Kopshti Botanik, një oaz në qoshe të Tiranës

0

Panajot Dybeli & Theodora Duka 

Në fund të rrugës së pluhurosur dhe me pallate që ngjiten tek njëri-tjetri pa asnjë hapësirë gjelbërimi tek “Komuna e Parisit”, gjendet një oaz i vërtetë natyror, një mushkëri e gjelbër.

Kopshti Botanik i Tiranës shërben si vend ku prindërit mund të nxjerrin shëtitje fëmijët e tyre, ku të moshuarit mund të relaksohen nën hijen e pemëve, në vend që të rrinë në një kafene të zhurmshme.

Kopshti Botanik është ndërtuar në vitin 1971, mbështetur në parimet fito-gjeografike dhe sistematike. Ai zë një sipërfaqe prej rreth 15 ha, në shpatet kodrinore jugore të Tiranës. Ky kopsht vlerësohet si Njësi Shërbimi Universitar, në varësi të drejtpërdrejtë nga Dekanati i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Në vitin 1981 u publikua për herë të parë Treguesi i Farave, i cili shkëmbehet me rreth 160 Kopshte Botanike në mbarë botën. Këtu, kohë më parë, bënin pjesë rreth 1 400 lloje të ndryshme bimësh, ndërkohë që tani janë më pak se 700 lloje.

Nëpërmjte një vëzhgimi në Kopshtin Botanik kupton se sa e mjerueshme është situata. Por ajo që të shqetëson më shumë bëhet e ditur nga biseda me përgjegjësin e Kopshtit Botanik dhe Botanistin, Prof. Dr. Petrit Hoda, i cili na shoqëron që të shohim bimësinë. Me keqardhje ai thotë se vitet e fundit kanë humbur 180 bimë të rralla.
“Mund të themi që këtu ka dhe bime që janë të rrezikuara te zhduken, por ka dhe nga ato bimë që janë të kërcënuara dhe mund të themi që faktori kryesor pse këto bimë janë të kërcënuara është vetë dora e njeriut”, shprehet z. Hoda.

Më tej ai shton se aktiviteti shkencor është përqendruar kryesisht në studimin e florës dhe bimësisë së Shqipërisë, veçanërisht llojeve të kërcënuara, të rralla dhe endemike, dhe rritjen e tyre brenda kopshtit.

Kopshti Botanik është institucioni i vetëm në Shqipëri me karakter kërkimor, kulturor dhe edukues në këtë fushë. Ai ka dy qëllime kryesore. Së pari qëllimi shkencor, që është njohja dhe vënia në shërbim të bimëve të egra. Së dyti ëhstë qëllimi mësimor, ku në thelb është t’i shërbejë studentëve që kanë dëshirë të studiojnë florën shqiptare.

Kopshti Botanik si qëllim kryesor nuk ka që të shërbejë si vend çlodhjeje, por tu tregojë vizitorëve bimësinë që gjendet në të.

Për mirëmbajtjen e tij punojnë rreth 23 punëtorë, 5 prej të cilëve janë kërkues shkencorë që i shërbejnë Kopshtit Botanik gjatë gjithë vitit. Vizitorët në Kopshtin Botanik janë turistë të huaj, si dhe nga Shqipëria që zënë edhe pjesën më të madhe. Ky kopsht frekuentohet shumë edhe nga studentë të universiteteve, të cilët zhvillojnë praktikat e mësimore.

20150331_133418

20150331_134648

20150331_134758

20150331_135408

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here