Durrës, problem shqetësues ujërat e zeza

Durrës, problem shqetësues ujërat e zeza

Mosvënia në funksionim të kolektorit të ri ka bërë që në plazhet e Durrësit ujërat e zeza të ndotin sërish bregdetin e Adriatikut. Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, zona bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Ura e Dajlanit kutërbon nga era e keqe. Kjo për faktin se në këto orare lokalet derdhin në det

Mosvënia në funksionim të kolektorit të ri ka bërë që në plazhet e Durrësit ujërat e zeza të ndotin sërish bregdetin e Adriatikut. Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, zona bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës deri tek Ura e Dajlanit kutërbon nga era e keqe. Kjo për faktin se në këto orare lokalet derdhin në det ujërat e zeza të grumbulluara përgjatë 12 orëve.

Puna për ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza nisi dy vjet më parë,ku sipas kontratës, kolektori duhet të përfundonte në shtator të vitit 2012. Projekti që kap vlerën e 12 milionë eurove është financuar nga komuniteti europian dhe qeveria shqiptare.

Pushues dhe banorë të Durrësit shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj kësaj situate aspak të denjë për një qytet që në sezonin turistik vizitohet nga 600 mijë turistë.

“E gjithë rruga e plazhit u ça gjatë muajve të dimrit dhe në të janë vendosur tubat e kolektorit të ri, në një gjatësi prej rreth 10 km, por në këtë zonë është ende duke u punuar. Lidhjet me stacionet e pompimit ende nuk janë kryer, ndërsa problematika është në drejtim të shpronësimeve. Në dy stacione pompimi, në “Iliria” dhe në “Hekurudha” ka problem me shpronësimin e truallit. Me këtë ritëm shpresojmë të mbyllim punimet shtatorin e ardhshëm. Aktualisht po punohet me kolektorin e vjetër, atë që ka qenë në funksion”, pohon  inxhinieri i firmës kontraktore të punimeve, Ergert Deliallisi.

Aktualisht zona e plazhit në Durrës funksionin me kolektorin e vjetër të ndërtuar në vitet ’70. Problemet me ndotjen janë të mëdha, pasi shumë hotele funksionojnë ende me gropa septike dhe në mbrëmje e në mëngjes me tubat e shtrirë në thellësi të rërës i dërgojnë ujërat e zeza direkt në det.

Sipas një raporti të DSHPH-së, ndotja e ujit dhe rërës përsa u përket plazheve është komplekse. Kjo sepse plazhi i Durrësit nis që nga përroi i Agait në anën jugore, vijon me kanalin e derdhjes së ujërave të zeza që është në Plepa, me derdhjen e ujërave të përdorura në pjesën perëndimore dhe jug-perëndimore të portit, ose tek shëtitorja “Taulantia”, me derdhjen e ujërave të zeza dhe të përdorura në Currila dhe në këto pika analizat bakteriale dalin mbi normën e lejuar.

/Sonila Duka/

objektiv.al
ADMINISTRATOR
PROFILE

Artikuj të ngjashëm

Lini Komentin tuaj

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar me *

Të Fundit

Më të Komentuar