Ilda Xhafa & Luljeta Halimi Trotuaret shqiptare janë kthyer në toka të zaptuara nga tregtarë ambulantë, të cilët e shohin tregtimin e mallrave të pacertifikuara si mënyrën e vetme “për të fituar bukën e gojës”. Përgjatë gjithë rrugës që të çon në zonën e “Don Boskos”, por edhe në zona të tjera të kryeqytetit, shitja
Ilda Xhafa & Luljeta Halimi
Trotuaret shqiptare janë kthyer në toka të zaptuara nga tregtarë ambulantë, të cilët e shohin tregtimin e mallrave të pacertifikuara si mënyrën e vetme “për të fituar bukën e gojës”.
Përgjatë gjithë rrugës që të çon në zonën e “Don Boskos”, por edhe në zona të tjera të kryeqytetit, shitja e mallrave në rrugë është kthyer prej kohësh në një aktivitet të përditshëm për shumë banorë të zonave përreth.
Fruta-perimet, produktet e bulmetit, fasulet, ullinjtë, vezët, vaji i ullirit apo mjalti që propagandohen nga tregtarët se janë “produkte të freskëta vendi”, tërheqin një numër të madh konsumatorësh, të cilët kthehen në klientë të rregullt të blerjes në trotuare.
: “Preferoj të ble qumësht katundari se është më i mirë. Më pëlqen se i marr ajkën e zë gjalp me të. Është i freskët dhe kam vite që e marr këtu qumështin”, përgjigjet një qytetar se pse preferon të konsumojnë produktet e tregtuara nga shitësit ambulantë.
Nuk munguan edhe pohimet e shumë qytetarëve të tjerë, të cilët shprehen se në rrugë janë fermerët e zonave përreth ata që shesin. Ndaj, të bindur se janë produkte që fshatarët i kultivojnë në arën e tyre, nxiten t’i preferojnë.
Por, të pyetur jashtë regjistrimit, tregtarët që i prezantohen konsumatorëve si “fshatarë me arën e vet” e pranojnë se furnizohen në të njëjtat pika ku furnizohen edhe dyqanet e mallrave ushqimore.
Të frikësuar dhe të vetëdijshëm për veprimin e paligjshëm të shitjes nëpër trotuare, shpesh na largojnë e nuk pranojnë t’u përgjigjen pyetjeve tona. Por gjejmë edhe të tjerë që pranojnë të na përgjigjen duke shpjeguar se kushtet e vështira ekonomike i detyrojnë ta shohin këtë si të vetmen mënyrë të sigurimit të të ardhurave. “Jemi papunë, shteti s’na ndihmon si t’ia bëjmë ne? Policia vjen e na lëviz. Ne presim 2-3 ditë e vijmë prap se do ushqehemi, s’kemi mënyrë tjetër”, shprehet njëri prej tyre në rrugën “Don Bosko”.
Reagime të tjera marrim nga pronarët e dyqaneve të shumicës. Të shqetësuar rreth situatës në fjalë ata kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve përgjegjëse. Herë pas herë nuk ngurrojnë të bëjnë kalkulime rreth fitimeve të shitësve ambulantë, të cilat sipas tyre, janë të majme. Ndërsa situatën e tyre e paraqesin të rëndë sepse u duhet të paguajnë të gjitha detyrimet shtetit.
“Hiqen si fshatarë dhe u thonë se i kanë produkte të arës së vet, po në të vërtetë furnizohen në treg si puna jonë. Nuk paguajnë as taksa as tatime, as korrent e asgjë dhe shesin mu përpara derës së dyqanit tim. Lajmëro sa të duash ti policinë, ato të nesërmen po aty kthehen. S’ke ç’u bën. Ne paguajmë kokërr më kokërr detyrimet shtetit, ndërsa ato fusin 50 mijshen në xhep në fund të ditës e s’duan t’ia dijnë për gjë”, shprehet e irrituar shitësja e një dyqani bulmeti në “Don Bosko”.
Nga gjithë kjo panoramë që sjell realiteti kryeqytetas, konsumatori shqiptar mbetet i pambrojtur dhe i rrezikuar nga mallrat që konsumon. Shpesh në përpjekje për të gjetur “produkte të vendit” bie pre e mallrave që shiten në kushtet e mungesës së higjienës më minimale. Në përpjekje për të zgjedhur mallra sa më cilësorë e të shëndetshëm ai rrezikon të bëjë zgjedhjen e gabuar.
Ndërkohë “shteti që mbron jetën e qytetarëve” po bëhet gati për zgjedhjet e radhës dhe çështja në rendin e ditës mbetet zgjedhja e emrave si kandidatë për bashkitë. Sa për qytetarët, nga të cilët do marrin votën, interesi i drejtuesve lokalë apo qendror s’duket gjëkundi.
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *