Lisen Bashkurti: Nacionalizmi shqiptar ndryshon nga ai grek dhe sllav

Në intervistën Start “19+1” vjen Prof. Dr. Lisen Bashkurti, ish-diplomat, aktualisht Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në partinë “Aleanca Kuqezi”. Për të nacionalizmi shqiptar është evropian dhe civil, ndryshe nga nacionalizmi grek e serb. Shqiptarët në pikëvështrimin e tij janë populli më perëndimor në Ballkan. E ndërsa sfida më e madhe e diplomacisë shqiptare, për

Në intervistën Start “19+1” vjen Prof. Dr. Lisen Bashkurti, ish-diplomat, aktualisht Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në partinë “Aleanca Kuqezi”. Për të nacionalizmi shqiptar është evropian dhe civil, ndryshe nga nacionalizmi grek e serb. Shqiptarët në pikëvështrimin e tij janë populli më perëndimor në Ballkan. E ndërsa sfida më e madhe e diplomacisë shqiptare, për Bashkurtin mbetet realizimi i projektit të papërfunduar të Kombit Shqiptar.

1 – Patriot, nacionalist apo kozmopolit?

Kozmopolit nuk jam. Ka një konfuzion lidhur me definicionet “patriot” dhe “nacionalist”. Patriotizmi shpreh frymë dashurie, respekti dhe përgjegjësie për atdheun, pasqyron një raport të lidhur ngushtë midis atdheut dhe atdhetarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë e punojnë. Të gjithë kanë një atdhe. Ndërsa nacionalizmi shpreh një përcaktim më politik të lidhur me një popull, territor, strukturë politike dhe ndërkombëtare. Duke qenë një pleksje e patriotizmit me përcaktueshmëri politike, popullore, territoriale kombëtare dhe ndërkombëtare, nacionalizmi ka historinë e vet dhe në këtë proces ka marrë trajta të ndryshme. Historikisht janë kristalizuar dhjetë lloj nacionalizmash. Nacionalizmi civil ose ndryshe nacionalizmi liberal, nacionalizmi etnocentrist, nacionalizmi fashist, nacionalizmi i pastër, nacionalizmi i majtë, nacionalizmi territorial, pan-nacionalizmi, proto-nacionalizmi, ultra-nacionalizmi dhe nacionalizmi anti-kolonialist. Ballkani ka marrë historikisht epitetin “fuçi baruti” nga dy nacionalizmat më të vjetër, grek dhe serb. Të dy këto nacionalizma kanë qenë etnocentristë dhe territorialë. Si të tillë kanë prodhuar luftëra, spastrime etnike, kolonizime dhe kanë lënë pas deri edhe në ditët tona ksenofobi, racizëm, fanatizëm fetar dhe pretendime territoriale. Nacionalizmi shqiptar tradicional ka qenë nacionalizëm evropian, pra nacionalizëm civil ose liberal, i ndikuar shumë nga idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe nga mendimi politik i mërgatës shqiptare prej arbëreshëve të Italisë deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si i tillë, nacionalizmi shqiptar nuk ka pasur në qendër etnicitetin, por identitetin kombëtar, ndjenjën e të qenit pjesë e një entiteti politik të caktuar me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët brenda tij, pavarësisht etnicitetit, racës dhe fesë. Nacionalizmi civil shqiptar nuk mbart dhe as nuk nxit ksenofobit, urrejtjet etnike, fanatizmin fetar apo pretendimet territoriale ndaj kombeve të tjerë. Ndër ideologët e mëdhenj të nacionalizmit liberal ose qytetar janë Ernest Renan dhe John Stuart Mill. Sipas këtyre ideologëve të mëdhenj, nacionalizmi civil pleks natyrshëm politikat e demokracisë liberale me identitetin kombëtar. Mirëpo, duke qenë pjesë e Ballkanit dhe e imazhit negativ rajonal rreth nacionalizmit ballkanik, nacionalizmi shqiptar si më i vonuari dhe më i copëtuari, nuk ka qenë në gjendje të artikulohet qartësisht kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Nacionalizmi shqiptar thjesht është definuar në planin ndërkombëtar në kuadër të modeleve nacionaliste greke e serbe, si “nacionalizma të rrezikshëm që prodhojnë konflikte dhe luftëra”. Nacionalizmit shqiptar i duhen përpjekje të mëdha teorike, politike, praktike në nivel kombëtar, rajonal dhe sidomos ndërkombëtar që të bëjë diferencën me nacionalizmat tradicionalë ballkanikë që e kanë epitetuar rajonin, “Ballkani – Fuçi Baruti”. Në marrëdhëniet ndërkombëtare ekziston aksioma që “e vërtetë është ajo që provohet ndërkombëtarisht”. Mesa shihet, nga shqetësimi i lartë që manifestohet kohët e fundit nga qarqe ndërkombëtare për nacionalizmin shqiptar, e vërteta ndërkombëtarisht e njohur është shumë e painformuar lidhur me karakterin e nacionalizmit civil ose liberal shqiptar. Këtë mos-informim e ka përkeqësuar edhe procesi mjaft i deformuar i zhvillimeve demokratike në tranzicionin mbi dy dekada.

2 – Majtas apo djathtas?

Në qendër. Kjo për një arsye themelore: Doktrina e “Aleancës Kuqezi që përfaqësoj politikisht ka të bëjë me zgjidhjen e aspekteve të parealizuara të çështjes kombëtare shqiptare. Këto aspekte kërkojnë kompromis historik politik të të gjithë spektrit politik e shoqëror kombëtar, madje edhe mirëkuptim fqinjësor dhe mbështetje të aleatëve më strategjikë ndërkombëtarë. Ky fakt madhor dikton një pozicion në qendër. Pa një pozicionim të tillë nuk mund të shkohet drejt kompromisit historik ose konsensusit politik e shoqëror mbarëshqiptar.

3 – Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?

Kur vihem përballë sfidave teorikisht dhe praktikisht të panjohura konsultohem para së gjithash me veten time. E në raste kur nuk shoh zgjidhje vetë, atëherë nuk hezitoj të konsultohem me njerëz me përvoje e dije më të madhe se unë në atë çështje.

4 – Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi kur e keni lexuar?

“Politika” e Aristotelit dhe “Diplomacia” e Kisingerit.

5 – Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?

Mentaliteti i popullit shqiptar. Është më i modernizuar, më i qartë drejt Perëndimit, më konsistent drejt vlerave të demokracisë dhe më optimist se Shqipëria do bëhet, madje nga vetë shqiptarët.

6 – A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?

Po. Por, unë mendoj se është krizë pozitive, krizë që buron nga nevoja për zhvillim, krizë që nxit progres, krizë që synon përballje me sfidat e së ardhmes. Shoqëria shqiptare është në krizë dinamike. Më mirë në krizë dinamike sesa në stanacion. Shoqëria shqiptare nuk është në stanacion. Lypet të mos harrojmë se gjithnjë zhvillimi ka ardhur përmes përballjes dhe zgjidhjes së krizave, por, kur krizat janë pozitive, ose sikundër i quante Presidenti Klinton, “kriza progresive”.  Sepse në histori edhe aktualisht përballemi edhe me kriza negative. Këto lloj krizash shpien në rrënim, në degradim, në kthime prapa. Shoqëria shqiptare nuk përjeton krizë negative, por pozitive.

7 – Jepni 3 këshilla si mund të bëhet ky vend

Besim, kulturë, ekonomi. Besim te Zoti dhe te vetja; kulturë për përballje me kualitetet e demokracisë; ekonomi prosperuese për mbarë qytetarët tanë.

8 – A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?

Padyshim, Gjergj Kastrioti, gjiganti i identitetit, vlerave dhe kontributeve kombëtare dhe ndërkombëtare të popullit shqiptar. Atij i dedikohet e gjithë qenia kombëtare shqiptare.

9 – Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratikë janë liderët e sotshëm politikë?

Zogu ishte monark shtetformues, por politikan i dhunshëm. Enver Hoxha ishte komunist lokal, por jashtë mase mizor. Liderët e sotëm politikë përgjithësisht përpëliten midis fazës së fundit të post-komunizmit dhe fazës së parë të lindjes së demokracisë.

10 – Pas 20 vitesh tranzicion, jemi në demokraci apo post-komunizëm?

Midis të dyjave, ku herë dominon njëra, herë tjetra. Mendoj se kalimi nga ky kapërcyell historik është më shumë çështje gjeneratash. Nuk mund të bëhet me sforco politike, me mekanizma thjesht rotativë, me vendime rifreskuese apo me masa të tjera nga lart-poshtë. Të gjitha këto sjellin ndikime në ndryshim. Por ama ky proces do konsumojë pashmangshmërisht kohën e vet të maturimit.

11 – Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?

Në thellësitë e shpirtit të tyre janë populli më Perëndimor në Ballkan. Mirëpo, për fatin e tyre historik, në shekujt e fundit, duke përfshirë edhe historinë politike 1912-1990, orientimi dhe drejtimi politik kanë ecur përkundër shpirtit perëndimor shqiptar, pra për nga Lindja. Tanimë po përjetojmë një rikthim tek vetvetja. Është një rikthim i gjatë, i vështirë dhe sfidant që prek çdo qelizë të njeriut, shoqërisë, kulturës dhe të politikës shqiptare.

12- Nga ndryshon një qytetar shqiptar nga një evropian?

Vetëm nga niveli kulturor dhe prosperiteti ekonomik.

13 – “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?

Besa është një vlerë e ndritur, unike, vitale e popullit shqiptar. Besa ka lindur nga besimi në Zot, ka zbritur në marrëdhëniet njerëzore shqiptare dhe është lartësuar në një institucion të gjallë të pashkruar e shumë të respektuar ndër shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Besa është “brand” etiko-moral dhe kod institucional i shqiptarëve. Luhatjet, deformimet apo abuzimet rreth këtij institucioni kanë ndodhur e ndodhin çdo ditë ndër shqiptarë. Por këto shmangie nuk baltosin dot vetë vlerën e ndritur të besës.

14- Tirana, metropol apo fshat urban?

Është mjaft relative. Krahasuar me realitetin shqiptar, Tirana padyshim është metropoli i shqiptarëve. Por, krahasuar me metropolet e Evropës, padyshim është akoma në nivelin e një hapësire midis metropolit urban dhe një periferie rurale. Prirja është pozitive. Por, mendoj se do duhet shumë vizion, investim dhe punë moderne për t’i dhënë realisht pamjen dhe funksionet e një metropoli të standardit evropian.

15- Çfarë është kombi për ju?

Kombi është një tërësi tiparesh e karakteristikash identiteti, historie e kulture që dallojnë një komunitet njerëzisht nga një komunitet tjetër. Identitetet kombëtare nuk janë tërësisht të purifikuara e të shkëputura nga njëri-tjetri. Por, në këtë pleksje, përplasje apo mbivendosje, sërish kombi ekziston për sa kohë përbën dhe ruan tiparet e karakteristikat që e profilozojnë identikisht, historikisht dhe kulturalisht nga kombet e tjerë.

16 – Çfarë është familja për ju?

Familja është institucioni më i lashtë, më i shenjtë, më njerëzor, më i dobishëm dhe për kombin Shqiptar është njëkohësisht edhe institucioni më i qëndrueshëm, vital e dinamik.

17 –  Një vend që ju ka bërë përshtypje?

Kam qenë në shumicën e vendeve të botës, në të katër kontinentet. Çdo vend i kontinent ka specifika mbresëlënëse, aq sa është e vështirë të bësh diferenca të atilla që të mund të thuash: “Ky është vendi që më ka lënë përshtypje”. Ajo që mund të them është se pas çdo udhëtimi, kur marr rrugën në për Atdhe, ndjehem gjithnjë më mirë se kudo tjetër. Midis brengës dhe lumturisë, Shqipëria mbetet gjithçka për mua. Kjo dukuri vjen e fuqizohet sa më shumë kalojnë vitet. Në rininë time kam pasur më shumë prirje kozmopolite. Tani që kam lënë pas një gjysmë shekulli jetë, Shqipëria është vendi që më brengos dhe më lumturon më shumë. Pra, më bën më shumë përshtypje se çdo vend tjetër në botë.

18 – A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?

Karriera ime ka qenë dhe mbetet tredimensionale: shkencë, diplomaci, politikë. Në themel hobi im ngelet puna hulumtuese, kërkimore, shkencore e botuese. Preferoj mbi gjithçka veprimtarinë akademike. Kam qenë për shumë vite profesor, dekan, rektor, në shumë vende, në Shqipëri dhe jashtë; jam anëtar i shumë forumeve akademike e shkencore kombëtare e ndërkombëtare; jam Zëvendëspresident Botëror i Universitetit “Sun Moon” të Koresë së Jugut; jap leksione e kumtime dhjetëra herë në vit kudo në botë; kam mbi 22 botime në vend dhe jashtë shtetit, nga Kina në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është pjesa më e lumtur e jetës sime. Ky është hobi që dua më shumë. E, njihet që njeriu bën më mirë atë punë që do më shumë. Kultura dhe shkenca kanë qenë bazë e mirë për mua në diplomaci. Thelbi i suksesit në diplomaci është njohja e historisë, kulturës, marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtës ndërkombëtare, organizatave ndërkombëtare, tregjeve e financave ndërkombëtare, gjuhëve të huaja, teknikave të negocimit etj. Nga kultura e shkenca kam pasur trashëgimi të mjaftueshme për të hyrë në diplomaci, të cilës i kam dedikuar gjysmën e karrierës sime dhe sërish i shërbej me kënaqësi. Politika ka qenë më aksidentale në jetën time, ka qenë dukuri më “ad hoc” dhe më pak interesante për mua. Ndonëse politikën e çmoj shumë, e vlerësoj lart, e studioj si shkencë dhe si art, dhe përpiqem të kontribuoj në të për hir të interesave kombëtare dhe qytetare.

19- Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?

Me siguri do kisha ndryshuar qëndrimin ndaj kohës. Njeriu është kohë. Jeta është kohë. Kontributi është kohë. Gjithçka ka shumë dimensione. Vetëm koha ka vetëm një dimension. Nga e kaluara te e sotmja e prej kësaj të fundit drejt të ardhmes. Për shumë vite kam vuajtur mentalitetin e njohur tek ne, “avash-avash”. Në dy dekadat e fundit kam kuptuar thellësisht se lypet të shkojmë drejt mentalitetit “shpejt e shpejt”. Koha është gjëja që do kisha rikonsideruar për ndryshim.

20 – Sipas jush, cila është sfida më e madhe e diplomacisë së sotshme Shqiptare?

Sfida më e madhe e diplomacisë së sotme shqiptare është realizimi i projektit të papërfunduar të Kombit Shqiptar. Mbrojtja e interesave kombëtare, bashkimi Shqipëri-Kosovë, mbrojtja e lirive dhe të drejtave njerëzore e kombëtare të komuniteteve tona etnike kudo në Ballkan dhe e qytetarëve shqiptarë kudo në botë, integrimi i gjithanshëm i emigracionit shumë-milionësh shqiptar në rrjedhat e zhvillimeve politike, ekonomike e shoqërore në vend. Kjo strategji lypet të jetë në qendër të misionit historik të diplomacisë shqiptare në mileniumin e ri.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar