Problemi që ka prekur prej disa javësh transportin interurban në vendin tonë vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Konflikti mes qeverisë dhe pronarëve të furgonëve vazhdon të mbetet i hapur dhe pa asnjë plan konkret për zgjidhjen e tij. Shoferët kërkojnë të vazhdojnë punën e tyre siç ka qenë ndër vite. Nga ana tjetër aksioni policor
Problemi që ka prekur prej disa javësh transportin interurban në vendin tonë vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Konflikti mes qeverisë dhe pronarëve të furgonëve vazhdon të mbetet i hapur dhe pa asnjë plan konkret për zgjidhjen e tij. Shoferët kërkojnë të vazhdojnë punën e tyre siç ka qenë ndër vite. Nga ana tjetër aksioni policor vazhdon në mbarë vendin për ndalimin e të gjithë mjeteve të transportin interurban që shkelin ligjin.
Furgonëve që përdoren për transport ndërqytetës i ndalohet të marrin pasagjerë në rrugën e tyre të kthimit. Sipas ligjit, një veprim i tillë i përket vetëm automjeteve taksi të regjistruara dhe licencuara në njësinë bashkiake përkatëse. Ministria e Brendshme dhe ajo e Transporteve e quajnë legjitim aksionin e policisë dhe ndalimin e furgonëve që marrin pasagjerë në kthim, bazuar në nenin 37 në legjislacionin për transportin rrugor.
Neni 37
Transporti i udhëtarëve me taksi në linjë të rregullt është i ndaluar.
Në rastin kur autovetura taksi kryen shërbime jashtë territorit të rrethit ku është e regjistruar, ajo lejohet të marrë në kthim:
a) udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të saj;
b) të njëjtët udhëtarë, të cilët e kanë pronotuar dhe/ose rezervuar më parë në vajtje dhe që kanë hipur në rrethin e regjistrimit të saj.
Sindikata e Transportit ka ndërmarrë greva dhe protesta të shumta deri në bllokim korsie të rrugës së Kombit në përpjekje për zgjidhjen e këtij problem. Ata kërkojnë tërheqjen e vendimit të qeverisë dhe zbrazjen e aksionit policor për gjobitje e shoferëve të furgonëve. Sipas drejtuesve një vendim i tillë po le pa punë mbi 20 mijë familje që sigurojnë jetesën me anë të këtij shërbimi.
Shoferët e furgonëve shprehen gjithashtu të irrituar për vendimin e marrë, që sipas tyre, është arbitrar dhe i mirëmënduar.
“Janë rreth 60-70 furgonë që punojnë linjën Tiranë–Korçë. Të gjitha tani të bllokuar. Nuk na del leverdia të vijmë nga Korça në Tiranë e më pas të kthehemi bosh. Dalim me humbje, zëre se po punojmë për bamirësi”, deklaron për “Objektiv.al” një shofer i linjës së Korçës në Tiranë.
“Kjo është e papranueshme. Kemi vite që e punojmë këtë linjë. Në Korçë ka linjë autobusësh dhe furgonësh. T’i lemë qytetarët të lirë të zgjedhin vetë mjetin e transportit, jo t’i shtyjmë drejt autobuzëve për të na eliminuar neve”.
Nuk mungojnë as akuzat se i gjithë ky është një aksion i mirëmenduar për monopolizimin e shërbimit të transportit interurban në duart e një kompanie të vetme.
“Për momentin çmimi i biletës së autobusëve është 500 lekë, por sapo të na nxjerrin ne nga tregu do të shkojë në 700 lekë”, shprehen shoferët e këtij transporti.
Reagimi qytetar
“Ne nuk e dimë se kush ka të drejtë dhe kush jo. Duam të lëvizim nga një vend në vendin tjetër se kemi halle dhe probleme. Autobusët janë më orar dhe kjo na krijon vështirësi në raste emergjence. Detyrohemi të marrim taksinë që kushton 2 mijë lekë sepse furgonët kanë frikë të vijnë në Tiranë”, thekson një qytetar nga Korça.
Orari i autobusëve është çdo një orë, nga ora 7:00 e mëngjesit deri 16:00 pasdite. Pas këtij orari qarkullimi është i pamundur ose vetëm më anë të taksive.
Edhe në Elbasan paraqitet e njëjta situatë. Furgonët e licencuar bllokohen në kthim nga policia në rast se kthehen me pasagjerë. Masa e marrë është gjobë deri në bllokim licencë. Shoferët kanë ditë që janë në protesta dhe kanë ndaluar shërbimin e tyre.
Transporti kryhet me anë të linjës së minibusëve dhe autobusëve por më mjaft probleme për qytetarët. Nisja e tyre behët me orar çdo 30 minuta por fluksi i madh i qytetarëve që lëvizin për në kryeqytet nga Elbasani sjell radhë të gjata dhe tejmbushje të autobusëve. Ditët me problematike janë të dielat kur shumica e studentëve kthehen për të vazhduar procesin mësimor në Tiranë. Radha e gjatë bën që disa prej tyre të presin deri në 3-4 orë për të udhëtuar.
Bllokimi i furgonëve të licencuar dhe përdorimi i një linjë të vetme për transportin ndërqytetës ka sjellë edhe lulëzimin e atyre që quhen “taksi me targa të bardha”. Këto automjete ofrojnë shërbimin në çdo orë të ditës kundrejt një pagese më të madhe se ajo normale që aplikohet për furgonët e linjës.
“Po kishte radhë të madhe te stacioni. Bëmë një xhiro vërdallë dhe gjetëm një makinë të vogël që na solli në Tiranë për 300 lekë. Është shtrenjtë normalë po s’kemi ç’të bëjmë nuk do rrinim gjithë ditën duke prit autobusin. Edhe kur vijnë mbushën plot duhet të shtyhesh për të gjetur një vend”, thonë disa studentë nga Elbasani.
Këto automjete të palicencuara për një shërbim të tillë nuk ndalohen nga polica pasi identifikimi i tyre është i pamundur. Një veprim i tillë dëmton rëndë sigurinë dhe xhepat e qytetarëve që kërkojnë sa më shpejt zgjidhjen e këtij problemi.
Sindikata e Transportit ka paralajmëruar një proteste ditën e mërkurë në çdo qytet të vendit duke bllokuar korsitë e rrugëve kryesore ndërsa ditën e premte do të behet një tubim i madh në kryeqytet në shenje proteste për neglizhencën dhe moszgjidhjen e problemit.
Kërkesat e shoferëve nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga organet vendore, institucione këto të cilat vjelin taksat e tyre. Për ta kjo është një sjellje e pa precedentë. Përveç takimit me mininistrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe atë të Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasko, dy javë me parë, sindikatat dhe shoferët nuk kanë marrë asnjë reagim tjetër.
/Blerand Ismaili/
Lini Komentin tuaj
Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *