Dyfishohet taksa e qarkullimit për makinat e vjetra

0

Taksa e qarkullimit të makinave pritet të rritet në vitin 2014. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka lënë të hapur mundësinë për rishikim të kësaj takse, për ta dyfishuar atë për makinat e vjetra. Ligji për taksimin e mjeteve do të jetë i njëjtë me atë të Bashkimit Evropian, ç’ka do të thotë se makinat e vjetra do të paguajnë taksa më të larta dhe makinat e reja do të çlirohen nga taksa e qarkullimit. Ndryshimet ligjore që pritet të hartohen së shpejti do të konsistojnë në faktin se automjetet që ndotin ambientin detyrimisht duhet të paguajnë taksa të larta. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, bëri të ditur ndryshimet e pritshme në një takim me koncesionarët e makinave në Shqipëri ku diskutuan për reformën në këtë sektor.

Të gjitha pikat dhe tregjet që shesin makina të përdorura, do t’i nënshtrohen kontrolleve. Qellimi i këtij kontrollit do të jetë futja në rrugë ligjore e këtyre tregjeve, të cilët do të fillojnë të kontrollohen e tatohen, si çdo biznes tjetër.

Ministri Ahmetajt ka deklaruar se qeveria do të dyfishojë taksat e makinave të përdorura, ndryshe nga çfarë bëri Qeveria Berisha 2 vjet më parë, i cili duke ulur taksat, bëri që të lulëzojnë tregjet informale, si dhe vendi të ishte sërish nën pushtetin e makinave të vjetra.

Çmimet e makinave të përdorura mbeten ende të ulëta, pasi përveç TVSH-së që janë të detyruar ta paguajnë në dogana, këta tregtarë nuk shlyejnë asnjë detyrim tjetër.

Në Shqipëri, çdo vit importohen rreth 50 mijë automjete të përdorura, për afro 3000 tregje. Rreth 20 konçencionarë importonin në vitin 2008, afërsisht 4000 makina të reja dhe sot ky treg ka rënë në 1500 makina.

Një tjetër shqetësim për tregun shqiptar të makinave, të cilat iu shmangen detyrimeve tatimore, janë dhe pjesët e këmbimit. Një pjesë e madhe nuk janë origjinale, ndërsa shumë të tjera, vidhen në vendet perëndimore e sillen në Shqipëri, nga grupe shqiptarësh që operojnë në këto shtete.

/Enkeleda Cami/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here