Institucione vendore, KLSH 20 kallëzime penale

0

Kontrolli i Lartë i Shtetit muajt e fundit është përqëndruar tek auditimi i institucioneve vendore, tek bashkitë dhe komunat, duke bërë që në Prokurori të paraqiten me dhjetëra dosje. Kontrolli është ushtruar për gjatë dy viteve 2011-2012.

Ndërkaq, në bashkinë e Kavajës KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik me vlerë 25 milionë lekë, i shkaktuar nga moszbatimi korrekt të ligjit për prokurimet publike, nga shkeljet e bëra në këtë bashki janë kallëzuar në prokurori 6 persona nga Bashkia e Kavajës. Tjetër bashki është ajo e Kuҫovës me një dëm ekonomik me vlerë 5.8 milionë lekë. Sipas KLSH, audituesit janë ndeshur me shkelje që konsistojnë në mangësi në zbatimin e legjislacionit, si në drejtim të administrimit material e monetar, ashtu dhe në drejtim të prokurimeve publike dhe kontrollit të territorit. Në Prokurori kanë përfunduar tre punonjës, ndër to drejtori i Ndërmarrjes Komunale, përgjegjësja e financës dhe drejtori i Shërbimeve të Transportit të Bashkisë Kuçovë.

Përsa u përket komunave, shkelje KLSH ka gjetur në komunën Gjilan të Elbasanit, ku është konstatuar një dëm me vlerë 11.8 milionë lekë, kjo si pasojë e ndërtimit të ujësjellësit Garxhe-Pashtresh-Xibër- Kafer-Valesh-Gjinar-Elbasan, ku komisioni i komunës ka skualifikuar një ofertë dukshëm më të lirë dhe ka favorizuar një tjetër. KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan për 4 punonjës të kësaj komune. Gjithashtu dhe në komunën Levan të Fierit me një dëm ekonomik prej 8.8 milionë lekësh, ku KLSH ka kaluar në Prokurori 7 persona.

/Erilda Sulika/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here