Kur monumentet e diktaturës e bëjnë Tiranën “kozmopolite”

Pas rënies komuniste nën yryshin demokratik dhe si rezultat i nevojës për ndryshim u  zhbë identiteti i një qyteti ku ndërthureshin arkitektura orientale otomane, arkitektura fashiste italiane dhe ajo komuniste sovjetike. Tirana pas viteve 90’ u shpërfytyrua në të gjithë dimensionin e saj historik, duke mbivendosur në një mënyrë të dhunshme godina xhamllëku e betoni

Pas rënies komuniste nën yryshin demokratik dhe si rezultat i nevojës për ndryshim u  zhbë identiteti i një qyteti ku ndërthureshin arkitektura orientale otomane, arkitektura fashiste italiane dhe ajo komuniste sovjetike. Tirana pas viteve 90’ u shpërfytyrua në të gjithë dimensionin e saj historik, duke mbivendosur në një mënyrë të dhunshme godina xhamllëku e betoni kuturu.  Shkallmimi i pazarit të vjetër dhe shtëpive karakteristike  tiranse  shënojnë aktin e shkallmimit të zemrës historike dhe kulturore që çdo qytet evropian  e ruan me fanatizëm. Ruajtja e monumenteve të diktaturës përbën ende sot një temë diskutimi në nivel historianësh, antropologësh, sociologësh, psikologësh dhe  studiues të shkencave kulturore të fokusuar te komunizmi në tërësi. Vende si Shqipëria, Rumania dhe Bullgaria po kthehen sot në destinacione turistike edhe prej të kaluarës së tyre komuniste. Monumentet e komunizmit, sistemit që izoloi vendin me botën janë kthyer sot në monumente që tërheqin turistë të  huaj, duke i dhënë Tiranës çdo ditë e më tepër, fytyrën e një kryeqyteti të munguar kozmopolit.

Muzeu Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar është destinacioni  i parë çdo turisti të huaj që shkel Tiranën. Kryeqyteti sot ka humbur shumëçka nga memoria e saj historike, dhe gjithë historia e saj është mpakur brenda barkut të zbrazët të një godine, që është Muzeu Historik Kombëtar. Megjithëse është vjeshtë, vapa djeg.  Në shkallët e muzeut ngjiten e zbresin grupe turistësh, përgjithësisht të moshuar, por tek-tuk gjen edhe të rinj plot kërshëri. Në pamjen ballore  mes “pyllit në miniaturë” të qendrës, përballë muzeut, turistët ndalen për të shkrepur një fotografi.  Herë nga larg e herë nga më pranë,  fokusojnë muzeun dhe  mozaikun e tij që përbën një vepër arti më vete. Mozaik ky,  i realizuar nga një staf artistësh: Vilson Kilica, Josif  Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. I  afrohemi muzeut nga afër, bashkë me turistët. Hyjmë brenda. Në të gjithë hapësirën e hollit kryesor ku gjallon historia e një populli nuk ka ajër të kondicionuar. Muzeu i vjetër Historik, ende lëngon edhe pas njëzet e dy vjetësh nga rënia e komunizmit.

Punimet për ndërtimin e muzeut Historik Kombëtar kanë nisur në vitin 1980 dhe kanë përfunduar  në vitin 1981. Mozaiku në pjesën qendrore të tij është një kryevepër që përtej projektimit ideologjik të kohës është një vepër arti e Tiranës dhe pjesë integrale e muzeut si arkitekturë komuniste. Pas viteve ’90 është restauruar, duke iu hequr ylli në flamurin kombëtar.  Ka pasur edhe debate rreth heqjes së mozaikut si një vepër ideologjike, megjithatë këto debate që kanë marrë zjarr nga politika janë kundërshtuar nga arkitektët dhe artistët që më së shumti janë shprehur kundër prishjes së tij.

