Fitorja ndaj Portugalisë e ngjit Shqipërinë mes më të mirave

Suksesi historik në Portugali i kombëtares shqiptare të futbollit në eliminatoret e Euro 2016 është pasuar nga një ngjitje e ndjeshme në klasifikimin e kuqezinjve në FIFA. Ekipi i drejtuar nga Xhani de Biazi ka bërë një hap gjigant duke fituar njëherësh 25 vende, për të kaluar nga i 70-ti që mbante në gusht, në

Suksesi historik në Portugali i kombëtares shqiptare të futbollit në eliminatoret e Euro 2016 është pasuar nga një ngjitje e ndjeshme në klasifikimin e kuqezinjve në FIFA. Ekipi i drejtuar nga Xhani de Biazi ka bërë një hap gjigant duke fituar njëherësh 25 vende, për të kaluar nga i 70-ti që mbante në gusht, në të 45-tin ku gjendet aktualisht.

Duke marrë parasysh forcën e kundërshtarit, Portugalinë, e cila ishte dhe mbetet përsëri në vendin e 11-të të këtij klasifikimi,  suksesi i kuqezinjve ka marrë vlerën e 1403.33 pikëve. Të përllogaritura bashkë me pikët e viteve 2011, 2012 dhe 2013, të cilat merren për bazë nga FIFA kur ndërtohet renditja mujore, Shqipëria është aktualisht në kuotën e 571 pikëve, 134 pikë më shumë se bilanci i një muaji më parë.

Kësisoj, kuqezinjtë kanë lënë pas disa emra shumë të njohur të futbollit europian, si Bullgaria, Irlanda, Polonia apo Norvegjia. Pas kuqezinjve, tani renditen edhe 4 skuadra të cilat në verën e këtij viti morën pjesë në Botërorin 2014: Japonia (48), Hondurasi (56), Koreja e Jugut (63) dhe Australia (84). Vetëm Qipro (+55 vende) dhe Bullgaria (+26 vende) kanë ngjitur më shumë shkallë në renditje në zonën europiane në këtë muaj, falë rezultateve të arritura në kualifikueset e Euro 2016.

Për sa u përket skuadrave të grupit të eliminatoreve në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria, përveç Portugalisë që ka mbetur në vendnumëro në vendin e 11-të, tre kundërshtarët e tjerë të kombëtares tonë kanë pësuar rënie. Danimarka ka humbur 1 vend, duke qenë tashmë e 27-ta në botë, ndërsa Serbia ka humbur tre pozicione, duke u radhitur në vendin e 34-t. Rënien më të ndjeshme e ka pësuar Armenia, e cila ka humbur 16 pozicione njëherësh, për t’u kthyer në vendin e 52-të në botë.

Ndonëse në fund të çdo edicioni, gjëja më e rëndësishme është padyshim kualifikimi në fazën finale të një turneu, klasifikimi FIFA shërben në përcaktimin e vazove kur hidhet shorti i eliminatoreve të një Botërori. Në rastin konkret, nëse Shqipëria do të arrijë të mbajë gjatë këtij edicioni pozicionin e saj në këtë klasifikim në zonën UEFA, ku gjendet e 27-ta, ajo do të përfshihet nga FIFA në vazon e tretë të shortit për Botërorin 2018.

Meqenëse shorti i eliminatoreve hidhet në Shën Petersburg me 25 korrik të vitit 2015, për kombëtaren e De Biazit do të jenë shumë më të rëndësishme tri ndeshje zyrtare dhe sidomos dy ndeshjet miqësore me Francën që luhen gjatë kësaj periudhe. Ndeshjet zyrtare janë ato të tetorit kundër Danimarkës dhe Serbisë, si dhe sfida kundër Armenisë në “Elbasan Arena” në mars 2015.

Ndërkohë, miqësoret me Francën do të luhen në 14 nëntor të këtij viti dhe 13 qershor të vitit 2015. Meqë Franca ka një prej kombëtareve elitare të Europës, ndeshjet miqësore ndaj saj mund të sigurojnë shumë pikë në rast se kuqezinjtë marrin rezultate pozitive në këto dy ndeshje kundër ekipit që organizon Euro 2016.

 

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar