Multilinguizmi i shqiptarëve, nevojë apo përshtatje?

Multilinguizmi, e thënë në shqip shumëgjuhësia, është një urë lidhëse midis individit dhe një shteti tjetër, midis individit dhe formimit të tij profesional dhe midis individit dhe mundësisë së punësimit në të ardhmen. Shqiptarët janë shquar gjithmonë për të zotë në të mësuarin e gjuhëve të huaja, herë të imponuar dhe herë nga dëshira dhe

Multilinguizmi, e thënë në shqip shumëgjuhësia, është një urë lidhëse midis individit dhe një shteti tjetër, midis individit dhe formimit të tij profesional dhe midis individit dhe mundësisë së punësimit në të ardhmen. Shqiptarët janë shquar gjithmonë për të zotë në të mësuarin e gjuhëve të huaja, herë të imponuar dhe herë nga dëshira dhe etja për kulturë dhe herë për formim profesional.

Çdo fuqi që e pushtoi Shqipërinë normalisht i detyroi shtetasit shqiptarë të mësonin gjuhën e shtetit pushtues. Duke filluar nga Turqia, Italia e Gjermania, shqiptari ua mësoi gjuhët por jo nga dëshira për kulturë sesa nga imponimi apo nevoja për mbijetesë.

Diktatura në 50 vite  diktonte  të imponuar se cili drejtim linguist ose gjuhësor ishte i duhuri për shoqërinë  dhe ky drejtim varionte në bazë të marrëdhënieve që kishte pushteti me shtetet e tjera.

Gjuha e huaj që ishte e detyruar në shkolla ishte rusishtja dhe në bazë të kësaj mund të studioje në universitetet në Rusi. Më pas me rënien e komunizmit dhe hyrjen e demokracisë gjuha bazë në shkolla ishte frëngjishtja.

Vendet e vogla, ashtu sikurse dhe Shqipëria, mësimin e gjuhëve të huaja e kanë si çështje mbijetese. Ajo që është gjuhë kryesore sot dhe është stimuluar nga MASH është gjuha angleze. MASH ka vite që ka deklaruar se anglishtja do të jetë gjuhë e detyruar nëpër provimet e maturës.

Kjo duket se privon shoqërinë për të mësuar gjuhë të tjera, duke u fokusuar vetëm tek anglishtja dhe për më tepër dënon multilinguizmin.

Duke qenë se anglishtja është shpallur vetëm para ca vitesh si gjuhë kryesore dhe referencë e parë kur shkon për të kërkuar një punë, pra për nga ana profesionale, kjo gjithashtu privon me të padrejtë shume individë të diplomuar diku gjetke apo dhe në Shqipëri por që kanë përparësi një gjuhë që nuk është anglishtja. Kjo gjë i rrezikon këto individë të mbeten pa punë, sepse dhe mosha kur truri është në fazën më të mirë të mundshme për nga ana e memorizimit të shpejtë të gjërave ka një kufizim. Pra le të themi se mosha që nuk kanë pasur bazë studimi anglishten rrezikojnë shume nga ana profesionale vetëm për shkak të gjuhës së huaj.

Për të mësuar një gjuhë të huaj ka shumë rrugë, por lind natyrshëm pyetja cila është rruga e duhur dhe e shpejtë?!

Në shkolla gjuha e angleze është futur që në klasat e treta dhe kjo i ndihmon mjaft edhe për të ardhmen përderisa kjo gjuhë është bërë primare pas gjuhës amë. Pra le të themi që hap i parë drejt një të ardhme  100 % anglishtfolëse është shkolla fillore duke u shoqëruar dhe me kurse shtesë insistuar nga prindërit për arritje më të larta në gjuhën angleze nga fëmijët e tyre.

Lind pyetja, si procedohet me këto kurse? Sa të tilla ekzistojnë në vendin tonë dhe a janë të gjitha profesionale dhe të licencuara? Duke kërkuar në internet, ne pamë që ekzistonin një numër i madh qendrash për kurse dhe një numër më i kufizuar institutesh kulturore.