Pavjoni i terrorit komunist

Punonjësit e Muzeut Historik Kombëtar thonë se veçmas lashtësisë së popullit shqiptar, kulturën e ilirëve, që mishërohet në dhjetëra objekte e veçanërisht në skulpturat e mrekullueshme, por vëmendje të veçantë ka pasur pavijoni i terrorit komunist. Nga muaji Janar 2012 deri në shtator 2012 MHK u vizitua nga 460 grupe turistësh vendas dhe të huaj, prej të cilëve, 200 grupe anglishtfolës, 50 me frëngjisht, 25 me gjermanisht, 25 me italisht dhe pjesa tjetër me shqip. Numri i përgjithshëm i vizitorëve ishte 32 497. Nga të cilët 16 800 ishin vizitor të huaj dhe 15 697 vendas. Për rritjen e nivelit të shërbimit ndaj vizitorëve, veçanërisht atyre të huaj, vlen të përmendim bashkëpunimin dhe bashkërendimin e mirë të punës sonë me agjencitë turistike. Sotirulla Hoxha, shefe e sektorit të Historisë dhe muzeologjisë, rreth pavijonit të  terrorit komunist  që është përuruar në shkurt të këtij viti, shprehet: “Ka qenë një ndër pavijonet më të kërkuara për hir të së vërtetës. Është hapur në ’96 për herë të parë deri në vitin 2008. Në vitin 2008 për arsye të ndryshme është mbyllur,  kështu që në këtë vit u hap dhe është më i plotësuar. Nga të dhënat që kemi ky pavijon është i vetmi i llojit të tij në gjithë Evropën lindore post-komuniste. Ka pasur vizitorë shqiptarë dhe vizitor të shumtë të huaj që kishin ardhur në muze me qëllimin për të vizituar këtë pavijon”.

Sarah  është një turiste e re gjermane që mban në shpinë një çantë dhe që është e shoqëruar me një grup të tjerë turistësh. Me një fytyrë te zbehtë, bionde, por miqësorë e të buzëqeshur duket sikur na fton për të rrëfyer diçka. Pasi afrohemi dhe përshëndetemi, e pyesim se përse ka zgjedhur të vizitojë pavijonin e regjimit komunist?  “Kam dëgjuar rreth komunizmit shqiptar dhe diktatorit Enver Hoxha. Diktatura  është një periudhë e dhimbshme  për çdo popull, një periudhë që sa më shumë kalon koha aq më atraktive behet për të mësuar rreth saj dhe çmendurisë së udhëheqjes së kohës”.

Në të dalë të muzeut takojmë një tjetër turist, tanimë italian të quajtur Mauro. Rreth  monumenteve të diktaturës ai shprehet: “Nga një këndvështrim estetik i gjej të bukura, piramida është shumë e bukur nga një këndvështrim estetik. Edhe pse e kaluara e lidhur me piramidën është kontradiktore dhe e dhimbshme sa të duash. Edhe muzeun dhe Pallatin e kulturës i gjej si monumente të një periudhe të dhimbshme të Shqipërisë. Ka një këndvështrim estetik dhe një këndvështrim historik. Për një italian një objekt mund të prezantojë dika ndërsa për një shqiptar diçka tjetër. Edhe në Itali ka monumente të periudhës fashiste të cilat janë shumë të rëndësishme. Çdo qytet ka nevojë për një memorie historike”.

Piramida e rrënuar

Ish-muzeu “Enver Hoxha” u përurua në fund të vitit 1988 për të ngritur në piedestal figurën e diktatorit pas vdekjes së tij.  Megjithëse u ngrit për nder  të diktatorit piramida nuk qe asnjëherë mazoleum i mirëfilltë. Piramida është godina që për formën e vet gjeometrike dhe simbolikën e ndërtimit ruan lidhjen më të fortë konceptuale me të shkuarën . Ajo  integron e rivlerëson të gjithë godinat e vjetra përreth. Njëkohësisht e ripërmason në dimensione, duke shmangur boshin monoton të rrafshinës së sotme e krijuar kushte optimale për një shikim që në asnjë pikë s’është njësoj, një  variacion gjenial urban . Ajo dikur pasurohej me kalldrëmin e shtruar në shesh mozaik gurësh nga të gjitha zonat e Shqipërisë trevat ku jetojnë shqiptarët. E sot ato mozaik gurësh janë kthyer në një gërmadhë zhurrelash të marra nga secila trevë e Shqipërisë. Në pjesën hyrëse të saj ndodhet Kambana e Paqes, ndërtuar nga fëmijët e komunitetit katolik të Zadrimës. Për ndërtimin e saj u përdorën gëzhoja të shkrira të mbledhura nga trazirat e vitit 1997.  Rreth piramidës gjejmë fëmijë që luajnë skeibord, të tjerë që rrëshqisnin mbi të. Na bien në sy dy turistë, pak metra larg nesh, krejt të veçantë që vërtiten me biçikleta përreth piramidës.  Pasi i përshëndetim ata  afrohen pranë nesh, në pamjen ballore të Piramidës. Këta janë Alvaro dhe Maria që vijnë në Shqipëri nga Spanja.  Flasin një anglishte të dobët por me një theks spanjoll të këndshëm. I pyetur se përse ka zgjedhur të vizitojë një qytet si Tirana, Alvaro përgjigjet: “Kam ardhur në Tiranë sepse është një qytet ekzotik, që pak njihet jashtë. Për sa i përket arkitekturës, besoj se monumentet komuniste janë tërheqëse për arkitekturën dhe historinë në tërësi. Piramida duket një godinë e jashtëzakonshme megjithëse sot në një gjendje shumë të keqe, krejt të shkatërruar. “Pas një bisede të shkurtër  biseda devijoi rreth debatit tashmë të tejkaluar për prishjen e piramidës. Megjithëse nuk duken të informuar, mimika e fytyrës së tyre  është “wow”, kur informohen rreth debatit për prishjen e piramidës. E pyetur  rreth këtij debati Maria përgjigjet: “Nuk e di çfarë të them, më duket diçka krejt e gabuar. Në fakt unë dhe Alvaro po mendonim se si mund të ri-konstruktohej dhe të ri-ideohej kjo godinë. Mund të kthehej në një vepër arti, apo një qendër kulturore shumë e mirë. Nuk di, ajo çfarë di të them është se piramida ka qenë një arsye më shumë për ta vizituar Tiranën.”

Të pyetur se si do të vazhdojë aventura e tyre turistike me biçikleta ata njëzëri na thanë. “Do të vizitojmë edhe qytetet e tjera të Shqipërisë me biçikletë dhe më pas do të nisem për në  Dubrovnik”. Rrethdebatit për prishjen e piramidës Engelbert Ruos, drejtor i Zyrës Rajonale të UNESCO-s në Venecia më parë është shprehur: “Nëse shemben një nga një të gjitha objektet, skulpturat dhe veprat e artit a të arkitekturës që na kujtojnë diktaturën, atëherë me siguri gjithçka që na lidhte me to, e mirë a e ligë, do të zhdukej në harresë. Dhe kostoja e harresës është e shumëfishtë. Edhe periudha ish-komuniste është një epokë si gjithë të tjerat, që ka vendin e saj në histori. E pikërisht për këtë arsye duhet të trajtohen si pjesë e trashëgimisë edhe ndërtimet e kësaj periudhe”.  Në qëndrimin që duhet të mbajmë ndaj monumenteve arkitektonike komuniste na mëson shumë Fatos Lubonja, një ndër figurat publike më të zëshëm të tranzicionit post-komunist Shqiptar. Megjithëse ai e ka vuajtur personalisht çmendurinë e një diktature, rreth vet burgut të tij Spaçit, ai do të shprehej në media se Spaçi duhej të  kthehej në muze. Sipas Lubonjës veprat e komunizmit duhen ruajtur për vlerat historike, prandaj sipas tij nuk duhet prishur as piramida. Nuk është çështja vetëm për të tërhequr turistët por për t’ju lënë brezave një memorie historike, një dëshmi, një dokument të kohës.

Të gjitha të drejtat e këtij shkrimi janë të rezervuara. Nuk lejohet botimi në mediume të tjera në asnjë mënyrë pa lejen me shkrim të “Gazeta Start”.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar