OSBE: Pro projektligjit për mbrojtjen e burimeve të gazetarit

0

Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarit ka marrë dje mbështetjen e OSBE-së. Ambasadori i këtij organi në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, ka shprehur qëndrimin e tij pro projektligjit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë ka deklaruar se ndihet i inkurajuar me miratimin në parim. “Miratimi i ligjit nga Komisioni i Kuvendit për Median, do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejm të gazetarisë hulumtuese”, ka thënë ai.

Projektligji është përgatitur nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, dhe është prezantuar për herë të parë në Maj të vitit 2012. Paraprakisht Lama është këshilluar me gazetarë, drejtues të medias, juristë dhe organizata që punojnë në këtë fushë. Hartimi i projektligjit ka marrë shkas nga debati i vitit të kaluar mes Qeverisë së Kosovës dhe Ministrit të Drejtësisë në lidhje më nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, përkatësisht mbi përgjegjësinë e botuesit dhe mbrojtjen e burimeve të informacionit.

Kundër këtij projektligji deri tani janë pozicionuar disa nga deputetët e PDK-së, së fundi dhe Xhevaire Izmaku, drejtuese e Komisionit Parlamentar për Median, si dhe ish drejtuesi i Asociacionit të  Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), Arben Ahmeti.

Projektligji do të paraqitet në seancë për lexim të parë këtë të enjte, më 16 maj në seancën plenare të Kuvendit. Pas kësaj do të shihen më qartë qëndrimet e palëve dhe nëse Kosova do të ketë së shpejti një ligj për mbrojtjen e burimeve të informacionit të gazetarit, apo jo.

/Romina Qama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here