GJENDJA PËRTOKË E KOPËSHTIN ZOLOGJIK TË TIRANËS

Nga Armend Dumbo Kopshti zoologjik thuajse bosh, hapësira e zogjve tërësisht e rrënuar, dhjetra specie që qëndronin të lira në parku sot nuk ekzistojnë. Pas 2 vitesh vendosa të vizitoja përsëri kopshtin zologjik këtu në Tiranë. Ndodhet pranë Kopshtit Botanik, në fund të digës së liqenit artificial të Tiranës, shëtitores “Lasgush Poradeci”. Kurioziteti më bëri

Nga Armend Dumbo

Kopshti zoologjik thuajse bosh, hapësira e zogjve tërësisht e rrënuar, dhjetra specie që qëndronin të lira në parku sot nuk ekzistojnë.

Pas 2 vitesh vendosa të vizitoja përsëri kopshtin zologjik këtu në Tiranë. Ndodhet pranë Kopshtit Botanik, në fund të digës së liqenit artificial të Tiranës, shëtitores “Lasgush Poradeci”. Kurioziteti më bëri ta vizitoja, të shihja se si vazhdonte të ishte gjendja aty, nëse kishte ndryshuar sado pak nga momenti kur ndodhi incidenti, pasi u fol se do të investohej. Dhe për të parë gjithashtu nëse kishin sjellë ndonjë kafshë tjetër. Kështu që mora çantën time të shpinës dhe u nisa.

Në hyrje të parkut qëndronte sporteli i biletarisë, një hapësirë e vogël, në ato pak sipërfaqe xham ishin të ngjitura njoftime për vizitorët: “Bileta për të rritur kushton 100 lekë, ndërsa për fëmijë 50 lekë”. Në njoftimin tjetër thuhej: “Ju lutemi prindërve dhe mësuesve të shoqërojnë fëmijët përgjatë gjithë vizitës”. Brenda sportelit të biletarisë supozohet të ishte punonjësi që jepte biletat për të hyrë në park, por nuk gjendej aty. Pashë vërdall dhe u duk më tutje brenda parkut. Ishte ulur në një stol me një punonjës tjetër të parkut. Prej së largu ma bëri me dorë për të më thënë “prit aty se erdha”. Ndalova. Ai po vinte me vrap drejt sportelit. Pasi u përshëndetëm më dha biletat. “Qëndrim të këndshëm”, më tha.

Brenda kopshtit qëndronte një shtëpizë e vogël, është streha e një OJF-je, që kujdeset kryesisht për çështjet mjedisore. Ajo që të binte në sy ishte  parku bosh, pa vizitorë, as fëmijë për të parë kafshët, as kafshëve vetë nuk iu dëgjohej zëri. Gjatë hyrjes për në park ishte një punonjës tjetër, që tregonte kafshët e mbyllura. E pyeta sesa kafshë qëndrojnë të mbyllura. “Nuk ka shumë kafshë, vetëm 2 shqiponja, një ujk, 3 arinj dhe 2 struca. Pastaj janë edhe disa lepuj”, më tha ai.

Vazhduam drejt kafshëve. Rreth e qark kopshtit të kafshëve shihje vetëm ndërtime, pallate, vila. Kjo hapësirë që është ndërtuar për të mbajtur kafshët, më tepër i ngjasonte një burgu të sigurisë së lartë sesa një ambienti ku mund të jetojnë kafshët. Secila dhomë kishte hekura, rrjetë dhe sitë të fortë. Duhej të afroheshe që të shikoje kafshët, sespe nga jashtë thuajse nuk shquaje dot asgjë. Tek hapësira kishte të ngjitura shkrime ku thuhej që fëmijët duhet të qëndronin larg kafshëve. Kafshët nuk duhet të ngacmoheshin ose t’iu jepej diçka për të ngrënë.

Kur afroheshe te kafshët vinte një erë e rëndë që nuk të lejonte të qëndroje gjatë në këtë sektor. Gjatë këtij rrotullimi në këto qeli të sigurisë së lartë, shohje sërish dhoma të mbetura bosh, shumë kafshë kanë ngordhur dhe ato nuk janë zëvendësuar me të tjera të të njëjtit lloj apo llojeve të tjera. Kafshët janë reduktuar ndjeshëm. Shqiponjat janë të parat që shfaqeshin, më pas ujku i strukur në qosh të hapësirës saqë shikimi i tij dukej sikur donte të të tregonte diçka. Më tej ariu i pafuqishëm për t’u ngritur në këmbë. Vetëm të ndiqte me sy.  Ariu edhe ujku nuk dukeshin aspak miqësor me një vështrim kërcënues. Qëndronin ulur, as e morrinin mundimin të çoheshin në këmbë meqë kishin ardhu vizitorë. Kishte disa dhoma bosh dhe kështu nuk kishte luan, as tigër, as majmun, as kalë. Për të ardhur keq mendova. S’mund të qëndroja më tej se 10 minuta duke parë këto kafshë për shkak të erës rëndë.

Te sektori i zogjve, me dhjetëra specie kanë qenë në të kaluarën, sot ky sektor ishte rrënuar, i çngjyrosur, i rrethuar nga teneqe e xhama të thyer. Ngjitur më ketë hapësirë ku qëndroni këto kafshë, ndodhej klinka veterinare. Që larg dukej e shkretë. U afrova për të parë nëse do kishte njerëz, pra ndonjë veteriner për t’u kujdesur për kafshët e kopshtit. U afrova tek dera, por ajo qe  mbyllur. Nuk ishte askush aty në rast se i’u ndodhte diçka kafshëve dhe për t’u kujdesur për ta. Shumë kafshë kanë ngordhur, për shkak të mungesës së kushteve dhe kujdesit. Kafshë që jetojnë si në burg, në ato pak metra katrorë, ku mungon pastërtia. Mbi gjithçka, mungon gjallëria e një kopshti, ngjyrat, mungojnë kujdestarët që i zbusin, që i ushqejnë, që i bëjnë miqësorë, që i mësojnë të luajnë e të argëtohen bashkë me vizitorët. Dola nga kjo zonë dhe vijova shëtitjen, në ato pak metra katrorë, ku të paktën mund të gjesh gjelbërim.  Disa mjelma shëtisin dhe pastrojnë pendët në liqen, në atë liqen me ujë të ndotur, ku të jepnin përshtypjen se do të mbyteshin nga momenti në moment nga mbeturinat që lundronin përmbi ujë.

Vazhdova shëtitjen dhe ndalova tek hapësira ku ishin 2 struca. Më përpara kanë qënë 3 por njëri ka ngordhur, mbase më mirë për të sesa të rrinte në ato kushte. Më tutje ndodheshin edhe 2 arinj që vërtiteteshin sa andej këndej, çoheshin, uleshin, dukeshin të papërqendruar dhe të çakorduar. Aty afër një puntore e ulur në stol. E përshëndes dhe afrohem të flas me të pasi mbrapa saj ishte një shirt rretues me emrin e Bashkisë së Tiranës. E pyeta si fillim se pse ndodhej shiriti mbrapa, mos ndoshta do bëhej ndonjë rikonstruksion, por ajo na u përgjigj se ndërtesa mbrapa do të shembej. “Për sa  kohë u mbyll kopshti zoologjik”, e pyeta. “Për një muaj u mbyll, për të bërë disa rikonstruksione të vogla pas ngjarjeve që ndodhën, ndërsa përsa i përket rastit të atij djalit s’mund të themi se iu kafshua dora, thjesht iu gërvisht. Pastaj aty nuk lejohen fëmijë afër dhe t’i ushqejnë kafshët. E ka fajin dhe prindi që e la aty, duhet të ishte treguar më i përgjegjshëm.” “Dhe çfarë ndryshimesh kanë ndodhur”, vazhdova ta pyesja. “Ja ndryshime këtej vërdall”, një përgjigje e papërcaktuar. “A bëhet fjalë për ndonjë ndryshim të gjendjes së kopshtit zoologjik, a është folur nëse do shtohen kafshët”, e pyeta. “Bëhet fjalë për ndryshime, do vijnë edhe kafshë të tjera por kur nuk e dimë me siguri, vazhdonte të përgjigjej papërcaktueshëm punonjësja.”

Por gjatë qëndrimit tim aty nuk pashë ndonjë ndryshim apo resaturim siç punonjësit u shprehën por një mungesë e madhe investimi dhe përkujdesje. Vazhdonin ende pas 2 vitesh kushtet shumë të rënduara për kafshët dhe reduktim i tyre.

Në kohën e komunizmit, por edhe në fillim të demokracisë, pikniku familjar, vizita në kopshtin zoologjik të merrte kohën e gjithë ditës së pushimit, por sot e ka pushtuar frika, zhuli, trishtimi dhe marrëzia. Buaj nuk ka më, as kuaj. Një vit më parë ata u ndeshën të dy dhe kali ngordhi.

Sot, në Kopshtin zoologjik ka pak kafshë dhe pak personel, ka fonde por nuk dihet se sa. Aty asnjëherë, nuk është vënë dorë. Janë prezantuar shumë projekte kryesisht në fushatat elektorale, por asnjë projekt nuk është zbatuar deri më tani. Kafshët janë reduktuar ndjeshëm. Kanë ngelur vetëm disa lloje. Por edhe sa do vazhdojë kjo gjendje kështu për kafshët? A ka sadopak shpresë për kopshtin zoologjik?

Socialphy.com e rendit kopshtin zoologjik të Tiranës si një nga 6 më të trishtueshmit në botë. Kopshti zoologjik i Tiranës mund të quhet më mirë një burg për kafshët, se sa një kopësht.

Në 2015 organizata “Mother Nature Netëork”, në renditjen e kopshtit zoologjik më të keq në botë, e ka renditur parkun tonë, në vendin e gjashtë.

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar