Ilda Xhafa & Arjola Hajdini Tirana e smogut, në një ditë të ngrohtë prilli tregoi anën e saj ekologjike. Në metropolin shqiptar të trafikut të makinave, një numër të konsiderueshëm zenë edhe përdoruesit e biçikletave. Të rinj e të reja, gra dhe burra, fëmijë dhe të moshuar zgjedhin biçikletat si mënyrën e tyre të preferuar
Ilda Xhafa & Arjola Hajdini
Tirana e smogut, në një ditë të ngrohtë prilli tregoi anën e saj ekologjike. Në metropolin shqiptar të trafikut të makinave, një numër të konsiderueshëm zenë edhe përdoruesit e biçikletave. Të rinj e të reja, gra dhe burra, fëmijë dhe të moshuar zgjedhin biçikletat si mënyrën e tyre të preferuar për të lëvizur në rrugët e kryeqytetit.
Por sa siguri ofron kjo zgjedhje? Ekstremisht ekologjike, biçikletat në rrugët e Tiranës mund të shndërrohen në burime aksidentesh.
Ndonëse në disa zona të caktuara janë prezentë korsitë e biçikletave, aty nuk shohim të lëvizin vetëm pedalet. Këmbësorët të mësuar tashmë të ecin në korsinë e biçikletave, e konsiderojnë trotuarin thjesht një opsion të mundshëm në rastet kur qarkullimi i biçikletave bëhet i papërballueshëm për reflekset e tyre të stërvitura.
Po aq të stërvitura ishin edhe reflekset e një nëne, e cila edhe pse me karrocën e fëmijës në dorë ecte krejt shpenguar dhe e sigurte përballë biçikletave që vinin në drejtim të tyre. E ndërgjegjshme që nuk ishte pikërisht ai vendi i destinuar për të ecur, zonja në fjalë ndihej e parrezikuar.
“Ka shumë njerëz në trotuar prandaj më pëlqen të eci këtu. Pastaj kur e shoh që ka shumë biçikleta këtu, ngjithem në trotuar” – përgjigjet zonja dhe e shohim teksa vazhdon shëtitjen e saj krejt e qetë, gjithmonë në të njëjtën korsi.
Paradoksale në të gjithë këtë histori është se janë çiklistët ata që ndihen të rrezikuar në shtëpinë e tyre duke u detyruar të bëjnë manovra për të shmangur “mysafirët e paftuar”.
Si për të mos mjaftuar pakujdesia e këmbësorëve, çiklistët duhet të ruhen edhe nga makinat apo urbanet. Këto të fundit, thjesht për t’iu shmangur trafikut të rënduar të kryeqytetit hyjnë në zonën e parashikuar për biçikletat. Pakujdesi të tilla shpesh bëhen shkak i aksidenteve me pasoja të rënda.
Një aksident i ngjashëm na rrëfehet nga një çiklist që zgjedh të mos identifikohet për vetë natyrën e rëndë të ngjarjes, e cila në sfond të saj ka edhe korrupsionin. Ai na tregon se si mosrespektimi i semaforit nga ana e shoferit të makinës, por edhe lagështia në rrugë u bënë shkak i një aksidenti të rëndë që mbeti i pandëshkuar nga organet kompetente.
Një tjetër rast aksidenti na tregohet nga Ilir Dimko, një përdorues i hershëm i biçikletës të cilin e takojmë teksa kalon me shokun e tij, Leonardin pranë sheshit “Skënderbej”. Të dy dashamirës të pedaleve ndajnë me ne eksperiencat e tyre shpesh edhe të rënda.
Njëri prej djemve na tregon se si është dëmtuar gjatë shëtitjes së tij me biçikletë kur një shofer kishte hapur dyert e makinës pa marrë parasysh pozicionin e papërshtatshëm në të cilin kishte ndaluar makinën.
Ndërkaq nga Leonardi na rrëfehet një rast tjetër. Ai tregon se para disa vitesh u aksidentua si pasojë e pusetave të hapura pranë korsive të biçikletave.
“ Ishte përplasje e rrezikshme sepse goma e biçikletës ra në pusetë dhe unë u rrëzova me fytyrë në asfalt”- tregon ai teksa për ironi një pusetë e hapur qëndron përpara nesh dhe na ndihmon ta kuptojmë akoma më mirë se sa i rëndë kish qenë aksidenti.
Në bisedën me djemtë ato sjellin në vëmendje edhe neglizhencën e pushtetit vendor i cili nuk ka parashikuar as vende parkimi për biçikletat.
“ Nuk u kushton asgjë të vendosin dy hekura për të parkuar biçikletat. Nuk kërkon një investim të madh kjo gjë, është thjesht neglizhencë”.
Sipas tyre për shkak të rreziqeve me të cilat duhet të përballet një përdorues biçiklete, më së shumti gjinia femërore heziton t’i përdorë ato.
“Të lënë pas dore nga qeveria” ato “ndihen të vlerësuar” dhe na falënderojnë që sjellim në vëmendje të tilla çështje për të cilat mendojnë se është e nevojshme të organizohen edhe protesta paqësore. Sipas tyre vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndryshohet situata e rënduar me të cilën përballen çdo ditë.
Për t’i shtuar një tjetër pamje panoramës së “jetës mbi pedale” drejtohemi për tek një nga stendat që ofrojnë biçikleta me qira. E pyetur në lidhje me kriteret që duhet të plotësohen për të marrë një biçikletë me qira, përfaqësuesja e firmës përkatëse na përgjigjet: “ Po ne i bëjmë një vlerësim nga paraqitja e jashtme. Duken njerëzit që nga paraqitja”.
E pamë thelbësore të përfshinim zërin e një punonjësi të qarkullimit rrugor, por rezultuam të pafat në tratativat tona. Polici rrugor drejt të cilit u afruam për të marrë më shumë informacion rreth problematikave dhe aksidenteve me biçikleta, u largua pa u përgjigjur pyetjeve tona. Me afrimin tonë mbaruan minutat e shlodhjes dhe punonjësi i policisë u kujtua se ishte në orët e shërbimit. Sigurisht nuk e penguam më të vazhdonte detyrën, por u ndjemë mirë që u bëmë shkak që ai t’i përvishej punës.
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *