Gështenjapjekësit në rrugët e Tiranës, varfëria lufton ligjin

0

Tregtia ilegale ambulante në rrugët e Tiranës është rritur ndjeshëm veçanërisht gjatë muajve të dimrit. Kjo dukuri vijon të jetë e pranishme edhe në ditët e sotme kur ofrojnë shërbimet e tyre edhe qendra të mëdha tregtare me produktet e firmave më të njohura botërore në to. Vetëm përgjatë bulevardit ‘‘Zogu I’’, që lidh Stacionin e Trenit me sheshin ‘‘Skënderbej’’, mund të shohim çdo ditë pesë deri në dhjetë tregtues të një kategorie të tillë. Ata kanë mbushur jo vetëm bulevardet kryesore dhe parqet, por edhe çdo kënd tjetër të Tiranës.

Pyetja që kërkon përgjigje në një situatë të tillë është “a mundet policia të kontrollojë diçka që ndodh në mes të ditës dhe gjithandej, kur ballafaqohet me individë që nuk kanë ç’të humbin dhe që këtë aktivitet e kanë mjet jetese”.

Personazhi ynë sot është vetëm një prej atyre dhjetëra personave, që për të fituar jetesën, pjekin e shesin misra a gështenja në rrugët e kryeqytetit tonë. Ajo i ka vendosur sendet e saj të pakta (një mangall prushi, një zgarë, një mashë, një stol dhe një arkë kartoni me gështenja) përballë njërës prej kafeneve më në zë në Tiranë, ‘‘New York’’, duke u përpjekur të tërheqë blerësit me aromën e mirë të gështenjave të pjekura në prush.

E intervistuara jonë i ka kaluar 60 vjetët dhe e bën këtë punë prej gati 10 vitesh. Çdo ditë ajo del me shpresën për të shitur diçka për të përballuar nevojat e përditshme, duke pjekur e shitur gështenja, fara ose misra, sipas sezonit. Ky është burimi i saj i vetem i të ardhurave, përveç një ndihme ekonomike prej 2500 lekësh, për të cilën zonja thotë se ka dy muaj që nuk ua japin. ‘‘Në janar dal në pension, atëherë të paktën do të marr nja 60-70 mijë lekë (të vjetra) më tepër ’’, thotë ajo.

Më tej gruaja e moshuar flet për vështirësitë e të jetuarit me kaq pak të ardhura dhe për ‘luftën’ e vazhdueshme me policinë. ‘‘ Edhe ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, edhe ata i urdhërojnë të zbatojnë ligjin, por as ne nuk kemi ç’të bëjmë’’, thotë ajo. Një kaush letre me gështenja të pjekura kushton 50 lekë dhe aq sa fitohet prej tyre nuk mjafton as për të paguar ilaçet dhe energjinë elektrike.

E moshuara i shmanget pyetjes sonë në lidhje me familjen e vet duke thënë, se “fëmijët kanë hallet e tyre”, pa na lënë të kuptojmë nëse në shtëpinë e saj është apo jo dikush tjetër që sjell të ardhura.

Përgjatë bisedës sonë rreth 20 minuta të gjatë nuk ndaloi askush për të blerë diçka, as tek ajo dhe as te të tjerët si ajo në trotuarin përballë. Shumë rrallë na rastis të shohim blerës pranë tyre dhe edhe më rrallë blejmë ne vetë nga këta shitës. Përballë alternativave të tjera të shumta dhe më të leverdisshme, këta tregtarë mbeten gjithnjë më pak të frekuentuar. Por nuk shuhen, përkundrazi shtohen. Dhe ky është treguesi i frikshëm i varfërisë në rritje në vendin tonë.

/ Romina Qama/                                                                                                        

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here