Duke filluar nga qendrat e kurseve mund të përmendim: Qëndra e Kurseve Meridian, Qendra LINCOLN, Qendra e Gjuhëve të Huaja Universi, Qendra e Kurseve “Mit Erfolog”, Qendra e Kurseve GOETHE etj. Për të vijuar me institutet kulturore që ofrojnë kurse të gjuhëve të huaja, ku mund të përmendim: Instituti Italian i Kulturës, Instituti Arsimor Professional Time Centër, Qendra Kulturore Turke “ Yunus Emre”, etj.

Për ti prekur  më nga afër dhe për të mësuar më tepër rreth këtyre qendrave të  kurseve dhe instituteve kulturore vëzhguam disa prej tyre për të marrë më tepër informacion. Së pari vëzhguam Institutin Italian të Kulturës.

Sipas drejtoreshës së këtij instituti, të interesuarit për kurse fillimisht duhet të bënin një test për të mësuar nivelin e italishtes, kundrejt një tarife 500 lekësh të reja. Mësuesit në këtë institut ishin italianë dhe arbëreshë, përjashtim bënte vetëm një mësuese e cila ishte shqiptare. Mosha e frekuentuesve varionte nga 7 vjeç e deri te moshat e mesme. Mmimet gjithashtu varionin në bazë të nivelit dhe intensitetit të tyre. Kursi fillonte nga niveli A1, A2, B1, B2, CELI 3, CELI 4 duke përfunduar me CELI 5.

Me marrjen e nivelit CELI 3 kishe mundësi të studiosh në universitetet italiane, por me mundësi si i huaj, ndërsa me CELI 5 presupozohesh dhe trajtohesh njësoj si studentët italianë.

Përpos ambienteve komode dhe bashkohore, Instituti Italian i Kulturës posedon një bibliotekë në sherbim të kursantëve. Drejtoresha e institutit ndër të tjera shprehet se përveç dhënies së gjuhës italiane, si qëllim është dhe prezantimi i traditës dhe kulturës së vendit tonë fqinj.

Gjatë vëzhgimit tonë aty intervistuam edhe një kursante, e cila ishte studente në vitin e tretë për gazetari dhe përgatitej për nivelin e CELI 3, për të bërë më pas provimin dhe për të vazhduar masterin në një nga universitetet italiane.

Vëzhgimi jonë vijoi në Qendrën Kulturore Turke “Yunus Emre”. Ndryshe nga Instituti i lartpërmendur, kurset në këtë qendër jepeshin falas, përveç pagesës së librave, e cila ishte një shifër simbolike prej 20 eurosh. Ashtu sikundër në Institutin Italian, edhe këtu synimi është promovimi i kulturës turke.

Biblioteka është pjesë edhe në Institutin “Yunus Emre”, por me përmasa më të mëdha se ajo e Institutit Italian. Tek qendra “Yunus Emre” të gjithë mësuesit janë turq.

“Lincoln” dhe “Meridian” janë dy qendra kursesh që ne vëzhguam ambientet e tyre. Në to zhvillohen kurse të gjuhëve të ndryshme, duke filluar nga anglishtja, gjermanishtja, italishtja, turqishtja, spanjishtja dhe frëngjishtja. Ndërsa këto të dhënat i morëm nga sekretaret, ato na theksuan se anglishtja është prioritet në këto qendra.

Në këto kurse zhvillohet dhe anglishte e posaçme për maturën shtetërore. Kohëzgjatja ëhstë 2 muaj, në 20 seanca me nga 3 herë në javë.

Se sa frytdhënëse janë këto kurse, kjo nuk mund të përcaktohet lehtësisht, por në bazë të asaj çka vumë re dhe opinionet që morëm nga kursantët, përgjithësisht niveli duket i mirë.

Një tjetër fenomen janë kurset private nga persona të cilët kanë mbaruar shkollën e lartë për gjuhë të huaj. Nuk mund të diskutojmë nivelin e tyre të gjuhës, por meqenëse ekzistojnë qendra dhe institute të licencuara, kjo i bën ata të jashtëligjshëm dhe vë në diskutim nivelin e përgatitjes së tyre.

/Shkëndije Çurri/

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar