Guterres: Kriza në Siri, kërcënim për mbarë rajonin

Guterres: Kriza në Siri, kërcënim për mbarë rajonin

  Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara për çështjet humanitare ka paralajmëruar se luftimet në Siri rrezikojnë mbarë Lindjen e Mesme. Komisionieri i Lartë i OKB-së për  refugjatët, Antonio Guterres i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë masa për qetësimin e situatës në Siri e cila rrezikon stabilitetin e mbarë rajonit. Komisioneri i

 

Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara për çështjet humanitare ka paralajmëruar se luftimet në Siri rrezikojnë mbarë Lindjen e Mesme. Komisionieri i Lartë i OKB-së për  refugjatët, Antonio Guterres i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë masa për qetësimin e situatës në Siri e cila rrezikon stabilitetin e mbarë rajonit.

Komisioneri i Lartë i OKB për refugjatët, Antonio Guterres i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa për të shmangur rrezikun e një shpërthimi që mund të përfishijë gjithë  Lindjen e Mesme.

“Rreziku që konflikti sirian mund të ndezë gjithë  rajonin nuk është një paralajmërim bosh. Duhen marrë masa që tani  për të shmangur rreziqet e mëdha të përhapjes së konfliktit dhe për të mbështetur stabilitetin e fqinjëve të Sirisë në mënyrë që situata mos të përshkallëzohet në një krizë politike, të sigurisë  humanitare përtej kapacitetit të komunitetit ndërkombëtar për të reaguar. ”

Duke folur në Këshillin e Sigurimit nga zyra e tij në Gjenevë, zoti Guterres u bëri thirrje vendeve fqinje të Sirisë që të mbajnë të hapur kufijtë e tyre për refugjatët, por ai gjithashtu tha se ndikimi i krizës së refugjatëve në vendet fqinje është shkatërrimtar.

Nënsekretarja e Përgjithshem e OKB-së për Çështjet Humanitare Valerie Amos e përshkruajti situatën në Siri si një krizë rajonale, jo një krizë në Siri me pasoja rajonale. Ajo tha se ndihmat humanitare brenda Sirisë janë të pamjaftueshme.

“Ndërsa punonjësit e organizatave humanitare punojnë pa pushim për të ndihmuar sirianët e prekur nga kriza, boshllëku mes nevojave dhe ndihmës ndërkombëtare mbetet i konsiderueshëm. Edhe pse ne e dimë vendndodhjen e personave në nevojë, organizatat humanitare nuk janë në gjendje të dërgojnë ndihma të vazhdueshme dhe të papenguara për miliona njerëz të prekur nga kriza”.

Pas bisedimeve me dyer të mbyllura, Presidentja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara Rosemary DiCarlo u tha gazetarëve se 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit ishin të bashkuar lidhur me nevojën që punonjësit e organizatave humanitare të kenë qasje në mbarë Sirinë. Duke folur në cilësinë e saj si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara, zonja DiCarlo tha se përkundër përpjekjeve të mëdha nga agjencitë e OKB-së që veprojnë nën kushte shumë të vështira në Siri, shumë sirianë vazhdojnë të jenë të shkëputur nga ndihma humanitare.

“Ne kërkojmë që të ushtrohet presion i vazhdueshëm ndërkombëtar mbi regjimin sirian në mënyrë që ai të respektojë  detyrimet e tij për të lejuar dërgimin e ndihmave përmes kufijve të Sirisë. Ne gjithashtu kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare të insistojë që regjimi në Siri të pakësojë pengesat burokratike kufitare për ndihmat humanitare. Dhe sigurisht ne kërkojmë nga të gjitha palët në konflikt që të lejojnë qasje të papenguar të organizatave humanitare ndaj njerëzve në nevojë. ”

Ambasadorja amerikane tha se ajo mendon se ka një angazhim nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Siri. Por ajo shtoi se gjatë bisedimeve private të këshillit, kishte pakënaqësi të shumta në lidhje me pamundësinë e Këshillit të Sigurimit për të folur me një zë për Sirinë, madje edhe për çështjet humanitare.

 

/Borana Belegu/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar