Mbyllja e lojërave të fatit në Kosovë, çështje kohe

  Zbatimi  i Kuvendit të Kosovës për mbylljen e lojërave të fatit në Republikën e Kosovës është vetëm çështje kohe. Zyrtarët e Administratës Tatimore shprehen të gatshëm për zbatimin e çfarëdo vendimi nga ana e Kuvendit. Por të pakënaqura me vendimin janë subjektet që ushtrojnë këtë veprimtari të cilat e kanë kundërshtuar vendimin. Mbyllja e lojërave të fatit në Kosovë mund të bëhet pas tre apo katër muajve të ardhshëm. Nënkryetari i Komisionit për buxhet dhe financa, Naser Osmani, thotë për Radio Kosovën se vendimi i Kuvendit është i pakthyeshëm dhe tashmë pritet të fillojnë vetëm procedurat për zbatimin e tij. “Vendimi i Kuvendit është pa asnjë votë kundër, dhe tashmë fillojmë vetëm procedurat. Procedura është që Komisioni duhet të fillojë ndryshimin e Ligjit për lojëra të fatit. Janë procedura që zgjasin, duhet të angazhohen ekspertë, të punohet në ekipe punuese”, tha Osmani. Osmani thotë se fillimisht duhet të merret edhe vlerësimi i Ministrisë së financave për ndikimin buxhetor, pastaj ligji të kalojë nëpër procedurat e komisioneve tjera funksionale. “Besoj krejt kjo është një kohë tre-katër muaj, por do të shohim sesi do të shkojë procedura dhe nuk mund të them saktë se kur mund të hyjë në fuqi”, theksoi ai. Administrata tatimore është e gatshme të zbatojë vendimin për mbylljen e lojërave të fatit, thotë drejtori i lojërave të fatit në ATK, Bekim Jupa. “ATK-ja i zbaton të gjitha ligjet dhe vendimet që vijnë nga institucionet e Kosovës. Në rast se parlamenti dhe qeveria e shohin të udhës që të mbyllen lojërat e fatit, Administrata Tatimore do e kryejë punën e vet me përpikëri”, theksoi Jupa. Ndryshe, në bazë të ligjit mbi lojërat e fatit të miratuar në vitin 2012, në Kosovë janë katër lloje të lojërave të fatit: lojërat në baste, lojërat në automate, në tombollë-bingo dhe në kazino. Aktualisht janë mbi 40 subjekte të licencuara për lojëra të fatit, prej tyre vetëm një kazino. /Elta Liksenaj/]]>

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar