albumin “Medreseja e Tiranës, një shekull në shërbim të dijes”, botim i KMSH-së, realizuar me rastin e 90 vjetorit të themelimit të Medresesë.

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar