Pingpong, kujt i takon qeveria e re në Kosovë?

0

Fillimisht lavde dhe përgëzime për zgjedhje të rregullta, ndërsa tani udhëkryq dhe paqartësi për të ardhmen. Kjo është situata paszgjedhore në Kosovë, ku nuk dihet se kush do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.

Hashim Thaçi fitoi zgjedhjet dhe partia e tij u rendit e para, por pozicioni i tij si kryeministër nuk është i sigurtë. Partite opozitare që garuan veç e veç duke i premtuar qytetarëve largimin e Thaçit, u bashkuan në një koalicion paszgjedhor. LDK, AAK dhe NISMA zgjodhën Haradinajn kandidat për kryeministër duke përmbysur kahet e politikës.

Politika, drejtësia dhe vetë Kushtetuta nuk tregojnë qartësisht mënyrat se si duhet vepruar në një situatë të tillë. Secila nga palët duket e sigurtë dhe e vendosur në të drejtën e saj.

Neni 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës i jep të drejtën Presidentit të Republikës të propozojë për kryeministër në Parlament kandidatin e partisë ose koalicionit që ka fituar në Kuvend shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë.

Në këtë pikë mbështetet koalicioni opozitar, kur kërkon mandatin për të formuar qeverinë e re, pasi së bashku ata kanë rreth 60% të votave. Por Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, argumenton se koalicioni duhet të jetë parazgjedhor dhe duhet të ketë garuar me listë të përbashkët kandidatësh.

Kështu deklaron edhe PDK duke thënë se mandatimi i takon asaj. Por e vërteta është se edhe PDK ka nevojë për një tjetër parti në koalicionin e saj që të formojë një shumicë të qëndrueshme. Kjo gjithashtu do të ishte një shtesë paszgjedhore, por që nuk shihet si antikushtetuese nga forca politike në fjalë.

Ndërkohë në Shqipëri Kushtetuta shprehet në të njëjtën mënyrë, por realiteti ka treguar të kundërtën. Në mandatin e kaluar të qeverisë Berisha, Lëvizja Socialiste për Integrim iu bashkua PD-së në një koalicion paszgjedhor, duke formuar shumicën e nevojshme për ngritjen e qeverisë.

Pika tre e nenit 95 parashikon domosdoshmërinë e votëbesimit nga shumica në parlament, por opozita ka deklaruar se nuk do të votojë Thaçin. Edhe Albin Kurti i Vetëvendosjes tha se votat e tij nuk do të jenë kurrsesi për PDK-në. Atëherë nëse edhe AKR-ja e Pacollit nuk e kalon pragun elektoral prej 5%, siç edhe duket deri tani, Thaçi nuk e merr dot votëbesimin.

Sipas pikës katër te këtij neni, në rast mosvotëbesimi për herë të dytë, vendi shkon në zgjedhje të reja. Si Isa Mustafa, ashtu dhe Ramush Haradinaj thanë se janë të gatshëm të garojnë bashkarisht për të larguar qeverinë aktuale.

Gjithçka është tashmë në dorën e presidentes Jahjaga për të pare, se cila prej palëve do të kërkojë votëbesimin në parlament. Nëse Jahjaga vendos për Thaçin, Kosova shkon në zgjedhje të reja. Nesë vendos për Haradinajn vendimi mbetet në dorë të Kushtetueses.

Në rast se çështja shkon në Gjykatë Kushtetuese dhe gjykohet sipas interpretimit të Hasanit, gjasat janë që Thaçi të mandatohet kryeministër. (Mbetet pikëpyetja e votëbesimit, që çon në zgjedhje të reja). Por nëse në mungesë të një qartësie ligjore gjykohet sipas precedentit shqiptar, opozita fiton të drejtën e formimit të qeverisë.

Kjo vlen në kushtet që politika kosovare i qëndron besnike aleancave dhe qëndrimeve të deritanishme. Megjithatë pritet të shihet se çdo të ndodhë vërtetë me qeverinë e re të Kosovës.

/Romina Qama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here