Shpesh na ndodh që t’i drejtohemi mjekëve për problemet shëndetësore që na shqetësojnë në metabolizimin tonë. Atëherë kur gjithçka duket e vështirë, bluzat e bardha mbeten e vetmja rrugëdalje nga gjendje në të cilën ndodhemi. Problemet shëndetësore që na shqetësojnë, i’a tregojmë profesionistëve dhe presim nga ta këshilla për shërim. Por a e keni menduar
Shpesh na ndodh që t’i drejtohemi mjekëve për problemet shëndetësore që na shqetësojnë në metabolizimin tonë. Atëherë kur gjithçka duket e vështirë, bluzat e bardha mbeten e vetmja rrugëdalje nga gjendje në të cilën ndodhemi. Problemet shëndetësore që na shqetësojnë, i’a tregojmë profesionistëve dhe presim nga ta këshilla për shërim.
Por a e keni menduar ndonjëherë jetën pa mjekë? Do të ishte një kaoz i vertetë! Siç e dimë, mjekët janë të ndarë sipas fushave që mbulojnë, dhe një nga këto fusha është fizioterapia!
Një degë në të cilën gjejnë zgidhje shumë nga problemet tona fizike. Për të folur më shumë rreth kësaj fushe, sot fizioterapistja Mirsije Kullau ka ndarë me ne eksperiencën e saj, duke dhënë disa këshilla të vlefshme.
Ne e kemi pyetur atë se cilat janë disa nga shqetësimet shëndetësore dhe fizike, që gjejnë zgjidhje nga fizioterapia?
Ajo thotë se fizioterapia është trajtimi i një game të gjerë problemesh shëndetësore dhe fizike.
‘Fizioterapia si një profesion i kujdesit shëndetësor ofron trajtim dhe zgjidhje për një gamë të gjerë problemesh shëndetësore dhe fizike të specialitetve të ndryshme si ato neurologjike, muskulo-skeletike, pediatrike, ortopedike, onkologjike, kardiovaskulare etj. Kështu, fizioterapistët trajtojnë pacientë me dëmtime muskulare, me probleme posturale, gjendjet post-frakture, pacientë me probleme kardiake, pacientë që kanë kaluar insult cerebral, pacientë me kancer, trajtojnë gjithashtu probleme të zhvillimit neuromotor te fëmijët, probleme që vijnë si pasojë e sëmundjeve reumatizmale e shumë të tjera’, thotë Kullau.
Fizioterapistja e cila punon në një klinikë private tregon edhe moshat që e kërkojnë më shumë këtë shërbim, duke treguar se treguar se më të shpeshtat janë ato mes 45 dhe 65-vjeç.
Kush janë moshat që kërkojnë më shumë një trajtim të tillë?
‘Grupmoshat më të shpeshta të cilat kërkojnë trajtim fizioterapeutik, duke u mbështetur edhe në eksperiencën personale janë ato ndërmjet 45-65-vjeç. Kjo ndoshta pasi në këtë grupmoshë janë më të pranishme problemet reumatizmale të cilat shpeshherë sjellin limitime të aktivitetit të këtyre njerëzve. Por me duhet të theksoj që fizioterapia trajton të gjitha grupmoshat duke filluar nga lindja deri në fazat terminale të jetës së njeriut’, tregon ajo.
Shpesh shohim në internet ose television medikamente të cilat ‘premtojnë’ zgjidhjen e problemit. Por a janë ato aq efikase në të vërtetë?
Sipas Kullaut, një nga problemet më të zakonshme janë kremrat, të cilët kanë mungesë informacioni kur tregtohen. Ajo sugjeron se pavarësisht kësaj, asnjëherë medikamentet, nuk e zëvendësojnë rolin e fizioterapistit.
A ndodh që pacientët të mashtrohen nga barna që rekomandohen në internet ose televizio?
‘Në praktikën time të punës kam hasur pacientë që vijnë në klinikë për një problem të caktuar pasi kanë provuar format nga më të ndryshme të mundshme për zgjidhjen e atij problemi. Dhe një ndër to është edhe përdorimi i kremrave apo medikamenteve të ndryshme të cilat reklamohen në rrjete sociale apo televizion. Problemi më i madh me këto produkte është mungesa e informacionit të plotë. Asnjë medikament nuk e zëvëndëson rolin e fizioterapisë. Mund të ndikojnë lehtësisht në uljen e ndonjë simptome të caktuar si dhimbja apo inflamacioni por nuk kanë rol në reahbilitimin e funksionit dhe trajtimin holistik të individit’, pohon fizioterapistja Kullau.
Më tej mjekja shprehet se shqiptarët kanë filluar ta njohin këtë fushë, dhe numëri i atyre që kërkojnë shërbim është në rritje dita-ditës.
A kanë filluar shqiptarët t’ia kuptojnë vlerën këtij shërbimi?
‘Po, mund të them që në vendin tonë ka kohë që një pjesë e madhe e njerëzve e kanë kuptuar rëndësinë e fizioterapisë. Këtë e them pasi çdo ditë e më tepër rritet numri i atyre pacientëve të cilët paraqiten te fizioterapisti pa patur ndonjë referim të mëparshmëm nga mjeku.
Po ashtu kemi edhe rritjen e numrit të atyre personave të cilët konsultohen me fizioteraistin pa patur ndonjë shqetësim aktual. Kjo na tregon që njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen për rolin e fizioterapisë që ajo ka, jo vetëm në trajtimin e shumë problematikave shëndetësore por edhe në parandalimin e këtyre të fundit. Patjetër këto raste nuk janë njësoj si rastet e personave të ndërgjegjësuar për shërbimet dentare për shembull. Kështu që ne si profesionistë kemi akoma shumë punë për të bërë në mënyrë që të promovojmë dhe tregojmë rëndësinë e profesionit tonë jo vetëm në trajtim, por edhe në parandalimin e një sërë problematikash fizike dhe jo vetëm’, tha ajo.
Kullau këshillon që njerzit duhet të kryejnë të paktën një herë në 6 muaj konsultë me një specialist të fizioterapisë.
Si një fizioterapist me eksperiencë, një herë në sa kohë është e këshillueshme një konsultë me një profesionist të kësaj fushe?
‘Shpeshtësia e konsultave me fizioterapistin nuk ka një “recetë” fikse, por do të këshilloja të paktën një konsultë çdo 6 muaj për të gjithë njerëzit pavarësisht nëse kanë apo jo problematika të evidentueshme. Kjo sepse vizitat e rregullta na e bëjnë më të lehtë punën në parandalimin ose në trajtimin në fazat e hershme të problemeve që mund të paraqesë personi’.
Duke pasur parasysh mentalitetin e qytetarëve për kursimin e parasë dhe situatën ekonomike në të cilën vendi ynë ndodhet, mendua ta pyesim fizioterapisten se sa kushton një shërbim i tillë.
A është i kushtueshëm një trajtim fizioterapik i përgjithshëm?
‘Çmimi i një trajtimi fizioterapeutik është i ndryshueshëm në varësi të përqasjes apo teknikave që përdoren dhe vlerësohet për çdo seancë. Mund të them që një seancë fizioterapie rrallë kushton më shumë se një shërbim dentar apo shërbim estektik. Problemi që kam vënë re në vendin tonë është mungesa e një kontrolli të çmimeve të shërbimeve të fizioterapisë e cila sjell një prishje të konkurrencës së drejtë ndërmjet prfesionistëve dhe klinikave të ndryshme’.
Kullau tregon më poshtë që seancat e terapisë mund të zgjasin vetëm për një herë, por ka raste kur ato mund të zgjasin me vite.
Sa zgjat një trajtim në kohë?
‘Kohëzgjatja e trajtimit është e ndryshme në varësi të problematkës që shfaq pacienti. Ka raste të cilat gjejnë zgjidhje vetëm me një seancë fizioterapie dhe ka të tjera që kërkojnë terapi që zgjat me vite. Problemet e zhvillimit neuromotor për shembull kërkojnë terapi të vazhdueshme që zgjat në kohë. Kjo, për të arritur sa të jetë e mundur një autonomi të pacientit në aktivitetet e jetës së përditshme. Shumë problematike të tjera me natyrë reumatizmale, osteomuskulare kërkojnë një ndjekje mesatarisht 2- 4 javë’, tha ajo.
A ka garanci pacienti pas një trajtimi të tillë, dhe fizioterapistja u përgjigj duke thënë:
‘Për sa kohë që jeta jonë është dinamike, aktivitetet dhe ngjarjet që na ndodhin janë të paparashikueshme, trupi dhe organizmi jonë ndikohet nga një mori faktorësh të modifikueshëm dhe të pamodifikueshëm, nuk mund të japim një garanci të tillë që problemi që trajtojmë nuk do të kthehet më. Besoj se vlen e njejta gje edhe për shërbimet e tjera mjekësore. Askush nuk mund të garantojë me siguri të plotë që një problem që trajtohet nuk do të ripërsëritet më’.
Kullau është një fizioterapiste me eksperiencë, dhe duke ditur këtë gjë e pyetëm nëse kishte një rast pacienti që mund të veçonte nga të tjerët.
Cili ka qenë rasti më i çuditshëm që keni trajtuar?
‘Rastet janë të gjitha unike, pavarësisht se dy pacientë paraqiten me të njëjtën problematikë, qasja për secilin është e ndryshme dhe kjo varet nga faktorë bio-psiko-socialë. Nuk e di nëse mund ta quaj të ‘çuditshëm’ si rast, por më bëjnë përshtypje rastet të cilat nuk referohen në fizioterapi nga profesionistë të tjerë të shëndetësisë.
Për shembull kam patur raste të pacientëve që janë trajtuar për vite më radhë për dhimbje koke, migrenë me medikamente kur në fakt problemi e kishte origjinën nga qafa, pjesa cervikale dhe është trajtuar plotësisht vetëm me një javë terapi.
Më vjen keq për rastet e fëmijëve të cilët shfaqin probleme posturale në moshë të vogël dhe nuk referohen në fizioterapi. Pas disa vitesh rastet e këtyre fëmijëve jo vetëm që nuk kanë ndryshuar por janë përkeqësuar më tepër. Kjo e bën më të vështirë arritjen e rezultateve të shpejta dhe optimale’, tha ajo.
Në mbyllje ne i kërkuam fizioterapistes në rekomandim për ndjekësit dhe lexuesit tani, dhe ajo tha që me e mira është marrja e masave të parandalimit, se sa trajtimi i problematikës.
‘Këshilla ime për të gjithë është të mos neglizhoni sinjalet që ju dërgon trupi, organizmi juaj. Merrni masa për të parandaluar më mirë se të trajtoni. Ujë, diell, ushqime të shëndetshme dhe sa më shumë lëvizje për tu ndjerë më mirë dhe për të bërë më mirë në jetë’, përfundon Kullau.
Alban Hoxha
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *