Fillon fushata zgjedhore në Kosovë

0

Partitë politike në Kosovë kanë nisur sot fushatën për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor.  Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se në garën për të zgjedhur kryetarët janë 224 kandidatë . Në këto zgjedhje marrin pjesë gjithsej 103 subjekte politike ku prej tyre 31 janë serbe.

E veçanta e zgjedhjeve të sivjetme, sipas KQZ-së, është se ato do të zhvillohen edhe në pjesën veriore të Kosovës. Në veri të Kosovës, serbët lokalë janë ende të ndarë në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në zgjedhje, derisa Beogradi zyrtar i ka ftuar ata që marrin pjesë në këtë proces.

Edhe kjo fushatë zgjedhore do të zgjasë 30 ditë, pasi subjektet politike kanë dështuar në miratimin e reformave, me të cilat është paraparë që fushata të zgjasë 15 ditë.

Por një vendim i qeverisë së Kosovës që zyrtarëve serbë t’iu ndalohet hyrja në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore ka vënë në pikëpyetje zgjedhjet në veri e mbi të gjitha dialogun e nisur mes dy vendeve.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç tha se do të ndërpresë pjesëmarrjen në bisedimet me Kosovën, nëse Prishtina nuk lejon vizitat e zyrtarëve të Beogradit në Kosovë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.

Kryeministri serb tha se ka paralajmëruar Brukselin dhe diplomatët  perëndimorë duke e cilësuar  vendimi i autoriteteve të Prishtinës  skandaloz dhe paraqet një goditje ndaj procesit të paqes.

Marrëveshja me Serbinë  parashikon edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe në këto zgjedhje.

/Elta Liksenaj/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here