Hashim Thaçi triumfon në zgjedhjet e Kosovës!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar për të tretën herë me radhë mandatin për qeverisjen e vendit. Me 29,9 për qind të votave, të dala nga rezultatet preliminare jozyrtare të “Demokracisë në Veprim”, PDK-ja që udhëhiqet nga Hashim Thaçi, në koalicion parazgjedhor me Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit dhe Lëvizjen për Bashkim të

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar për të tretën herë me radhë mandatin për qeverisjen e vendit. Me 29,9 për qind të votave, të dala nga rezultatet preliminare jozyrtare të “Demokracisë në Veprim”, PDK-ja që udhëhiqet nga Hashim Thaçi, në koalicion parazgjedhor me Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit dhe Lëvizjen për Bashkim të Avni Klinakut, kanë fituar shumicën e votave për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Duke kompensuar përmes këtyre partive humbjen e votave që do t’i ndaheshin nga bastionet në Malishevë e Drenas, pas themelimit të Nismës për Kosovën nga Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, fitorja e fundit bëri që Thaçi për të tretën herë të jetë mandatari i Qeverisë së Kosovës.

Partia që pësoi humbje në bastionin e saj në kryeqytet edhe gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – ndonëse sipas disa analizave mund të sfidonte “Misionin e ri”, sërish doli pas PDK-së. Kështu, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sipas rezultateve preliminare të “Demokracisë në Veprim” është votuar nga 26,3 për qind e qytetarëve që kanë dalë në votime.

LDK-ja e AAK-ja heshtin pas marrjes së rezultateve

Pas LDK-së, është Lëvizja “Vetëvendosje” ajo që i ka “zënë vendin” Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për dallim nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, që u mbajtën në vitin 2010. Lëvizja “Vetëvendosje”, sipas rezultateve të ofruara në orët e vona të mbrëmjes nga “Demokracia në Veprim”, del të jetë radhitur si subjekti i tretë politik në vend, duke shënuar një ngritje sa i përket besimit të qytetarëve në shkallë vendi.

Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që drejtohet nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka shënuar një rënie në nivel vendi, duke mbetur subjekti i katërt i votuar. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur AAK-ja kishte më shumë vota se Lëvizja “Vetëvendosje”, kësaj radhe Lëvizja do të marrë 13,9 për qind të votave duke lënë pas AAK-në me 10,1 për qind të votave.

Pas deklarimit të rezultateve preliminare, zyrtarët e LDK-së e as ata të AAK-së nuk janë deklaruar për procesin zgjedhor. Kurse “Vetëvendosje” ka pranuar fitoren e PDK-së, duke e justifikuar këtë fitore si rezultat të dobësimit të LDK-së.

Nisma për Kosovën, subjekt ky i ri politik që u themelua nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ish-nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, sipas rezultateve preliminare të “Demokracisë në Veprim”, ka marrë 5 për qind të votave, duke kaluar pragun zgjedhor.

Aleanca Kosova e Re, partia e ish-presidentit dhe ish zv.kryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, kësaj radhe nuk është ndarë mirë me vota. Ky subjekt sipas rezultateve preliminare ka pësuar një rënie, duke marrë vetëm 4,8 për qind të votave të qytetarëve me të drejtë vote. Kështu, AKR-ja mezi ka kaluar pragun zgjedhor, ndonëse në zgjedhjet e kaluara lokale, ky subjekt “befasoi” duke fituar zgjedhjet në komunën e Mitrovicës dhe të Gjakovës.

Por, në Mitrovicë AKR-ja ka marrë në zgjedhjet lokale vetëm 7,73 për qind të votave duke u sfiduar nga PDK-ja, e cila ka fituar mbi 45 për qind të votave.

Sipas “Demokracisë në Veprim”, është “Srpska Lista”, subjekti që ka fituar 2,9 për qind të votave, duke u futur në Parlament, falë mungesës së kuotave dhe vendeve të garantuara për pakicat. Pjesa prej 7,3 për qind të votave ka shkuar te partitë tjera që nuk kanë kaluar pragun zgjedhor.

Festë e përgjakur!

Ende pa u shpallur në tërësi këto rezultate, një traktor i madh ka “përshkuar” mes për mesi Prishtinën. Është ndalur afër “Sheshit 21”, pikërisht afër vendit ku duke festuar fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, një simpatizant i kësaj partie goditi me motoçikletë një qytetar që po i ofrohej vendit të tij të punës.

Traktori ka lëvizur ngadalë, duke u futur edhe brenda sheshit të kryeqytetit të shtruar me mermer. Rimorkio e traktorit goditej fuqishëm me një çekan hekuri nga vetë udhëtarët e tij, simpatizantë të partisë që edhe një herë fitoi shumicën e votave, për të bërë pushtetin. Autoambulanca ka arritur në vendin e aksidentit pak minuta pasi një polic i njësisë së Policisë Speciale të Kosovës përpiqej t’ia ndalë gjakun që i shkonte fytyrës të riut me profesion kamerier. Gjithë kjo në orët e mbrëmjes, kur u dhanë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Edhe pse ishte dukur fare pak në fushatën zgjedhore, ishte Kadri Veseli, ish-shefi i SHIK-ut, ai që iu dha rasti që i pari të kumtojë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës, duke iu referuar rezultateve preliminare të Exit Poll-it, të organizuar nga Organizata joqeveritare “Gani Bobi” dhe përqindjes së parë të të dhënave nga “Demokracia në Veprim”.

Pak më vonë, ende pa u fshirë gjaku i të riut që u aksidentua, kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, arriti pikërisht në “Sheshin 21”, ku po e prisnin simpatizantët dhe votuesit që i besuan votën atij dhe partisë së tij. Atëherë filloi festa e madhe.

Në binën e fitores, në krah të kryetarit të PDK-së, u panë edhe nënkryetari i Partisë, Hajredin Kuçi, zëvendëskryetari Kadri Veseli dhe zyrtarë tjerë të lartë të PDK-së. Fishekzjarrët “drodhën” kulmin e ish-Pallatit të “Rilindjes”. Krejt vonë, u dëgjuan edhe daullet.

 

/Zeri.info/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar