Hakorja: Për t’u bërë gazetar duhet të jetosh me lajmin

0

I ftuari i radhës në ciklin e leksioneve të hapura ”Studenti dhe Profesioni” që organizohet nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit në Universitetin “Hëna e Plotë” (Bedër) ishte Fatos Hakorja, kryeredaktor i lajmeve në televizionin “Klan”.

Në bashkëbisedimin që pati me studentët dhe të pranishmit, z. Hakorja e nisi bisedën duke theksuar se besueshmëria është një ndër aspektet më të rëndësishme në gazetari. Ai u shpreh mbi rëndësinë e konfirmimit të burimeve. “Çdo lajm duhet të ketë të paktën dy burime. Nëse nuk jeni të bindur se informacioni është i saktë, mos e botoni lajmin”.

Gjithashtu, z. Hakorja tha se për të qenë objektiv gazetari duhet të jetë i pandikuar nga influencat dhe të qartësohet se çfarë dëshiron të bëjë: të japë lajmin apo të japë opinione. “Kur të bëni emër dhe të fitoni besueshmërinë gjithsesi do të kuptoni se nuk mjafton pasi  sinqeritetin dhe të vërtetën nuk mund ta keqpërdorësh. Duhet të vendosim nëse të vërtetën do ta përdorim për të informuar publikun apo për të dëmtuar dikë tjetër”.

Ai u sugjeroi studentëve që ta fillojnë karrierën e tyre në gazetë apo revistë për shkak të avantazheve që të jep në përmirësimin e të shkruarit ndërkaq që në televizion 80% është figurë dhe vetëm 20% e përbën zëri i gazetarit.

Gjithashtu, nga eksperienca e tij z. Hakorja u shpreh se studentët e gazetarisë duhet të shkruajnë çdo ditë nga një histori me bazë faktet. Të shkruajnë sidomos në lidhje me fenomenet e realitetit duke ja përshtatur stilit të tyre.

Kryeredaktori i televizionit “Klan”, prej pesë vitesh bëri të ditur se interesat e veçantë publik kanë lajmet në fushën mjekësore. “Lajmet më të ndjekura janë ato të shkencave mjekësore. Kryesisht janë lajme për zbulimin e medikamenteve të reja në luftën kundër sëmundjeve”.

Fatos Hakorja u sugjeroi studentëve që për të qenë i suksesshme në gazetari duhet përditësimi i vazhdueshëm me zhvillimet nga vendi, rajoni dhe bota. “Nëse doni të bëheni gazetar duhet të jetoni me lajmet, të ndiqni emisionet, programet, zhvillimet e ditës etj. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë këtu ndahet rruga juaj me gazetarinë”.

/Objektiv.al/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here