Jeta e studentëve të huaj në Shqipëri/ Përjetimet e studenteve nga Indonezia, Turqia dhe Kazakistani

Jeta e studentëve të huaj në Shqipëri/ Përjetimet e studenteve nga Indonezia, Turqia dhe Kazakistani

Shqipëria, e cilësuar si një xhevahir i vendosur në zemër të Ballkanit, duket se ka ardhur duke rënë gjithnjë e më shumë në sy nga turistët. Nga plazhet përgjatë brigjeve të Jonit dhe Adriatikut e deri te peizazhet malore, Shqipëria duket se ofron një miksim eksperiencash për turistët që kërkojnë sharmin e Mesdheut, e për

Shqipëria, e cilësuar si një xhevahir i vendosur në zemër të Ballkanit, duket se ka ardhur duke rënë gjithnjë e më shumë në sy nga turistët. Nga plazhet përgjatë brigjeve të Jonit dhe Adriatikut e deri te peizazhet malore, Shqipëria duket se ofron një miksim eksperiencash për turistët që kërkojnë sharmin e Mesdheut, e për këtë shkruan dhe New York Times.  Nëpër shumë media shikojmë shifra rekord të turistëve që vijnë dhe vizitojnë vendin gjatë vitit dhe sidomos gjatë verës, por a është Shqipëria një vend vetëm për tu vizituar, apo njerëzit mund të bëjnë plane më afatgjata për qëndrimin në vendin tonë, ndoshta dhe për të studiuar?

Tv Klan rendit studentët italianë si më të shumtët në numër që studiojnë në Shqipëri, e më pas vijnë dhe studentët nga Kosova.  Ne zbuluam dhe disa studentë të tjerë të cilët vijnë nga vende si Indonezia, Kazakistani dhe Turqia. Zana, Ana, Ardak dhe Bejza na treguan më shumë mbi eksperiencën e tyre studentore në Shqipëri, teksa ne patëm mundësi të merrnim pjesë në ditën e studentëve internacionalë, që univeristeti ku ato studiojnë organizoi.

Teksa shijonim kërcimet, veshjet dhe këngët kaq energjike që përfaqësonin shtetet nga të cilat studentët vinin, patëm kënaqësi dhe të provonim nga ushqimet tradicionale të cdo shteti dhe kështu morëm dhe në një shije nga kontinente të tjera.

Për Zanën dhe Anën, dy vajza nga Indonezia, të cilat tashmë po mbyllin vitin e tyre të tretë me studimet Bachelor në Shqipëri, shkëmbimi i tyre akademik në këtë shtet ishte një udhëtim drejt së panjohurës.

“Është si të futesh në një rrugë të panjohur ku aq sa je e emocionuar, je dhe e frikësuar,” tha Zana, duke kujtuar ditët e saj të para  në Shqipëri.

Ana vendosi theksin te atmosfera dhe ndjesitë e para me njerëzit këtu:

“Shqiptarët kanë këtë natyrë të ngrohtë, mikpritëse që të bën të ndihesh pjesë e familjes së tyre që nga dita e parë. Është diçka që nuk e prisnim, por jemi thellësisht mirënjohëse.”

Ndërsa biseda rrodhi, Bejza, studentja turke e shkëmbimit, ndau këndvështrimin e saj. “Shqipëria ndihet si një shtëpi e dytë për mua”, tha ajo duke buzëqeshur.

“Ngjashmëritë në gjuhë dhe zakone midis Turqisë dhe Shqipërisë e bëjnë tranzicionin më të qetë. Megjithatë, ka ende nuanca që vazhdojnë të më befasojnë çdo ditë.”

Ardak, studentja nga Kazakistani, teksa ndan të njëjtat mendime si studentet e tjera thekson se sa përshtypje i bën që njerëzit në Shqipëri kanë një zell të madh për te punuar dhe arrijnë të bëjnë shumë punë në të njëjtën kohë.

Teksa i pyes më tej mbi jetën studentore në Shqipëri ato shprehin kritikat dhe anët pozitive që vënë re.

“Studimi në Shqipëri ka qenë një përvojë pasuruese”, shpjegoi Zana.

“Profesorët janë të apasionuar pas lëndëve të tyre por ajo që duket se mungon në Tiranë janë bibliotekat ku studentët të ndiejnë se janë pjesë e rëndësishme e qytetit. Këtë gjë se kam parë as në qytetet historike qëkam vizituar këtu në Shqipëri si Berati apo Gjirokastra.”

Ana pohon atë që thotë Zana dhe përmend plot entuziazëm që këto vuajtje ja vlejnë kur gjen ushqim të mirë.

“ Nëse arrijmë të gjejmë burek të mirë apo dhe ndonjë ëmbëlsirë si bakllava, atëherë mund të mësojmë dhe nëpër kafe si cdo student tjetër shqiptar.”- shton ajo duke qeshur.

Ndërsa biseda u kthye në përvojat e tyre individuale, secila studente ndau me ne dhe se cfarë i ka mësuar Shqipëria gjatë kësaj kohe.

Ardak, studentja nga Kazakistani thotë se:

Kam mësuar të vlerësoj gëzimet e thjeshta të jetës këtu, si shëtitjet e qeta nga liqeni artificial ose pirja e një çaj mali në kafene komode apo dhenjë ekspres.”

Bejza përfundon bisedën me një buzëqeshje: “Shqipëria shpesh më nxjerr mallin e vendlindjes sime. Nga peizazhet e saj mahnitëse te kultura e saj e gjallë dhe njerëzit mikpritës, është një vend që unë do ta mbaj gjithmonë të dashur në zemër.”

Ndërsa vajzat vijuan të ishin pjesë e festimeve të ditës së studentëve internacionalë, Shqipëria një vend i vogël dhe i panjohur për shumë njerëz,  për Zanën, Anën, Bejzën dhe Ardakun, është një realitet ku ato po kalojnë vitet më dinamike të jetës së tyre. Një realitet i thurur me kujtime të paharrueshme dhe miqësi të përjetshme.

Punoi: Samanta Zela

Alban Tufa
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar