NATO: FSK me mandat të pandryshuar

0

NATO-ja shpalli sot se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitetet operacionale, por mandati mbetet i pandryshuar. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, deklaroi sot vlerësimin e Këshillit të aleancës se Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbushur kapacitetet e saj operacionale dhe është plotësisht e aftësuar që të përmbushë detyrat e caktuara nga mandati i saj në bazë të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja. Por, misioni i saj, mbetet i pandryshuar.

Në një komunikatë të lëshuar nga selia e NATO-s në Bruksel, sekretari Rasmussen përgëzon anëtarët e Forcës së Sugurisë së Kosovës si dhe pjesëtarët e KFOR-it që ishin përfshirë në ngritjen e kësaj force.

Në komunikatë thuhet se “Misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet i njëjtë sikundër ishte gjithnjë: ndërmarrja e operacioneve të mbrojtjes civile dhe mbështetja e autoriteteve civile në përballjen me fatkeqësitë natyrore dhe emergjencave të tjera. Aleanca do të vazhdojë të sigurojë mbështetje dhe këshilla nëpërmjet ndërlidhësve të NATO-s dhe ekipit të këshilltarëve”.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku kishte deklaruar më herët se forca që e drejton ai është e gatshme të bëhet ushtri e Kosovës dhe se një gjë e tillë pritet të rekomandohet në mesin e vitit 2013.

/Sonila Duka/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here